• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Bujqësia e mbështetur mbi kultivimin e drurëve, rrit fiksimin e karbonit dhe bashkëprodhimin e ushqimit dhe e bioenergjisë

Bujqësia e mbështetur mbi kultivimin e drurëve, rrit fiksimin e karbonit dhe bashkëprodhimin e ushqimit dhe e bioenergjisë

Praktikat aktuale bujqësore ushtrohen përgjithësisht në tokat më të mira të vendit dhe nuk kanë kapacitet të përdorin potencialin që u ofron ekosistemi. Toka duhet punuar çdo vit dhe duhen trajtuar me kimikate për mbrotjen nga dëmtuesit. Bimët njëvjeçare nuk arrijnë të përdorin energjinë diellore gjatë muajve të pranverës, përdorin më pak ujin e tokës, për shkak të sistemit rrënjor të cekët. Përparësia aktuale që i është dhënë bimëve njëvjeçare për ushqim në bujqësinë tonë ka rezultuar në prishje të ekuilibrit në ekosistemet kryesore të vendit. Ka degradim e shkatërrim të ekosistemeve malore e lumenjeve, që rrezikojnë përmbytje sistematike të fushava të destinuara për bujqësi.

Sistemi aktual bujqesor i bazuar në kulturat sezonale të drithërave nuk e përdor plotësisht potencialin e tokës dhe diellit, duke qëndruar sterile dhe jo fotosintetike për pjesë të konsiderueshme të sezonit me rrezatim të bollshëm diellor për shkak të nevojës së punimit të përvitshëm të tokës dhe procesit të rimbjelljes së kulturave bujqësore sezonale. Aplikimi i bujqësisë me drurë shumëvjeçare për prodhimin e ushqimit intensiv rezulton tashmë si një mundësi reale. Specie të veçanta dhe sistemet që do të lejojnë prodhimin e ushqimit të barabartë me atë të bimëve njëvjeçare, plus prodhimin e fibrave të drurit janë diskutuar. Këto modele përfshijnë mekanizimin e punës në shkallë të madhe, si dhe alternativat e punës së krahut.

Të dhënat paraprake të rendimenteve janë premtuese, prodhimi i njëkohshëm i ushqimit dhe drurëve për ngrohje nga tokat më të mira bujqësore mund të kontribuojë shumë për të lehtësuar krizën aktuale të përmbytjeve të vazhdueshme, shaktërrimit të ekosistemeve malore dhe mungesën e theksuar të drurit për ngrohje dhe do të lehtësojë presionin mbi pyjet malore, tashmë në degradim. Kjo mund të kontribuojë shumë në stabilizimin e nivelit të pasqyrës ujore dhe tokave, si dhe në zbutjen e pasojave aktuale të ndryshimeve klimatike, qe vendi po i paguan me kosto shumë të larta. Gjithashtu kjo është një mundësi për të rritur më tej karbonin e sekuestruar në pyjet malore, të cilët duhen lënë të qetë për të realizuar rehabilitimin e tyre.

Parimet bazë të bujqësisë drunore

Për arsye se bimët drunore kanë degë të përhershme që i mbajnë gjethet, në pjesët e hershme të sezonit të rritjes nuk kanë nevojë për të krijuar strukturat që realizojnë fotosintezën. Struktura që përdor diellin është e gatshme dhe nuk humbet asnjë çast në fillimin e procesit të fotosintezës. Në rajonet e ngrohta shumica e rrezatimit diellor vjetor e gjen tokën të zhveshur, pasi bimët njëvjeçare nuk arrijnë të mbijnë e të krijojnë sistemin e përdorimit të rrezatimit. Kjo ështëarsyeja e avantazheve të bimëve drunore për të grumbulluar më shumë rrezatim diellor.

Përfitime shtesë

Ka shumë përfitime, si dhe impakte shumë të rëndësishme që bujqësia e bazuar mbi kultura drunore do të siguronte për vendin tonë, që në fakt nuk janë evidentuar deri më tani. Reduktimi direkt i përdorimit të naftës dhe karburanteve të tjera që përdoren aktualisht për punimin e përvitshëm të tokës. Bimët drunore kërkojnë të punohet toka për të bërë rimbjelljen e tyre në çdo 25 apo edhe 100 vjet. Pas mbjelljes toka nuk paraqet nevojë për punim të përgjithshëm, së paku tre vitet e para. Sasia mesatare e naftës për të punuar një hektar tokë në pranverë, në varësi të mjeteve dhe gjendjes së tokës varion nga 61 litër deri në 80 litër për hektar. Nëse konvertohet kjo naftë e djegur në lëshim të karbonit në atmosferë, shihet ndikimi kompleks i punimit të përvitshëm të tokës. Bimët drurore kanë një efket të jashtëzakoshëm pozitiv në pakësimin e erozionit, si dhe në pasurimin e shtresave të sipërme të tokës me lëndë ushqyese dhe humus. Në praninë e drurëve e rrënjëve toka mbetet me kapacitet më të lartë thithës të ujit. Kjo i shton rezervat e ujit dhe furnizimin e bimëve drunore me ujë në të ardhmen.

Bujqësia e bazuar në drurët shumëvjeçare kërkon më pak plehërim, pasi sistemi rrënjor mundëson përdorim të plehrave deri në thellësi.

Përfitime të veçanta për kushtet e vendit tonë

Mundësia vjetore për të prodhuar drurin për ngrohje në Shqipëri është aktualisht rreth 3 herë më pak se sa nevojat që kanë familjet shqiptare për grohje. Përfitimi shtesë në kushtet në të cilat ndodhet vendi ynë është prodhimi i njëkohshëm i ushqimit dhe lëndës ngrohëse.

Mungesa e drurit për ngrohje në vendin tonë përbën një barrë të rëndë, si për popullin, të cilit pas moratoriumit për pyjet, i janë mbyllur të gjitha shtigjet për të siguruar drurin për dimër, ashtu edhe për pyllin malor, i cili aktualisht ka falimentuar. Jemi dëshmitarë të pasojave që ka sjellë shkatërrimi i pyllit shqiptar në degradimin e tokave bujqësore kodrinore, në shtimin e pakontrollueshëm të përmbytjeve dhe shkatërrimin e përvitshëm të kulturave bujqësore, si edhe në mbushjen e rezervuarëve në lumenjtë që prodhojnë shumicën e energjisë elektrike për vendin.

Investimet që po bëhen në mënyrë spontane për të rithyer pyjet malorë, tashmë të shaktërruar, mund të japin efketivitet shumë më të lartë, nëse bëhen për të mbjellë kultura drunore e frutore në zonën fushore, ku në kohë shumë të shkurtër arrijnë të prodhojnë sasi të madhe të biomasës.

Avantazh tjetër shtesë në kushtet e vendit tonë është rezistenca e kulutrave drunore karshi thatësirës, e cila në kushtet e ndryshimeve klimatike pritet të godasë Shqipërinë. Bimët njëvjeçare janë shumë të ndjeshme ndaj thatësirës. Pritet që zonat ku aktualisht kultivohen kulturat njëvjeçare të jenë objekt i shtimit të thatësirës. Këto kultura janë shumë të ndjeshme ndaj thatësirës, veçanërisht në kohën e mbirjes së farërave, çka çon në humbjen e tërë prodhimit vjetor. Pra, në sajë të sistemit rrënjor të fuqishëm e të thellë, bimët drunore janë zgjidhje për të evituar pasojat e ndryshimeve klimatike në kuluturat bujqësore aktuale njëvjeçare.

Masivet e mbjella me lajthi në Visokë të Mallakastres para Luftës së Dytë Botërore, si dhe prodhimet e realizuara nga gështenjat e kultivuara në Reç të Shkodrës, kanë demonstruar se mund të sigurojnë të ardhura të konsiderueshme për familjet e këtyre zonave. Këto kultivarë kanë demonstruar një përshtatje shumë të mirë në kushtet ekologjike të vendit tonë, si dhe shije të frutave dhe kapacitete prodhuese premtuese.

Print