Në alpet e Bulqizës, destinacioni turistik i kësaj vere

Nisemi herët nga Bulqiza, do na duhet së paku 30 minuta për të shkuar në një nga fshatrat që ka qëndruar gjatë në kronikat televizive, Kodra e Danit. Shtrirë hijerëndë në një kodër nga ku e ka marrë dhe emrin si fshat, me një pamje piktoreske, si ballkon që ta jep Bulqizën në pëllëmbë të dorës. Nuk bëhet fjalë për një apo dy ditë, në mbrojtje të pyjeve, por prej afro katër vitesh. Rezistenca e këtyre banorëve në mbrojtje të pyjeve është për t’u admiruar. Bashkë me ne në këtë turizëm protestë janë edhe djem dhe goca të zonës dhe jo vetëm, destinacioni jonë është “Sheshe Bulqizë” dhe konkretisht “guri i Vashës”.

Historia e protestave të fshatrave Dushaj, Koçaj, Kodra e Danit dhe Kokërdhok nis që prej vitit 2015, ku Ministria e Mjedisit jap një koncesion për shfrytëzimin e masivit pyjor “Sheshe Bulqizë” tre kompanive. Banorët u vunë përballë një fakti të kryer në shtator të 2015-s, ku eskavatori i koncesionarit po tentonte të hapte një rrugë auto – pyjore për shfrytëzimin e këtij masivi pyjor. Protesta të vazhdueshme nisën që prej tetorit të 2015-s dhe nuk kanë pushuar edhe ditët e sotme.

“Këtu çdo gjë është e lidhur me pyllin, është uji i pijshëm dhe vaditës, janë drutë e zjarrit, është ajëri që thithim, është gjithçka, por edhe këtë duan që ta marrin. Këtu prej afro katër vitesh tema kryesore e diskutimeve është pylli. Madje edhe fëmijët e lagjes, kur janë duke luajtur në rrugë, në momentin kur shohin një eskavator apo edhe një kamion që nuk e kanë parë më parë dhe mund të mos ketë asnjë lidhje me koncesionarët, direkt vërsulen nëpër shtëpi e bërtasin se kanë ardhur makinat e mëdha për të shkuar në mal” na rrëfen Roland Debreshi, një i ri që ashtu si shumë të tjerë në këtë zonë punon në Minierën e Bulqizës.

Do na duhen së paku 2 orë e gjysëm për të shkuar në pjesën hyrëse të livadheve që ndodhen në masivin pyjor të njohur si “Sheshe Bulqizë”. Pemët e larta të ahut dhe të pa dëmtuara nga dora shkatërrimtare e njeriut formojnë një kurorë mbretërore të formuar me pemë.

Ky masiv pyjor përbëhet nga dy ekonomi pyjore, ekonomia pyjore “Sheshe Bulqizë” dhe ekonomia pyjore “liqenet e Bulqizës”. Është një masiv pyjor i zhvilluar mbi një reliev me shtrirje të mrekullueshme si një amfiteatër me florë dhe faunë të shumëllojshme me vlera të pa llogaritshme të biodoversitetit. Ndër të vetmet zona pyjore të virgjëra të mbrojtura nga banorët e kësaj treve brez pas brezi. Dhe si për të treguar një realitet tjetër, përbri nesh ndodhen Liqeni i Zi dhe Tërnova. Me sy të lirë shikon masakrën që iu janë bërë pyjeve në këtë zonë. Ku me shaka të rinjtë e thonë që është bërë si një fushë për të mbjellë patate dhe ndoshta ministria e linjës duhet ta shohë si mundësi që të japë edhe një koncesion të tillë.

Benard Dani, banor i kësaj zonë ka punuar me vite si emigrant në Greqi dhe saktësisht në grumbullimin e lëndëve drusore. “Prerja ishte kontrolluar dhe mbrapa nuk lihej thuajse edhe mbetja më e vogël që shkakton prerja e drurit. Por ne kemi thuajse 7 muaj që nuk punojmë më. Edhe pse firma ku unë punoja kishte dokumentacionin e plotë nga shteti, banorët nuk na lejuan. Ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta. Edhe pse kemi katër vite që protestojnë, shteti është në gjumë letargjik, si në verë dhe në dimër”, tregon Benardi historinë e tij të emigrantit dhe historinë e vendlindjes kthyer ashtu si i gjithë fshati në rojtar pylli.

Përgjatë gjithë rrugës na shoqërojnë burime të shumta ujore. Aq shumë i friksohen banorët faktit që nëse do të pritej pylli burimet do të shteronin dhe se ne këtë fshat edhe ato pak shtëpi që kanë mbetur do ti detyronte të shpërnguleshin.

“Kaq shumë kanë respekt në Dibër për vashat (gratë, vajzat) sa zor se në një zonë tjetër do të gjeje kaq shumë toponime lidhur me vashën, si p.sh ura e Vashës apo guri i Vashës ku ne do të shkojmë”, janë fjalët e Fjori Sinoruka, një vajzë nga Tepelena që është e dashuruar pas bukurive natyrore të Bulqizës.

“... e kush e thotë se veriorët janë njerëz të egër. Faktet flasin të kundërtën sa njerëz me vlera, sa shumë e vlerësojnë vashën, respekti për femrën”, flet me shumë pasion Fjori, si një gazetare kulture që është dhe me pak lodhje që i reflektohej në fytyrë.

Pas dy orëve udhëtim, mes maleve hijerënda dhe rrugëve që gjarpërojnë përgjatë tyre, më në fund mbërrijmë tek “Sheshe Bulqizë”. Stanet që kanë disa vite që nuk mbushen me bagëti ngjajnë si të shkretuara dhe pa jetë. Por ne, nën shoqërimin e Dashamir Xhaferrit ulemi në njërin prej livadheve në mes të të cilit ndodhet një kasolle e staneve, për të pushuar pak e për të shkuar tek “guri i Vashës”, pika më e lartë, gjendur në kufi me fshatrat e bashkisë së Dibrës.

“Kjo zonë ka një potencial turistik të jashtëzakonshëm. Është shërim për trupin dhe për shpirtin. Po të kishim një vend normal, këtë pasuri të jashtëzakonshme natyrore do ta kthente në një atraksion turistik. Nuk do të shikohej më industria e drurit për të fituar para, por ajo e turizmit. Këtu të hapen mushkëritë nga ajri i pastër, që për ne që jetojmë në Tiranë është kthyer në një luks”, shprehet me fjalë që i dalin shumë ngadalë nga goja, Fjorit.

Atje tej, si një rrugë që ka gjeneruar konflikte është rruga e hapur nga kompanitë që kanë fituar koncesionin për shfrytëzimin e këtij masivi pyjor. Do të duheshin pak minuta që ne të shkelnim në skenën e krimit. Koncesionari pak orë ka punuar në këtë masiv pyjor, por ama në ato pak orë nuk i kishte pasur ‘dora masë’ siç thotë një fjalë e urtë popullore. “Shikoje se si i kanë prerë pemët, të mëdha dhe të vogla. Si ato talebanët që i ke lënë një kallashnikov në dorë dhe vrasin kush ti dalë përpara, edhe këta janë të armatosur me sharrë elektrike”, tregon mendueshëm Ermir Balla, student, kur shikon pemët të rrëzuara në tokë.

Mes hijeve të pemëve, dhe të rinjve të vendosur për të ruajtur këtë masiv pyjor, pas më shumë se katër orësh që kur kishim lënë Bulqizën përballë nesh, shfaqet më në fund “guri i Vashës”. Gocat shumë kurioze pyesin se pse “guri i Vashës”, nga se kishte ardhur një toponim i tillë. Të rinjtë e zonës kanë vetëm një version, gojëdhënë, që në pushtimin Osman të Shqipërisë, kur ushtarët kishin parë një femër që po kulloste bagëtitë kishin tentuar që ta përdhunonin, ajo ishte ngjitur në majë të shkëmbit; për të mos rënë në dorë të tyre ishte hedhur që aty dhe kishte vdekur. Prej asaj ditë ky shkëmb u quajt edhe si “guri i Vashës”.

“Burrnesha, tamam burrnesha”, shprehet Paola Naçe, që nga Erseka kishte ardhur të vizitonte “gurin e Vashës” në Bulqizë.

Gratë e kësaj zonë sot janë kthyer në një mburojë shumë të fuqishme për mbrojtjen e këtij masivi pyjor. Janë këto të fundit që kanë qëndruar disa ditë në mal, për të penguar koncesionarin që të shkatërrojë pasurinë e kësaj zonë, siç janë pyjet.

Syri të shikonte gjelbërim dhe pemë të larta në të gjitha anët. Shpirti gjen qetësi. Ushqimi shijon shumë më shumë, shoqëruar me ujin që rrjedh nga burimi, kristal i pastër dhe shumë i ftohtë. “Do të kishim shumë fitime nëse kjo zonë do ti shërbente turizmit. Por për fat të keq këta e kanë mendjen vetëm tek sharra. Këto alpe janë Valbona e dytë e Shqipërisë. Por edhe Valbonën e parë nuk po e lënë rehat Hec-et e këtej nga ne sharra”, na tregon Rolandi.

E në fund të një dite fantastike, duhej që rrugën që bëmë në ngjitje ta bënim nga e para, për t’u kthyer në qytetin e minatorëve, aty nga ku e nisëm rrugëtimin tonë. Por me një brengë, se mos dora shkatërrimtare vjen dhe e dëmton një mrekulli të tillë natyrore që këta banorë kishin vite që e ruanin.

Print