Mamaj: Para ligjit çdokush që shkakton zjarrvënie

Për çdo rast zjarri, forca e ligjit do të veprojë në mënyrë të menjëhershme, me qëllim vënien para drejtësisë të çdo personi që shkakton zjarrvënie me ose pa dashje. Kështu konfirmoi sot Prefekti i Qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, duke u ndalur te masat që janë marrë në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik dhe angazhimit të shtabit të Emergjencave Civile, për parandalimin dhe menaxhimin e rasteve të zjarreve.

Prefekti Mamaj bëri me dije se për çdo vatër zjarri do të bëhet hetim serioz nga organet kompetente për gjetjen e autorëve të cilët kanë shkaktuar zjarrvënie me ose pa dashje.

Për të minimizuar rastet e zjarreve ligjërisht nuk lejohet të bëhet më “zjarrvënie e kontrolluar”.

Sipas Prefektit, të gjithë ata persona të cilët kanë kullota ose parcela toke, nuk mund t’i vënë zjarrin parcelës që disponojnë. Të gjitha materialet e mbledhura nga toka duhet të grumbullohen dhe të transportohen në pika grumbullimi.

“Institucionet po bashkëpunojnë për vendosjen e sanksioneve ekstra për çdo person që tenton dhe shkakton zjarr, duke vënë në funksion gjithë kompetencat në mbrojtje të natyrës, mjedisit dhe jetës së qytetarëve”, u shpreh Mamaj.

Print