“Urbanizimi” dhe “zhvillimi” si terminologji joshëse

Sipas raportit të Agjencisë Evropiane për Mjedisin (EEA), zonat urbane në vendet në zhvillim do të thithin pjesën më të madhe të rritjes së popullsisë botërore, me 67% të njerëzve që jetojnë në qytete deri në vitin 2050. Shumica e rritjes pritet të jetë në mega-qytete, veçanërisht lagjet e të varfërve. Qytetet kompakte janë mënyra më efikase dhe ekologjikisht më e qëndrueshme për të siguruar mirëqenien e një popullsie në rritje.

Rritja urbane është aktualisht forca më e madhe e ndikimit në përdorimin e tokës në Evropë, ku zonat peri-urbane kanë arritur një “zhvillim” me katër herë normën e qyteteve dhe qytezave. Në këto tendenca, menaxhimi i integruar urban mund të rrisë elasticitetin mjedisor të qyteteve të Evropës, veçanërisht në lindje dhe në jug të saj.

Megjithëse një vend me një popullsi “modeste” në krahasim me analizat e mega-tendencave që ndërmerr Agjencia Evropiane për Mjedisin, Shqipëria është pjesë e tendencave që prekin vendet në zhvillim. Në 20 vitet e fundit tendenca ka qenë aq e qartë dhe në përputhje me tendencat Evropiane sa dhe projeksioni duket i njëjtë. Sipas të dhënave të INSTAT popullsia nga viti 2001 në vitin 2015 ka ndërruar vend nga dominancë rurale në dominancë urbane me një tendencë lineare progresive. Kështu, Shqipëria nga një vend rural me një popullsi 42% urbane dhe 58% rurale ka mbërritur në 15 vite në një vend me popullsi 57% urbane dhe 43% rurale me një stabilizim në vitin 2015.

Ashtu si dhe në analizën e EEA kjo lëvizje ka qenë drejt qyteteve të mëdha (kryesisht Tiranë, Durrës dhe Vlorë) dhe pikërisht në zonat peri-urbane, me një shtrirje të parregulluar nga ana urbane dhe aq më pak mjedisore në kuptimin e shërbimeve publike.

Sipas ASIG dhe CORINE landcover betonizimi i tokës në rajonet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës është shumë i lartë. Veçanërisht në Kamëz, një zonë dikur bujqësore me prioritet të qartë prodhimin bujqësor, betonizimi ka mbërritur në nivelin e 60% kundrejt rreth 30% bujqësore dhe rreth 10% natyrore.

Si një vend me prioritet të qartë bujqësor (23% e PBB), humbja e tokës, fragmentarizimi i mëtejshëm, humbja e aftësisë prodhuese për shkak të dëmtimit të sistemit të ujitjes, ndotja e mëtejshme nga presioni urban (mbetje dhe ujërat e përdorur), kundrejt kërkesës për më shumë prodhim e shoqëruar me përdorimin e skajshëm të kimikateve (kimikatet në bujqësi me rreth 60% ishin shqetësimi kryesor i qytetarëve në matjen e perceptimit publik ndërmarrë nga REC Shqipëri gjatë vitit 2015) me gjasë – nëse mund të shprehem - do të krijojë një Monako të re – por në një model kaotik - ku gjithçka do varet nga shitja e mallrave me pakicë tek njëri - tjetri.

Ashtu si në çdo vend në zhvillim, dhe në Shqipëri ka vend për elasticitet urban (urban resilience). Ka vend për urbanizim në përputhje me diturinë moderne mbi përdorimin e hapësirës, e cila mundëson jetë më cilësore pranë shërbimeve, por dhe një ndjesi natyrore në mjediset urbane. Shumë nga investimet, të cilat janë ndërmarrë për të krijuar idenë e “zhvillimit” modern me struktura urbane madhështore, shkojnë kundër logjikës reale të zhvillimit. Kështu rrugët kryesore, të japin idenë se janë shpëtimi për t’iu larguar sa më shpejt Shqipërisëm, sesa të ndihmojnë qytetarët në përmirësimin e jetës së tyre. Këto struktura i shkojnë tokës së vlefshme bujqësore kryq e tërthor duke prerë “venat” e nevojshme për një tokë bujqësore pjellore e vitale apo i presin mundësitë e jetesës shumë qyteteve që vareshin nga rrugët (të tilla si Puka, Fushë-Arrëzi, Mamurrasi, Miloti, Kavaja, Rrogozhinë dhe me gjasë Fushë-Kruja, Pogradeci e Shkodra në të ardhmen).

Në kushtet ku sektori i mjedisit në Shqipëri merr vetëm 0,44% të buxhetit të shtetit (buxheti 2015), mbrojtja e sipërfaqes natyrore, kujdesi për planifikim të integruar, kujdesi për shërbimet urbane si menaxhimi i ujërave të përdorur dhe të mbetjeve urbane, mund vetëm të integrohet në sektorët e tjerë. Ky integrim, për subjektin për të cilin po flasim është planifikimi urban – pikërisht në kohën kur po përgatiten planet urbane për 26 njësi vendore në vend –janë mundësitë për të vendosur kushte strikte urbane, të cilat krijojnë balancën e drejtë ndërmjet tokës për përdorim urban dhe asaj që mbështet jetën urbane.

Ka vend për një ndryshim thelbësor, minor në ndërhyrje, por thelbësor në përqasje. Ka të bëjë pikërisht me përdorimin e fjalës “zhvillim” i pronës apo tokës. Përdorimi i kësaj fjale është në kundërshtim me zhvillimin e integruar të territorit. Me zhvillim është përdorur rregullisht betonizimi i saj, ngritjen/nguljen e strukturave të përhershme, kësisoj ndryshimin e përhershëm të destinacionit të tokës.

Zhvillimi është progres në përkufizim, por në kontekstin shqiptar në asnjë rast kjo fjalë nuk ka sjellë zhvillim, por tjetërsim të tokës në betonizim dhe dëmtim të përhershëm të sipërfaqes. Vetë kjo fjalë duhet zgjedhuar në zhvillim të integruar ose të ndryshohet thelbësisht në te gjithë sistemin me “përdorim” të tokës. Në kontekstin e shoqërie, e cila për të njëjtin subjekt kupton dy gjëra të ndryshme dhe ka dy sjellje të ndryshme siç është fjala “plehra” dhe “mbetje”, ashtu dhe përdorimi i fjalës “zhvillim i pronës” dhe “përdorim i tokës” do të krijojë dy kuptime të ndryshme. Ashtu si fjala “mbarështim” i pyjeve dhe “menaxhimi” i pyjeve kanë kuptuar në kohë respektivisht, mirëmbajtjen e pyjeve kresisht për dru dhe përdorimin pyjeve si pasuri për mbështetjen e ekosistemit për produkte të larmishme, ashtu dhe përdorimi i termave të ndryshme në planifikim urban krijon përqasje të ndryshme në zhvillimin e integruar të territorit.

Në kushtet e ndryshimeve të klimës, zhvillimi i territorit përbën aspektin më thelbësor të mbrojtjes ekonomike dhe ruajtjes së pasurisë aktuale natyrore, e cila siguron ekonomi prodhuese dhe të ardhura. Zhvillim në kushtet e klimës do të thotë të “ndërtosh” laguna pranë detit, apo të mbjellësh sipërfaqe me pemë në buzë të lumenjeve, të cilat në vlerë ekonomike mund të jenë më fitimprurëse se një tufë pallatesh pranë këtyre territoreve. Nuk është e re të thuhet, se është momenti për përmirësim të brendshëm dhe ndalimin e shtrirjes së mëtejshme në territor “të virgjër”.

Print