Batërdia e ‘të fortëve’, rrafshohen tre kodra të ‘parajsës’ shqiptare

Jemi një grup banorësh, që endemi prej 5 vitesh për të ndaluar atë masakër mjedisore që po ndodh në kodrat e Gradishtës. Tre kodra janë rrafshuar në këtë fshat dhe batërdia vazhdon pa u ndalur. Për dijeninë e lexuesit, këto kodra përmbyllin vargun që nis nga derdhja e lumit Shkumbin dhe përfundon në fshatin Gradishtë, për rinisur vargun e Ardenicës. Këto vargje kodrash janë një dhuratë unike e natyrës për gjithë zonën e Myzeqesë.

Ato ndajnë detin nga fusha e madhe e Myzeqesë. Kanë qenë kodra të bekuar nga natyra me pyjet shumë-shekullore, bimësi të jashtëzakonshme, vreshta dhe brezare me ullinj, kafshë dhe shpend të egra, me një biodiversitet unikal.  Goditjen e parë këto kodra e morën në vitin 1997 ku nga sulmi i barbarëve u rrafshua gjithë pylli, por me bimësinë që po rimëkëmbet pas 20 vitesh duket se po mbulon plagët e hapura.

Ndërsa goditjen e dytë, këto kodra po e marrin në këtë periudhë duke rrënuar, masakruar dhe rrafshuar kodrat.  Po ndodh një masakër mjedisore që natyra nuk mund ta rikuperojë asnjëherë. Arsye është babëzia. Kompani të etur për biznes, të fortët e zonës që dalin garant dhe qeveria që është pjesë apo qëndron indiferente janë një front që ka gjunjëzuar çdo rezistencë për të mbrojtur mjedisin e natyrës dhe jetesës.

Megjithëse një bukuri e natyrës, në tre prej këtyre kodrave vazhdon prej 5 vitesh një masakër mjedisore. Një kompani ndërtimi, që ka fituar tenderin e rrugës Lushnjë – Fier, për të shmangur blerjen e zhavorrit   ka filluar gërryerjen e kodrës për të marrë dheun-shtuf. Kompania e lidhur ‘me të fortët e fshatit’, që u vet-paraqitën edhe si pronarë të kodrës, megjithëse nuk i lidh asgjë me zonën, filluan shkatërrimin e kodrës.

Por, edhe nëse do të ligjërohet ndokush si pronarë i kodrave, ndoshta banorë të lindur edhe përpara formimit të kodrave, deri në cfarë mase shkon e drejta e tyre për të rrafshuar ato?  Nën hundën e strukturave vendore (komunale dhe bashkiake), të përfaqësuesve të zgjedhur të zonës, të policisë bashkiake dhe të rendit, nën indiferencën e Ministrisë së Mjedisit u rrafshuan tre kodra duke shkaktuar masakër mjedisore.

Janë disa dhjetëra hektarë të kodrës të degraduar në përmasat e humnerës dhe pa asnjë mundësi rehabilitimi. Erozioni është i pashmangshëm, si pasojë e shkatërrimit të bimësisë dhe gërryerja në çdo moment do të krijojë rrëshqitje e do të marrë nën vete atë çka mbetur, së bashku me pjesën e fshatit që mbështetet në faqen e kodrave. Por askush nga ata që duhet ta ndalin këtë masakër mjedisore nuk shqetësohen.

Shkatërrimi vazhdon, degradimi i mjedisit është i plotë dhe natyra ka humbur çdo shans për të rehabilituar veten. Lubia e matrapazëve e ka mundur natyrën. Fatkeqësia mjedisore është tmerrësisht e prekshme dhe e dukshme. Disa qindra rrënjë ullinj të moshës 20-25 vjeçarë janë shkulur e prerë, bimësia është zhdukur në humnerën e krijuar, kafshë e shpendë të egra kanë marrë arratinë dhe të gjitha   janë vetëm një kujtim i së kaluarës. I gjithë ekosistemit i zonës është shkatërruar apo është në rrezik kritik.

Një humnerë me lartësi rreth 70 m, aq sa është edhe lartësia e kodrës dhe me një sipërfaqe prej disa dhjetëra hektarësh po merr nën vete gjysmën tjetër të fshatit. Banesat janë në çdo në humbje të bazamentit të tyre dhe në prag të rrëshqitjeve masive të dheut me rrezik imediat për jetën e banorëve.   Përmasat e shkatërrimit flasin qartas për një katastrofë të vërtetë jo vetëm ekologjike, por mjedisore dhe me rrezik permanent të popullatës. Të gjithë e shohin veç atyre që kanë përgjegjësinë për ta ndaluar.

Janë 5 vjet që lulëzon industria e shkatërrimit nën garancinë e indiferencës së shtetit e të ligjit. Dhjetëra buldozerë, skrepa dhe transportues të frikshëm kafshojnë ditën dhe natën kodrat duke lënë pas vetëm gërryerje. Askush nuk e ka ndaluar rrënimin. Ajo që ishte dhuratë e natyrës prej miliona vjetësh është kthyer në një shëmtim të saj për një kohë shumë të shkurtër dhe që nuk do të mund të rikthehet ndonjëherë.

Por edhe për të ndaluar së shkatërruari atë çka mbetur, mund të shpresohet vetëm në një hakmarrje e natyrës apo mrekulli e qeverisë. Por, të dyja ndodhin shumë rrallë. Për të fortët e të pa ngopurit nga vjedhja e dheut, ligji dhe forca e shtetit janë të shushatur.  Ato mund të dallojnë qartë ndonjë hallexhi për ndonjë tel dritash apo gomar me dru, por jo ata që rrafshojnë kodra me autokolona mjetesh të rënda.  Mos veprimi i bën autoritetet njëlloj përgjegjëse për indiferencën apo aferat.

Ka aq shumë prova për të nisur një hetim shembullor sa nuk gjen asnjë argument për të kundërtën. Nëse ka marrë leje kompania për shkatërrimin e mjedisit cilët janë ata që kanë bërë studimin e zonës? Cili është impakti i mjedisit? Po rreziku i popullsisë? Përse qëndrojnë indiferent kaq gjatë autoritetet komunale, bashkiake, qendrore dhe ato policore?

Vendi i masakrës mjedisore është aty dhe do të mbes përherë i hapur.  Banorët janë lodhur dhe kanë humbur çdo besim te autoritetet. Ata ja kanë përcjellë shqetësimin strukturave lokale dhe deputetit të zonës, por asgjë.  Kompania së bashku me të vet-quajturit ‘pronar të kodrës’ njëkohësisht të ‘fortët’ e zonës kanë vazhduar të pa shqetësuar biznesin e shitblerjes së kodrës.

Është një fije optimizmi se moto e tanishme e qeverisë për mbrojtjen e mjedisit, ndoshta do të impenjojë ministrin e Mjedisit të interesohet për këtë masakër mjedisore për të ndaluar shkatërrimin e mëtejshëm dhe për të dërguar përgjegjësit përpara ligjit.

Qeveria ka të gjitha shanset për tu distancuar nga ata që e vodhën dhe e gjymtuan mjedisin për të fituar duke shitur kodrat.  Ka mbetur gjithashtu ende edhe një ndjenjë optimizmi, që po shtohen njerëzit që ju dhemb mjedisi dhe nuk do të qëndrojnë indiferent përballë lidhjes së shëmtuar që kanë krijuar kasta e biznesmenëve batakçinj me’ të fortët’ që vazhdojnë të jenë mbi çdo ligj dhe që gjenden kudo. Ftojmë shoqatat e mjedisit dhe emisionet investigative të bëhen pjesë e demaskimit të kësaj masakre.

Banorë të fshatit Gradishtë/ Letër e hapur gazetës TemA

Print