Durrësi aktiv për një bregdet të pastër

Një bregdet sa më i pastër dhe aktivizmi qytetar për respektimin dhe mbrojtjen e mjedisit janë në qendër të projektit të mbështetur nga “Lëviz Albania” në Durrës. Projekti që do të zhvillohet në një zonë problematike që prek lagjen nr.1, zona Port – Currila plazh në qytetin e Durrësit do të synojë ndërgjegjësimin e qytetarëve për mosderdhjen e ujërave të zeza të papërpunuara në det gjë që ndikon drejtpërdrejtë në ndotjen e mjedisit dhe si pasojë prek shëndetin e personave që frekuentojnë plazhin.

Projekti synon të nxisë qytetarët të jenë aktiv në komunitet për problemin e tyre nëpërmjet shkrimit të kërkesave për informacion, peticionit, përballjes publike me këshilltarët bashkiak, projektimit dhe reportazheve.

Qëllimi i projektit është nxitja e aktivizmit qytetar në vendimmarrjen e pushtetit lokal në zgjidhjen e problemit të derdhjes së ujrave të zeza në Shëtitoren “Taulantia” lagjja nr.1, zona: Port – Currila plazh.

Banorët e komunitetit të lagjes nr. 1 do të përfitojnë nga ky projekt, duke u informuar për të drejtat dhe rolin e tyre, problematikën në komunitet, si dhe për përgjegjësitë e pushtetit vendor në administrimin e qytetit pasi të kenë parë vidiot e projektuara në sheshet e qytetit.

Print