PNUD: 149 HEC-E Po Minojnë Zonat E Mbrojtura

Të 26 HEC-et tashmë në operim në zonat e mbrojtura dhe 123 HEC-et tjera që janë në ndërtim dhe të planifikuara kanë dëmtuar rëndë trashëgiminë natyrore. Një grup ekspertësh prej 20 vetash të atashuar nga PNUD inspektoi 71 HEC-et e vogla tashmë në punë dhe gjeti një “mal” me probleme. Kompanitë nuk kanë respektuar asnjë standard mjedisor, teksa autoritet kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjet në fuqi dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit. Ja 30 rekomandimet

Pak ditë më parë, banorët e Dragobisë në Tropojë kanë fituar betejën gjyqësore ndaj kompanisë që po ndërton tre hidrocentrale në Parkun Kombëtar të Valbonës. Punimet janë pezulluar deri në një shqyrtim më të thellë të ligjshmërisë në të cilin janë kryer, por në parqet e tjera kombëtare të vendit situata është alarmante, pasi objektet janë larg zonave të banuara dhe vëmendjes publike.

Një studim në terren i 20 ekspertëve të atashuar nga PNUD (Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara) ka vërejtur një situatë alarmante në të gjithë procesin që shoqëron ndërtimin e HEC-eve që nga momenti i dhënies së lejeve, planifikimit dhe ndërtimit. Dëmet më të mëdha janë bërë në zonat e mbrojtura, pasi aty dendësia e lumenjve dhe ujërave është e madhe. Në zonat e mbrojtura aktualisht kanë përfunduar punimet dhe janë në operim 26 HEC-e, 16 të tjera janë në proces ndërtimi dhe 105 të tjera kanë marrë lejen. Sakaq inspektimi në HEC-et e përfunduara, i pari i këtij lloji nga një ekspertizë e pavarur ka gjetur se pjesa e dërrmuese e objekteve janë ndërtuar pa respektuar standardet mjedisore dhe ato për mbrojtjen e faunës. Kushtet për vendkalimin e peshqve nuk janë marrë në konsiderate dhe kriteret për rehabilitimin e mbeturave dhe rivitalizimin e zonës pas punimeve nuk janë bërë.

Grupi i ekspertëve inspektoi në terren të 71 HEC-et e ndërtuara tashmë dhe shqyrtoi anën ligjore për mbi 520 lejet e dhëna. Në përfundim të kërkimeve ata kanë formuluar rreth 30 rekomandime, të cilat ia ka vënë në dispozicion Ministrisë së Energjetikës për të përmirësuar sado pak situatën. Ekspertët kërkojnë që të mos ndërtohet asnjë HEC tjetër në zonat e mbrojtura. Nga verifikimet në terren ata gjetën se, pothuajse të gjitha HEC-et kanë krijuar erozion dhe në të ardhmen pritet të sjellin kosto të mëdha financiare në buxhetin e shtetit për të menaxhuar pasojat negative në vijimësi.

Gjithashtu ekspertet vërtetuan se Ministria e Energjetikes gjatë dhënies së lejeve nuk ka marrë në konsideratë ligjet e tjera në fuqi për mbrojtën e mjedisit dhe zonave të mbrojtura. Gjithashtu ata verifikuan se Shqipëria ka shkelur edhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit që i ka nënshkruar më parë. Sipas tyre lejet për ndërtimin e HE-ve janë dhënë pa analizën kosto përfitim, por të shtyra nga logjika e plotësimit të kërkesës për energji dhe nevojës për të hapur fronte të reja për biznes.

Shkatërrohet trashëgimia natyrore

Përveç dëmit në habitate, pasojat negative që projektet e HEC-eve do të kenë mbi peizazhin do të ndikojnë më së shumti zonat e mbrojtura. Të gjitha këto pasoja do të jenë edhe më të mëdha në rastet kur projektet e HEC-së janë planifikuar me sistem ujëvarë.

Gjatë vëzhgimit në terren, u vizituan 26 HEC-e në zonat e mbrojtura. Analiza hapësinore tregoi se disa zona të mbrojtura janë seriozisht në rrezik nga skema e zhvillimit të HEC-eve. Rishikimi i VNM (Vendimeve të Ndikimit në Mjedis) tregoi se ndikimet në zonat e mbrojtura nuk janë marrë parasysh për shumicën e projekteve në këto zona. Në pellgun e lumit Drin, situata është më e rëndë në Parkun Natyror Korab-Koritnik, ku 12 HEC-e ë janë në operim dhe 6 të tjera janë planifikuar.

Gjithashtu, në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, 4 HEC-e janë në ndërtim e sipër dhe një tjetër është planifikuar. Situata është më alarmante në pellgun e lumit Shkumbin në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë ku tashmë 2 HEC -e janë në funksion, 3 janë në ndërtim e sipër dhe 30 të tjera janë planifikuar të ndërtohen në vijim.

Në pellgun e lumit Seman, 3 HEC-e tani anë funksionalë brenda Parkut Kombëtar të Tomorrit dhe 2 të tjera janë planifikuar. Në pellgun e lumit Vjosa, 3 HEC-e janë funksionale, 2 janë në ndërtim dhe 2 janë planifikuar të ndërtohen brenda Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotove-Dangëllisë.

Në pellgun e lumit Drin, dy zonat janë nën presionin e zhvillimit të HEC-ve. Në peizazhin e mbrojtur të Korabit, 1 HEC ka nisur punën dhe 9 të tjerë janë në plan të ndërtohen dhe Alpet (Parku Kombëtar i propozuar) janë 4 HEC-e në punë dhe 10 të tjera në plan për t’u ndërtuar.

Në Shkumbin, në Parkun Kombëtar Rrajcë-Shebenik 1 HEC është operativ, 3 janë në ndërtim dhe 28 të tjera janë planifikuar të ndërtohen. Në pellgun e lumit Seman, 3 janë vënë në punë, 3 janë në ndërtim e 2 janë planifikuar.

Në Parkun e Moravës janë planifikuar të ndërtohen 5 HEC-e. Në pellgun e lumit Vjosa në Parkun Kombëtar Germen-Shelegure – Zona Leskovik-Piskal një HEC ka nisur punën, 1 është në ndërtim dhe 14 të tjerë janë planifikuar të ndërtohen.

Dëmi në peizazh

Edhe pse një numër i madh HEC-esh ndodhen larg zonave të banuara, ato kanë potencial të ndryshojnë peizazhin. Ndërtimi i rrugëve hyrëse shkakton degradimin e karakteristikave të peizazhit në nivele të shumëfishta. Ndikimi i drejtpërdrejtë është heqja e vegjetacionit natyror, gërmimi në shpatet e pjerrëta, teksa ato bëhen shkak për erozion si pasojë e punimeve.

Ekspertët thonë se karakteristikat e peizazhit mund të zvogëlohen me kalimin e kohës. Nga 71 HEC-et e ndërtuara, në 44 prej tyre ka pasur erozion.

Edhe menaxhimi i papërshtatshëm i mbetjeve të ndërtimit, si materialet e gërmimit ka sjellë pasoja negative në peizazh. Nga 43 HEC-et e inspektuara vetëm për 16,3% prej tyre kishin menaxhuar materialet gërmuese në mënyrë të përshtatshme. Në vendet e tjera, depozitimi i materialeve është i dukshëm dhe shpesh në brigjet e lumenjve ose në shtratin e lumit. Ekspertët vërejtën se 65% e projekteve kishin plane të rehabilitimit në terren, por thuajse të gjitha HEC-et e ndërtuara nuk e kanë kryer rehabilitimin.

Kjo mund të dëmtojë rëndë turizmin. Por ndikimet e mundshme të projekteve të HEC-eve në komunitet ndryshojnë nga pozitive në jashtëzakonisht negative.

Ndikimi në komunitet

Ndikimi më i madh i HEC-eve në komunitetin lokal është pakësimi i ujit. Gjatë verifikimeve në terren në shumicën e rasteve, analiza tregoi se aktualisht nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në ujitjen e zonave përreth. Ndikimi më i madh negativ në ujitje do të ndodhë në luginat buzë lumit Mat ku është planifikuar një numër i madh HEC-esh. Ato mund të përkeqësohen në të ardhmen për shkak të ndryshimit të kushteve klimatike. Mungesa e ujit mund të shkaktojë konflikte ndërmjet komunitetit në këto zona.

Tashmë, shumica e konflikteve lidhur me hidrocentralet në Shqipëri kanë të bëjnë me të drejtat e shfrytëzimit të ujit. Hulumtimi tregoi se rrugët e krijuara rishtazi janë përdorur nga vendasit, të cilat mund të sjellin ndikim pozitiv për komunitetin lokal. Megjithatë, sipas studimit në terren, hapja e rrugëve ka çuar në prerje të paligjshme të drunjve. Pasoja të tjera negative në ekonominë e zonave mund të vijnë nga ulja e numrit të turistëve pasi ndërtimit të HEC-eve.

Në disa raste, përgatitja e projektit nuk përfshinte komunikim cilësor me banorët e prekur drejtpërdrejt, pasi shumë HEC-e janë bërë në zona të pabanuara. Sipas hulumtimeve mbi konfliktet e lidhura me zhvillimin e hidrocentraleve në Shqipëri, angazhimi i palëve të interesit çoi në reagime të forta ndaj projekteve, madje me bllokada dhe protesta në rrugë. Hulumtimet në terren tregojnë se 64% e konflikteve të palëve të interesuara ishin të pasuksesshme.

HEC-et e ndërtuara pa Vlerësim e Ndikimit në Mjedis

Gjetja më shqetësuese është se vetëm 6,8% e projekteve të shqyrtuara (3 nga 44 projekte) iu nënshtruan procedurave të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) sipas kërkesave ligjore, që i atribuohen koncesionit dhe procedurës së veçantë që i nënshtrohen.

Nga ana tjetër, rreth 80% e projekteve u mungonin VNM dhe detajet e përshkrimit të projektit të HEC-eve. P.sh., vlerësimet ishin dhënë pa referuar detaje të vendndodhjes (koordinatat e gabuara të GPS) karakteristika kryesore të projektit ose karakteristika të tjera të tij, siç janë rrugët apo linjat e energjisë. Një tjetër lloj i dokumenteve të analizuara në shqyrtim ishte Leja e Mjedisit. Pajtueshmëria me të u vlerësua dhe për shumicën e projekteve u përcaktua se pajtueshmëria nuk është e plotë. Bazuar dosjet e26 lejeve mjedisore në dispozicion, 96% e projekteve nuk i plotësojnë kërkesat e përcaktuara.

Shqipëria ka një regjistër qendror publik në internet të hidrocentraleve që menaxhohet nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (NANR), por informacioni nuk është i plotë dhe as i azhurnuar plotësisht.

Zbardhet plani për ndërtimin e 583 HEC-ve të vogla

Kontratat për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla kanë nisur të evoluojnë me shpejtësi, por studimi i ekspertëve të PNUD ka gjetur se do të ndërtohen të paktën 60 HEC-e më shumë se qeveritë shqiptare kanë njoftuar në gjithë këto vite. Megjithatë, te dhënat bëhen më konfuze për shkak të shifrave të ndryshme që japin entet publike.

Regjistri i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore numëron 524 hidrocentrale (HC), teksa një publikim i fundit i Ministrisë së Energjisë tregon një shifër prej 506 HEC-esh gjithsej që do të ndërtohen në Shqipëri. Ndërkohë një studim specifik në maj të vitit 2015, nga organizata të pavarura, ka zbardhur një shifër prej rreth 583 projekte HEC-esh që janë planifikuar të ndërtohen në Shqipëri, cilëson studimi i PNUD. Të dhënat tregojnë se 104 HEC janë në punë dhe 75 janë në fazën e ndërtimit. Potenciali hidroenergjetik i tyre llogaritet mbi 2,100 MW.

Pse u ndërtuan

Ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në lumenjtë dhe përrenjtë shqiptarë u nxit më së shumti nga nevojat për energji dhe kërkesa e privatëve për burime të reja investimi. Shumë koncesione u dhanë ndaj kompanive që nuk kishin burimet financiare të nevojshme dhe burimet njerëzore për menaxhimin e këtyre projekteve dhe këtë e tregoi edhe ecuria e mëvonshme e këtyre projekteve, pasi shumica e tyre nuk arritën të aktivizoheshin në afate dhe shumë leje u rishitën dhe ndërruan pronësi.

Grupi i ekspertëve ka gjetur se mekanizmi i zhvillimit të HEC-eve të vogla nuk është i qëndrueshëm dhe paraqet problematika në aspektin e ndikimit që kanë në mjedis. Ekspertët kanë gjetur se projektet janë zhvilluar pa një analizë kosto-përfitim, duke marrë në konsideratë se në shumë raste, dëmi që krijojnë në mjedis është më i lartë se përfitimet që vijnë nga prodhimi i energjisë. Degradimi që krijojnë në mjedis, nëpërmjet mungesës së ujit dhe në shumë raste, pengesat në zhvillimin e turizmit dhe dëmit të bimësisë dhe kafshëve janë shumë të mëdha në raport me përfitimin që sjell një HEC. Mekanizmi ekzistues i integrimit mjedisor në procedurën e koncesionit nuk është i mjaftueshëm për të garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e legjislacionit mjedisor.

Zhvillimi pa asnjë plan

Ndërtimi i HEC-eve të vogla nuk është bazuar në një sistem planifikimi të ekuilibruar, por vetëm nga kërkesa për energji dhe nevoja për të bërë biznes. Promovimi i zhvillimit të sektorit të HEC-eve të vogla mbështetur nga Plani Kombëtar i Veprimit për Energji të Rinovueshme (NREAP) 2015 – 2020 i jep përparësi ndërtimit të HEC-eve. Nga ana tjetër, grupi i ekspertëve i PNUD ka verifikuar se promovimi i investimeve të hidroenergjisë mbështetet nga mjetet e “kontrollit dhe balancimit” siç janë planifikimi i menaxhimit të ujit ose përdorimi i qëndrueshëm i biodiversitetit.

Planet ekzistuese të menaxhimit për zonat e mbrojtura dhe biodiversitetin nuk janë marrë në konsideratë, d.m.th as nuk janë miratuar dhe as nuk janë zbatuar nga Ministria e Energjetikës. Plani për energjinë e rinovueshme 2015-2020 nuk është hartuar duke marrë në konsideratë ndikimin në mjedis të HEC-eve.

Ligjet për mbrojtjen e natyrë nuk zbatohen

Zhvillimi aktual i HEC-eve nuk është në përputhje me legjislacionin ekzistues për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri. Shumë HEC-e janë ndërtuar ose janë planifikuar brenda zonave të mbrojtura. Vendimmarrja e zhvillimit të HEC-së nuk është bazuar në informacione të sakta mbi zonën ku ndërtoheshin dhe nga ana tjetër, mungonte një inventar i pasurive të biodiversitetit dhe habitateve të lidhura me to. Pothuajse të gjitha studimeve të ndikimit në mjedis u mungon plotësisht vlerësimi i ndikimit të biodiversitetit.

Ekspertët kanë gjetur se zhvillimi aktual i HEC-eve është në kundërshtim me objektivat e mbrojtjes së biodiversitetit të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen e Biodiversitetit në Shqipëri 2015-2020.Ky zhvillim i pabalancuar i HEC-eve pritet që të rezultojë me pasoja të dëmshme si humbja e habitateve dhe llojeve të biodiversitetit, shpyllëzimin, mungesa e uji dhe erozion. Ekspertët gjetën se praktika aktuale e zhvillimit të këtyre objekteve nuk është në përputhje me disa marrëveshje ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit që Shqipëria i ka nënshkruar tashmë.

Mjedisi i cenuar

Standardet ekzistuese të mbrojtjes së mjedisit, duke përfshirë mekanizmin e Vendimeve të Ndikimit në Mjedis nuk zbatohen në mënyrën e duhur gjatë miratimit, ndërtimit dhe funksionimit të HEC-eve. Grupi i ekspertëve ka gjetur se miratimet mjedisore nuk po mundin të krijojnë një mbrojtje efektive të mjedisit. Kushtet e vendosura janë shumë të përgjithshme dhe nuk bazohen në karakteristikat rast pas rasti. Projektet dhe planet e biznesit nuk përfshijnë kostot mjedisore të HEC-it. Po ashtu ka mungesë rregullash për përgjegjësinë mjedisore të HEC-eve.

Sipas ekspertizës, kostoja në mjedis që do të krijojnë HEC pritet të jetë një barrë e madhe financiare për shpenzimet publike, për të trajtuar në vijim degradimin e mjedisit si shpyllëzimi, erozioni dhe humbja e biodiversitetit. Ndikimet kumulative të HEC-eve në të njëjtën kaskadë nuk janë vlerësuar dhe nuk janë marrë asnjëherë në konsideratë në procesin e vendimmarrjes.

Ndikimet në ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore

Sipas rezultateve të studimit në terren dhe ndikimeve të vlerësuara në VNM, shumica e projekteve të planifikuara kanë pasoja të vogla në ujërat nëntokësore në zona të rëndësishme si në Erzen – Baseni Ishmi. Situata është pak më e keqe në pellgjet e lumenjve Vjosa dhe Semani. Në Shkumbin dhe lumin Drin kanë ndikim më të madh. Sipas analizës së ekspertëve, gjendja më e keqe është në pellgun e lumit Mati ku rezultatet tregojnë se projektet e HEC mund të kenë pasoja të mëdha kumulative.

Por, nga ana tjetër, asnjë prej VNM-ve nuk ka marrë parasysh ndikimin e HEC-eve në ujërat nëntokësore, edhe pse këto janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e lumenjve. HEC-et mund të shkaktojnë ndryshime në morfologjinë e lumit si vazhdimësia, thellësia, gjerësia e rrjedhës ujore si dhe ndryshimet në strukturën dhe nënshtresën e shtratit të lumit dhe të lumit. Sipas rezultateve të studimit në terren, gjatësia e parashikuar e lumenjve të prekur nga devijimi i ujit (nga pika e marrjes në pikën e hyrjes) fuqia dhe pika e lëshimit) është më e larta për pellgun e Shkumbinit, ku mesatarja e lumit e prekur është 3,83 km, e ndjekur nga 3.73 kilometër të basenit të Vjosës. Situata është pak më e mirë në lumenjtë e Erzenit dhe Ishmit, Drini, Semani dhe Lumi Mat preken në një gjatësi me shkurtra.

Edhe pse një HEC i vetëm mund të ndikojë në gjatësinë e lumenjve së paku me një kilometër, e vërteta është se ndikimi kumulativ vjen nga kaskadat. Sistemet e kaskadës kanë ndikim të madh tek lumenjtë pasi ato mund të shkaktojnë ndryshime të rëndësishme në rrjedhën e lumenjve dhe nivelin e ujit. Por dhe nëse HEC-et nuk janë planifikuar si sistem kaskadë, ka të ngjarë që ato të jenë në një lumë që ka më shumë se një HEC gjatë rrjedhës në drejtim të rrymës ose në degët e saj.

Thajnë ujin dhe dëmtojnë peshkun

Projektet e HEC-eve mund të ndikojnë në procesin e ujitjes dhe përdorimin e ujit të pijshëm. Sipas sondazhit në terren dhe rishikimit të VNM-së, ndikimet aktuale negative mbi përdorimin e ujit, si ujitja, janë dukshme.

Shumica e projekteve të HEC-eve, ka të ngjarë që të kenë ndikim të konsiderueshëm kumulativ në faunën e peshkut, nëse nuk merren masat e duhura. Standardet e sotme imponojnë që HEC-et të kenë rrjedhat e posaçme për peshk. Por nga vëzhgimet në terren, shumica e projekteve të HEC-eve nuk kanë rrjedha të tilla. Në këtë mënyrë, ato do të krijojnë një ndikim të fortë kumulativ negativ në faunën tonë. Kjo situatë është shkaktuar nga fakti se në gati 41% të VNM-ve të rishikuara për ndikimet mbi popullatat e peshkut nuk janë marrë parasysh nga zhvilluesit e HEC-eve.

Një ndikim tjetër mbi biodiversitetin mund të krijohet nga fragmentimi i habitatit të shkaktuar nga hapja e rrugëve hyrëse, ndërtimi i linjave të reja të energjisë ose devijimi tubacioneve. Të gjitha HEC-et bazohen në tubacione për të devijuar ujin në turbinat e tyre, 56% e HEC-eve të vizituara (71 gjithsej) kërkojnë rrugë të reja, kurse 46% linja të reja të energjisë. Këto ndikime negative janë më të theksuara në zonat e pabanuara, ku gjatësia e infrastrukturës së nevojshme është më e madhe, dhe gjithashtu habitatet janë të natyrshme. Përveç kësaj, linjat e reja të energjisë rrisin rrezikun për zogjtë. Duke pasur parasysh analizën e mësipërme të ndikimeve negative në biodiversitet, dëmet mund të jenë edhe më të mëdha në zonat e mbrojtura – thuhet në studim.

Print