Turizmi i duhur për Divjakën

Turizmi natyror, në ndryshim nga turizmi masiv, kërkon ekosisteme natyrore të ruajtura dhe menaxhuar mirë e në mënyrë të kujdesshme ku pejsazhi natyror të jetë dominues. Ky turizëm është elitar, i qëndrueshëm në kohë dhe fitimprurës për ekonomitë e vogla vendore. Turizmi natyror është i shtrirë në kohë dhe kërkon "guest house" të vogla, mikpritëse dhe të pasura me ngjyrat vendore. Kërkon infrastrukturë të lehtë dhe në harmoni me natyrën, Kërkon natyralitetin e Divjakës, qetësinë e Nartës, pejsazhin e Valbonës, gjelbërimin ujor të Shkodrës dhe mikpritjen e shqiptarit. Kërkon guidat vendore dhe njohuritë e tyre për natyrën, trashëgiminë historike dhe kulturore.

Nuk kërkon ndërtesat e larta e të mëdha që verbojnë me dritat e mbyten nga zhurmat. Nuk kërkon rrugët me katër korsi, trafikun, zhurmën dhe pafundësinë e turistëve vetëm në dy muajt e verës. Nuk kërkon hotelet e stërmëdha, apartamentet e shumta që dominojnë bregun.

Turizmi natyror është tashmë pjesë e tregut global dhe për të qenë konkurues duhet të ruajmë sa më fort traditat tona kulturore dhe historike, të ruajmë natyralitetin e ekosistemeve, të zhvillojmë kapacitetet njerëzore dhe të ofrojmë shërbimet e duhura ku natyra, historia, kultura, kulinaria etj të jenë një produkt i integruar.

Shqipëria që ruan këtë integritet të vetin, do të jetë dhe Shqipëria turistike e qëndrueshme dhe e shumëkërkuar nga tregu. Kjo është Shqipëria më e mirë e së ardhmes. Le të heqim dorë nga turizmi masiv. Shqipëria e ka provuar dhe nuk na ka dhënë kurrë sukses afatgjatë ! Le të zgjedhim turizmin natyror dhe të qëndrueshëm.

Print