E drejta e përdorimit të pyjeve dhe kullotave në Shqipëri

E drejta e përdorimit të pyjeve dhe kullotave në Shqipëri është një e drejtë reale e gëzimit kolektiv të një pasurie të patundshme, pyje e kullota, në forma të ndryshme (për dru zjarri e lëndë ndërtimi, gjueti, kullotje, grumbullim frutash pylli, kërpu-dhash, bimë mjekësorë, etj.), për plotësimin e nevojave jetike të anëtarëve të një komuniteti, në një pronë publike ose private. Historikisht në Shqipëri pyjet dhe kullotat në afërsi të fshatrave janë qeverisur si pasuri e përbashkët nga familjet rezidente për plotësimin e nevojave me dru zjarri e lëndë druri për prodhimin e mjeteve për bujqësi e ndërtim, për kullotje e për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë, për grumbullimin e frutave të pyllit, etj.

Deri në vitin 1923 e drejta e përdorimit nuk ishte njohur në bazë të një akti juridik, por njihej në fakt, sipas praktikës së trashëguar, bazuar në kushte të veçanta historiko-gjeografike, që pothuaj gjithmonë i atribuohen ligjit zakonor. Sanksionimi i të drejtës së përdorimit të pyjeve e kullotave në ligjin e vitit 1923 E drejta e përdorimit të pyjeve e kullotave është sanksionuar për herë të parë në ligjin e pyjeve dhe kullosave të 27 janarit 1923. Neni 12 i këtij ligji përcakton “Pyjet e kullosat komune (të bashkive) janë ato që me kohë u janë lanë nji katundit a qytetit ase shum katundeve a qyteteve me qëllim që të përfitojnë e të presin drurë për nevoja të ndryshme të tyre”.

Më tej ligji përcakton se pyjet komunale do të shërbejnë (Neni 17 i ligjit të mësipërm): 1. Për plotësimin e nevojave të domosdoshme të katundarëve e të qytetarëve për të ndërtuar ose riparuar shtëpitë, kasollet, hambarët, vathat e bagëtive, etj. 2. Për të ndërtuar qerre e vegla bujqësore. 3. Për të prodhuar dru zjarri e qymyr druri sa për nevojat shtëpiake. Për të plotësuar nevojat, sipas Nenit 17, ligji parashikon caktimin e një sipërfaqeje prej njëzetë dynymë të vjetër (rreth 1,8 ha) për çdo shtëpi. Sipërfaqja e caktuar për katund a qytet do të jetë e pandarë dhe përfitimi do të jetë i përbashkët ndërmjet banorëve. (Neni 18) Për ato fshatra që nuk kanë pyje në afërsi, ligji i “Pyjeve dhe Kullosave” parashikon edhe ndarjen e një pjese të pyjeve shtetërorë. Neni 19 i ligjit përcakton se katundeve, që me kohë nuk u është caktuar pyll komunal, do t’u ndahet një pjesë nga pyjet e shtetit, jo më larg se 2 orë nga katundi, duke respektuar sipërfaqen e caktuar për familje nga Neni 18. Ligji parashikon që pjesa e dhënë, mbasi të ndahet e të kufizohet, të regjistrohet në emër të katundit.

(Neni 19) E drejta e përdorimit të pyjeve është një e drejtë që trashëgohet brenda familjes, ose që mund të transferohet te blerësi me anë të shitjes së pronës. Neni 20 i ligjit përcakton se familjet e reja, të ardhura në fshat, nuk kanë të drejtë për të përfituar nga pylli i komunës, që është caktuar më parë. Banori i ri, i ardhur, që ble të gjithë pronën (plëngun, mallin) e një banori të katundit, trashëgon njëkohësisht edhe të drejtën që ka pasur shitësi në pjesën e caktuar të pyllit të komunës. Krahas pyjeve komunalë ligji përcakton se kullotat komunale do të caktohen e do të kufizohen sipas shënimeve që përmbajnë mbi to regjistrat kadastrorë (Neni 21). Neni 22 përcakton se kullotat dimërore e verore, që janë brenda kufirit të një katundi a qyteti, e që nuk u janë njohur zyrtarisht, do të kufizohen sipas kufijve që paraqesin e do t’u njihet e drejta e kullotjes së blegtorisë si më parë pa paguar ndonjë taksë. Mbi këtë kullotë kanë të drejtë për kullotjen e blegtorisë edhe katundarët e blegtorët e ardhur nga jashtë fshatit, por duke paguar taksën e duhur.

Ligji parashikon që pyjet e kullotat e komunave do të kufizohen në përputhje me shënimet e dokumenteve zyrtare, duke vendosur në vende të ndryshme të kufijve shenja të posaçme ku do të shkruhen me ngjyrë të qëndrueshme shkronja “P.K.” (pyje të komunave) (Neni 16). Për fat të keq deri në vitin 1939 ky detyrim i përcaktuar në ligj nuk u materializua në terren. Sipas ligjeve të kohës, e drejta e përdorimit të pyjeve e kullotave njihej jo vetëm në rastin e pronës publike, por edhe në rastin e pyjeve e kullotave në pronësi private. Për ilustrim jepet rasti i një kontrate tip bujqësie, për dhënie me qira të tokës bujqësore, ku nenet 10, 11 e 12 përcaktojnë të drejtën e bujkut qiramarrës për të përdorur një pjesë të pyllit e kullotës private për plotësimin e nevojave të veta. E drejta e përdorimit të pyjeve e kullotave në periudhën 1945 - 1990 Një nga hapat e parë të qeverisë së pasluftës, ishte shtetëzimi i pyjeve, që së bashku me ligjin për reformën agrare anuloi të drejtën tradicionale të përdorimit të pyjeve nga banorët e zonave rurale. Dekreti nr. 1482, datë 12.6.1952, “Mbi pyjet”, abrogoi “de jure” të drejtën e përdorimit të pyjeve komunale nga banorët e fshatrave, duke shfuqizuar ligjin e “Pyjeve dhe Kullosave” të 27 janarit 1923.

Deri në vitin 1968, për shkak të pamundësisë për të plotësuar nevojat e popullsisë me dru zjarri e material drusor në rrugë shtetërore, fshatarësisë i njihej e drejta për shfrytëzimin e pyjeve, por vetëm për të plotësuar nevojat e tyre për lëndë ndërtimi dhe dru zjarri (Neni 24 i ligjit Nr. 3349, datë 3.10.1961 “Mbi mbrojtjen e pyjeve”). Pavarësisht nga forcimi i sektorit shtetëror në pyje, deri në vitin 1990 shteti garantonte, nëpër-mjet një sistemi triskëtimi, vetëm furnizimin me dru zjarri të familjeve në qytete. Kjo do të thotë se “de facto” banorët e fshatrave, bazuar në traditën, vazhdonin të gëzonin të drejtën e përdorimit të pyjeve. Situata me kullotat ishte diçka më ndryshe, pasi deri në miratimin e kushtetutës së re, në vitin 1976, kullotat kishin dy forma pronësie: shtetërore e kolektive, çka provohet nga inventarizimi kombëtar i kullotave i vitit 1971.

E drejta e përdorimit të pyjeve e kullotave pas vitit 1990 Ndryshimet social-ekonomike pas viteve 1990 u shoqëruan me ndryshime edhe në sektorin e pyjeve dhe kullotave, ndërmjet të tjerave edhe me rinjohjen e të drejtës së përdorimit të pyjeve e kullotave. Ligji nr. 7623, datë 28.10.1992, “Për pyjet dhe policinë e shërbimit pyjor”, krahas njohjes së pronësisë shtetërore, komunale dhe private të fondit pyjor, Neni 4, pika “b”, përcakton se: “Pyjet komunale quhen pyjet që janë në pronësi të shtetit dhe jepen në përdorim të përbashkët të fshatit, të disa fshatrave ose komunës. U jepet në përdorim fshatarëve me banim të përhershëm në fshat, në marrëveshje midis organeve të pushtetit lokal dhe organeve pyjore, pjesë nga pylli komunal me sipërfaqe 0.4 deri në një ha për familje, sipas kritereve të përcaktuara nga ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit”.

Transferimi i të drejtës së përdorimit të pyjeve e kullotave shtetërore te komunitetet lokale, apo që në literaturën bashkëkohore njihet ndryshe si “pylltaria e bazuar te komuniteti” (PBK), e ka zanafillën në fillimet e viteve ‘90, me hartimin dhe zbatimin e Projektit Shqiptar te Pyjeve, financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Botërore dhe donatorë të tjerë. Filozofia e transferimit të pyjeve e kullotave shtetërore në komuna synonte njohjen e nevojave të popullatës lokale për produkte dhe shërbime pyjore dhe sigurimin e tyre nëpërmjet përdorimit të pyjeve e kullotave komunale. Procesi nuk ishte thjesht transferim i pyjeve dhe kullotave në përdorim të komunave / fshatrave, por dhe një proces i transferimit të kompetencave dhe përgjegjësive nga pushteti qendror tek ai lokal dhe komuniteti. Ky proces hodhi themelet për fillimin e menaxhimit të pyjeve nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të planeve të menaxhimit nga strukturat lokale, çka solli si risi përfshirjen e komunitetit dhe pjesëmarrjen aktive të tij në të gjithë procesin e menaxhimit të qëndrueshëm, të decentralizuar, të burimeve natyrore. Në këtë aspekt, transferimi i të drejtës së përdorimit të pyjeve e kullotave shtetërore te komunitetet lokale PBK nuk ishte vetëm një metodë për menaxhimin e pyjeve komunale, por dhe pjesë e procesit të demokratizimit e ngritjes së kapaciteteve të pushtetit vendor dhe komuniteteve rurale.

Në periudhën 1994-2005 jo vetëm u hodhën bazat për decentralizimin e qeverisjes së pyjeve e kullotave dhe transferimin e tyre në përdorim të komunave. Në këtë periudhë procesi u shtri në 138 komuna, nëpërmjet hartimit me pjesëmarrje të planeve të mbarështimit të pyjeve komunale për 450.000 ha pyje dhe 78.000 ha kullota të transferuara në përdorim të pushtetit lokal. Përfshirja e komunitetit u realizua nëpërmjet organizimit të tij në shoqata të përdoruesve të pyjeve e kullotave. Zbatimi i këtij programi ofroi një stimul të fortë për pjesëmarrjen lokale dhe ndihmoi në rritjen e ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke rimëkëmbur njëkohësisht sipërfaqet me pyje të degraduar nëpërmjet ndërhyrjeve modeste e miqësore me mjedisin. Situata e zjarreve të jashtëzakonshëm të vitit 2007 e detyroi Qeverinë Shqiptare të përshpejtonte procesin e transferimit të pyjeve e kullotave shtetërore në pronësi të njësive të qeverisjes vendore.

Ky proces, i realizuar me akte formale ndërmjet pushtetit vendor dhe Drejtorive të Shërbimit Pyjor, nuk mori parasysh pjesëmarrjen e komunitetit dhe u finalizua me vendime të Këshillit të Ministrave. Gjatë periudhës 2007-2011 u përfshinë në proces 251 komuna dhe u hartuan ose u përditësuan planet e menaxhimit për 775.511 ha pyje e kullota komunale. E meta thelbësore e këtij procesi të brishtë lidhet me faktin se procesi i njohjes dhe i konsolidimit të të drejtës së përdorimit nuk u shoqërua me përmirësimin e politikave pyjore dhe legjislacionin përkatës. Zhvillimet e reja, pas zbatimit të reformës administrativo-territoriale dhe shndërrimit të njësive të qeverisjes vendore në njësi administrative, kanë krijuar një situatë të re.

Përveç kësaj, transferimi i të gjithë fondit pyjor e kullosor publik (me përjashtim të zonave të mbrojtura) në pronësi të bashkive të reja, ka krijuar paqartësi për qeverisjen e pyjeve e kullotave përreth fshatrave dhe për ushtrimin e të drejtës së përdorimit nga komunitetet rurale. Përfundime Nga sa u parashtrua, del se e drejta e përdorimit të pyjeve e kullotave nga komunitetet rurale është një e drejtë legjitime, e cila është gëzuar historikisht nga këto komunitete, me përjashtim të viteve 1945-1990, kur kjo e drejtë “de jure” u mohua, por që në fakt u shoqërua me shkatërrimin dhe degradimin e sipërfaqeve me pyje e kullota në afërsi të fshatrave, për shkak të prerjeve e kullotjes së paligjshme.

Përvoja e fituar në periudhën 1996-2005 tregon se komunitetet rurale kanë qenë të afta për të rimëkëmbur pyjet e degraduar të transferuara në përdorim të tyre, duke përdorur ndërhyrje miqësore me mjedisin dhe me kosto të ulët. Pyjet e rimëkëmbur, në një pjesë të madhe të fshatrave, përveç plotësimit të nevojave të ekonomive bujqësore, luajnë rol për zhvillimin social-ekonomik të fshatit, si dhe ndikojnë pozitivisht në forcimin e shërbimeve mjedisore që ofron ekosistemi pyjor. Përfshirja e të drejtës së përdorimit të pyjeve e kullotave në ligjin e ri të pyjeve e kullotave, si e drejtë legjitime e komuniteteve rurale, do të kontribuojë pozitivisht në frenimin e degradimit të mëtejshëm të pyjeve e kullotave dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj pasurie.

Print