PARKU KOMBËTAR LLOGARA: DIKUR RRUGA E ÇEZARIT NE TOKËN AKROKERAUNE

Fillimi i fushatës ilirike të Çezarit me zbarkimin e papritur në brigjet e Akrokerauneve, në vendin e quajtur Paleste (Palasa), përmendet nga burime të ndryshme historike. Në studimin e tij Prof. Neritan Ceka “Çezari në akrokeraune- vende dhe gjurmë”, referuar librave historikë të kohës përmend se Çezari zbarkoi në Palasë (referuar edhe si Paleste ose Pharsalla) nëpërmjet Brindizit, një përgatitje me nxitim e fushatës me qëllim që të befasonte kundërshtarin dhe të shmangte ballafaqimin në det ku Pompeu kishte një përparësi detare absolute. Në librin e tij “De bello civili”, që është një ditar i asaj lufte, Cezari shkruan se kishte zbarkuar në mesditën e 5 Janarit “…inter Ceraunorum saxa et alia loca pericolosa … locum, qui appellabatur Palaeste” (…midis shkëmbinjëve Akrokeraunë dhe vendeve të rrezikshme … në vendin që quhet Paleste) (Caes. B. civ. III, 6).

Sot, me krenari mund të themi se ky fakt historik ëshë një nga vlerat e shtuara të dy prej atraksioneve natyrore më të rëndësishme në Shqipërinë jugore, atij të Parkut Kombëtar “Llogara” dhe Monumentit të Natyrës “Delta e Përroit të Palasës”. Të pozicionuara shumë pranë njëra-tjetrës, këto dy zona kanë qenë pjesë e rrugëtimit të Çezarit me ushtrinë e tij në luftën kundër Pompeut. Rivitalizimi i këtyre zonave dhe risjellja në vëmendje e një ngjarje kaq të rëndësishme historike ka qenë fokus i organizatës Flag Pine dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë. Falw mbwshtetjes financiare të REC Shqipëri, në kuadër të projektit “Promovimi dhe advokimi për një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore në Zonat e Mbrojtura në Gjirin e Vlorës”, kjo ngjarje është finalizuar me markimin dhe hartëzimin e rrugëtimit të Çezarit dhe shumë shpejt ky rrugëtim do të jetë i hapur për të gjithë vizitorët të cilët do të duan të përjetojnë elementë nga kjo ngjarje e madhe historike.

Ndërsa ngjitja në qafë ofronte një mundësi të vetme, për të zbritur nga qafa për në Orik ekzistonin të paktën tri mundësi. Megjithatë, referuar edhe toponimeve dhe tregimeve të banorëve, shtegu që ndjek faqen perëndimore të malit, ekspozuar ndaj diellit dhe që nuk mbulohej me dëborë gjatë dimrit ka më shumë gjasa të jetë shtegu i ndjekur nga ushtria e Çezarit. Afër qafës së Llogarasë banorët ende tregojnë “Qafën e Çezarit” dhe “Gurin e Qesarit” (toponime në Zonë), pikërisht në vazhdim të rrugës ku mbaron ngjitja nga Palasa, nëpërmjet qafës së Llogarasë dhe fillon zbritja për në Orik, e cila kalon kurrizin e malit, për t’u lidhur me një shteg tjetër që ndjek faqen lindore. Nga ky vend i quajtur Shtrunga e Gurtë, shtegu zbret drejt fushës së Dukatit prej nga arrihet pa vështirësi në këmbë në Orik. Promovimi i këtij shtegu si “Shtegu i Çezarit”, do të shtonte vlerat turistike të monumentit pa kompromentuar vlerat natyrore të tij. Aktualisht, qafa e Cezarit është një nga destinacionet kryesore në Parku Kombëtar Llogara.

Përgjatë shtegut dallohen elementë arkeologjikë ku veçohen gjurmët e një rruge me kalldrëm guri dhe disa shkallare guri. Përgjatë ngjitjes takohen bunkerët e Luftës së I-rë Botërore afër Dhiaporit. Vendndodhja e bunkerëve është dhe pika më e lartë e shtegut, 1102 m. Flora përgjatë shtegut është e pasur dhe në të takohen lloje si Pisha e zezë, Panja e malit, Rrobulli, Frashër i zi, Ilqe, shkurre si Bushi, Përralli, Ashe, Mëlleza dhe bimë medicinale si Sherebela, Rigoni, Trëndafili i egër etj.

Print