• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Këmbësorët në korsitë e biçikletave bëjnë një vesh shurdh ndaj zileve të çiklistëve

Këmbësorët në korsitë e biçikletave bëjnë një vesh shurdh ndaj zileve të çiklistëve

Ndërsa Tirana përpiqet të nxisë mënyrat e gjelbra të transportit duke shtuar korsitë e biçikletave, qarkullimi për të gjithë përdoruesit e dyrrotakëve në kryeqytet mbetet një sfidë. Ndarja e rrugës me makinat përbën një rrezik më vete për shkak të pakujdesisë së shpeshtë të shoferëve, parkimit buzë rrugës ku kalojnë biçikletat dhe hapjes së papritur të dyerve. Po aq pengesë për çiklistët në Tiranë janë këmbësorët të cilët ndonëse e dinë se korsia me tulla të kuqe i takon biçikletave, vendosin të ecin në të si alternativë ndaj trotuarit të populluar.

“Është shumë e rrezikshme dhe e vështirë të kesh një ecje të lirë me biçikletë sepse korsitë janë gjatë gjithë kohës të zëna. Ne ka raste që shpesh kalojmë në korsi të makinave dhe rrezikojmë jetën tonë,” tha për BIRN, Vojsava Asllanaj, një përdoruese e biçikletës në Tiranë.

Çiklistët ankohen se frekuentimi i gabuar i korsive të tyre nga këmbësorët i detyron ata të kalojnë në korsitë e makinave, duke u bërë burim aksidentesh.

Të pyetur nga BIRN këmbësorët që përdorin korsitë e biçikletave u shprehën se shpërqendrimi, por edhe nevoja për të nxituar ose për të ecur lirshëm, i shtyn të ecin në zonën e destinuar për biçikleta.

“Ka gjë vend për të ecur aty nëse unë e kam me shpejtësi? Unë jam e vetëdijshme që po eci aty dhe jam e vetëdijshme që po bëj gjënë e gabuar,” tha për BIRN një qytetare.

Tirana ka tashmë korsi të biçikletave në disa prej rrugëve të saj kryesore. Bashkia ka njoftuar se në vitin 2017 planifikon të shtojë 10 kilometra korsi për biçikletat si mënyrë alternative ndaj përdorimit të makinës, por edhe për një stil jetese më të shëndetshëm. Korsitë do të krijohen në rrugën nga qendra drejt Kinostudios dhe nga qendra drejt Kombinatit.

Bulevardi Zogu i Parë, unaza e vogël, Bulevardi Dëshmorët e Kombit dhe rruga e Kavajës janë më problematiket.

Për të gjithë këmbësorët, çiklistët japin këto mesazhe sensibilizuese për lirimin e korsive.

“Ashtu sikurse unë zgjedh të eci në korsinë e dedikuar dhe nuk eci në rrugën e makinave, as në trotuar, edhe ata duhet të ecin në trotuar,” tha për BIRN Enkelejda Mema, përdoruese e biçikletës në kryeqytet.

Print