• Kreu
  • Të tjera
  • Aktiviteti njerezor
  • Energjia “fryhet” me lumenjtë – Prodhimi u dyfishua në tremujorin e dytë të vitit

Energjia “fryhet” me lumenjtë – Prodhimi u dyfishua në tremujorin e dytë të vitit

Kushtet e favorshme hidrike kanë sjellë prodhim në rritje të energjisë elektrike edhe në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, prodhimi i energjisë elektrike arriti në mbi 2700 GWh, gati dy herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mbi 40% e energjisë së prodhuar është eksportuar, çka shpjegon pjesërisht ecurinë pozitive në eksporteve në pjesën e parë të këtij viti. Prodhimi vendas i energjisë është i gjithi nga burimet ujore dhe dominohet nga hidrocentralet publikë në administrimin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Megjithatë, pesha e impianteve private dhe koncesionare në prodhimin e energjisë është rritje. Sipas Instat, ato prodhuan 912 GWh energji në tremujorin e dytë, ose afërsisht 34% e totalit të prodhuar nga sistemi energjetik shqiptar. Kjo është pesha më e lartë e regjistruar ndonjëherë e HEC-ve private në prodhimin kombëtar të energjisë. Sidoqoftë, sistemi energjetik shqiptar ngelet i ekspozuar ndaj rreziqeve të larta të lidhura me kushtet hidrike, për shkak të mungesës totale të diversifikimit të burimeve të prodhimit.

Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, prodhimi i energjisë ishte në rënie drastike, për shkak të prurjeve të pakta të lumenjve. Humbjet në rrjet vazhdojnë të kenë përmasa shqetësuese, megjithatë, ato paraqiten në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Instat, humbjet në rrjet kanë rënë në 22.6%, nga 24.9% që kishin qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Humbjet joteknike, që lidhen kryesisht me energjinë e papaguar, rezultojnë më pak se 5%; megjithatë, ndarja mes humbjeve teknike dhe joteknike bëhet nga vetë operatorët e sistemit energjetik dhe nuk është e certifikuar nga ndonjë autoritet i pavarur.

Print