HEC-et e Kishës Ortodokse akuzohen se dëmtuan urat e Librazhdit

Kompania “C & S ENERGY", e cila zotëron 3 HEC-e mbi një degë të Shkumbinit dhe është në pronësi të Kishës Ortodokse, është paditur nga Bashkia Librazhd për dëmtimin e një ure, ndërsa i kërkohet të riparojë edhe një urë të dytë të dëmtuar nga shkarkimet e ujit prej digës që shërben si ujëmbledhës. Bashkia Librazhd ka paditur “C & S ENERGY” shpk” në pronësi të Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila zotëron tre HEC në territorin e saj për dëmtimin e një ure. Juristi i bashkisë Bujar Pishkashi i tha BIRN se padisë mund t’i shtohen edhe dëmet në një urë të dytë po në të njëjtën rrjedhë uji.

Padia civile në Gjykatën e Elbasanit e bërë në maj thotë se kompania, e cila administrohet nga Harallambe Gjoka, përmes ndërtimi të tre HEC-ev dhe devijimit të rrjedhës së degëve të Shkumbinit (Rrapun, Lunik dhe Gurakuq) ka dëmtuar urën e varur në Togëz.

Ndërkohë në një letërkëmbimin mes bashkisë me kompanisë të cilin BIRN e disponon, kompanisë i kërkohet të riparojë edhe urën që lidh me Librazhdin fshatrat Kuturman e Marinaj, e cila sipas bashkisë dhe banorëve është dëmtuar nga shkarkimet pa kontroll të ujit prej digës së HEC të ndërtuar pak metra mbi të.

Në rastin e parë siç del nga padia kompania ka refuzuar përgjegjësitë, ndërkohë që në rastin e dytë përmes një letre të 15 janarit 2018, kompania ndërsa nuk merr përsipër fajin për shkaktimin e dëmit, thotë se do të angazhohet, duke këmbëgulur ta quaj atë “dhuratë” dhe jo dëmshpërblim. Megjithatë sipas Bashkisë Librazhd, deri sëfundmi kompania nuk ka bërë asnjë përpjekje për të riparuar dëmet në asnjërën prej urave.

I pyetur për padinë Thoma Dhima, zëdhënësi i Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila përmes kompanisë Eko Vepra zotëron 100 për qind të aksioneve të kompanisë “C & S ENERGY”, që menaxhon HEC-et, tha se nuk kishin dijeni për të.

“Ne nuk dimë asgjë për një gjë të tillë nga bashkia. Me bashkinë kemi pasur marrëdhënie të mira”, tha Dhima në emër të kompanisë. Kastriot Gurra, kryetar i Bashkisë së Librazhdit tha në një bisedë telefonike, se padia ishte ndërmarrë pasi ishin “ezauruar të gjitha hapsirat dhe kërkesat ligjore”. Ai shtoi se “subjekti nuk ka dashur tu përgjigjet shkresave zyrtare të dërguara nga ana e Bashkisë, dhe kjo na jep të drejtën ligjore të drejtohemi gjykatës”.

Print