• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Reç, aty ku agroturizmi dhe gështenjat po pasurojnë fshatin

Reç, aty ku agroturizmi dhe gështenjat po pasurojnë fshatin

Nga Elona Bedalli

Nga Tirana janë 102 kilometra që mund të përshkohen me makinë. Rrugët janë përmirësuar ndjeshëm dhe udhëtimi është më se i rehatshëm. Është një kohë shumë e shkurtër për t’u gjendur në një realitet tjetër, ku kupton se ora është ndalur, ku natyra është treguar e pakursyer dhe asgjë nuk është monotone. Destinacioni ynë ishte Reçi, një nga tre fshatrat kryesorë të Parkut Natyror Rajonal të Shkrelit (i shpallur dy vjet më parë, kategoria e 4-t IUCN), në Malësinë e Madhe. Shtrihet në të djathtë të rrugës Koplik – Dedaj, e cila ndahet mes Reçit dhe Razmës.

Rruga që të çon drejt fshatit me gjatësi 2 kilometra ka vetëm pak kohë që është rehabilituar dhe për banorët e zonës kjo është një ndihmë e madhe, e përditshmja e tyre është bërë më e lehtë.

Vjeshta me gjithë ngjyrat e saj e bëjnë këtë zonë vërtet mahnitëse për t’u vizituar. Të dyja anët e rrugës që të çojnë në qendër të fshatit janë të mbuluara nga pemë që e hijeshojnë edhe më shumë peizazhin. Shtëpitë e vogla, karakteristike e të kuruara me kujdes, ku dallohet më së miri ndikimi që kanë sjellë përvojat e emigracionit e bëjnë këtë vend edhe më tërheqës. Në qendër të fshatit, aty ky çdo 31 gusht bëhet një festë e madhe (Festa e Reçit) bien në sy gështenjat e moçme, që për banorët janë të shenjta, mosha mesatare e të cilave është 500-vjeçare. Por, gështenjat nuk janë të vetmet pasuri që ka kjo zonë, e cila së fundmi po kthehet në një trend për turizmin e fundjavës.

Në fshatin Reç jetojnë sot rreth 150 familje. Çdo pjesë e tij ka histori, tradita që ruhen me fanatizëm. Punojnë të gjithë nga më të vegjlit e deri te më të moshuarit, kush me bujqësi, kush me blegtori e kush me turizëm. Projekte të ndryshme qofshin ato gjermane, zvicerane apo edhe italiane kanë sjellë në këtë zonë përvoja dhe njohje që nxisin krijimin e një modeli të suksesshëm që bazohet tek ajo që ka falur natyra e që njeriu duhet veç ta ruajë.

Vetëm pak ditë më parë, Bashkia e Malësisë së Madhe, parku natyror Shkrel, projekti CABRA i GIZ (Ruajtja e Agrobiodiversitetit në Shqipërinë Rurale), Ministria e Mjedisit, Instituti i Resurseve Gjenetike dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës organizuan “Ditën e Agrobiodiversitetit” në Parkun Rajonal të Shkrelit. “Ky aktivitet u zhvillua në pyllin e Gështenjave të Reҫit, ku u prezantuan përmes një panairi vlerat e agrobiodiversitetit, mbarështimi i racave autoktone të blegtorisë, kultivimi i bimëve të arave dhe frutave, mënyrat e promovimit të produkteve nëpërmjet paketimit, etiketimit, shitjes për vizitorët nga vendi i origjinës drejt tregjeve lokale të fundjavës, por edhe potencialet turistike të nxitura nga vizitat në pyll, fshat, në ferma e baxho.

Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, tha se rehabilitimi i rrugës ka rritur mundësitë për turizmin malor, por edhe për produktet bujqësore dhe blegtorale që të arrijnë tregje më të mëdha. Sipas tij, panarirët janë një mundësi e mirë për të identifikuar prodhimet, siç janë: bimët mjekësore, gështenjat, bulmeti, por edhe resurset malore. Ai shtoi se duhet të vihet theksi te promovimi i këtyre vlerave dhe burimeve që do të zhduknin varfërinë dhe do të sillnin një zhvillim të qëndrueshëm. “Në Malësinë e Madhe, tha z. Marinaj, janë duke u realizuar investime të rëndësishme, siç është rehabilitimi i disa rrugëve, ndërtimi i pedonales së Razmës. Ndërsa qeveria është duke e mbështetur hartimin e planeve të reja vendore në pesë bashki në veri, që pritet të jenë gati në pranverë”. Drejtuesi i projektit CABRA, në GIZ dr. Ralph Peveling tha se biodiversiteti ofron shumë dhe se duhet të mbështetet me politika nxitëse. Sipas tij, bujqësia në zonën e Shkrelit gjithashtu karakterizohet nga një ofertë e pasur, por kërkohet që të bazohemi te trashëgimia, te produktet që garantojnë ushqim të shëndetshëm.

Ai tha se, për të siguruar përfitime më të larta, është i nevojshëm marketimi, i cili ndihmon që të njihen vlerat dhe të garantohet futja në tregje vendase dhe të huaja. Për dr. Peveling, investimi në këto zona është i rëndësishëm, banorët e zonës duhet të jenë të ndërgjegjshëm se përfitimet ekonomike nuk mund të jenë të shpejta, ato do të vonojnë pak në kohë. Dhe kjo, sipas tij, është një dukuri që ndodh kudo.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

Print