Sezoni veror, 200 mijë turistë në ditë, por zhurmat vazhdojnë…

Policia e Shtetit thotë se nga monitorimi gjatë fundjavës i gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Sarandë, niveli i parametrave të sigurisë paraqitet në nivele të kënaqshme. “Në një ditë plazhet shqiptare frekuentohen nga më shumë se 200 mijë turistë, dhe lëvizin në ditë 50 mijë automjete ose në një raport javor na rezulton se plazhet janë frekuentuar nga 1.4 milion turistë, shqiptarë dhe të huaj”, shprehet Albert Dervishaj.

Drejtori i rendit, zbulon për Top Channel edhe një nga ankesat e turistëve.

“Ne marrim shumë telefonata nga turistë shqiptarë dhe të huaj në numrin 112. Kryesisht shumica e ankesave lidhen me nivelin e zhurmave”, thotë Dervishaj.

Por krahas mos respektimit të orareve që lejohen për muzikën, ka edhe lokale natë që nuk garantojnë siguri për klientët, si në rastin e Dhërmiut.

“Ne nuk kemi mundësi të vendosim në çdo lokal apo biznes polic roje tek dera. Për këtë i kemi kërkuar këtyre bizneseve të marrin masat e nevojshme dhe ata e kanë mirëpritur”, thotë drejtori i rendit.

Duke parë vitin e kaluar fluksin e shtetasve Italian që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar, këtë vit 6 efektivë të policisë italiane do patrullojnë në zonat bregdetare së bashku me kolegët shqiptarë.

Print