• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Raporti botëror: Shqipëria, më e rrezikuara në Europë nga fatkeqësitë natyrore

Raporti botëror: Shqipëria, më e rrezikuara në Europë nga fatkeqësitë natyrore

Shqipëria është vendi më i rrezikuar në Europë nga fatkeqësitë natyrore, shkruan raporti botëror i riskut 2017, i sapo publikuar. Me një normë në 9.93%, që indekson nivelin e riskut, Shqipëria është kështu vendi më i rrezikuar në kontinentin e vjetër, gjë që duket qartë edhe nga harta. Në nivel global ndërkohë, vendi ynë renditet i 39-ti, ndër 171 shtete të ndryshme, në një renditje ku vendi i parë është më i rrezikuari dhe vendi i fundit më pak i rrezikuari.

Madje, vendi ynë ka bërë hapa prapa edhe në krahasim me një vit më parë, kur renditej e 40-ta dhe me një normë risku në 9.5%. Performancën më të keqe vendi ynë e regjistron në drejtim të nën-indikatorit që i referohet menaxhimit të situatës në rast fatkeqësish natyrore, me një normë në 74%. Madje, në këtë drejtim, Shqipëria ka bërë hapa prapa, pasi një vit më parë rreziku fiksohej në 73%.

Harta ndërkohë, tregon se, në grupimin e vendeve që janë në rrezik, e ku përfshihet edhe Shqipëria, janë vetëm dy shtete të tjera, Holanda dhe Serbia. Por, në të dyja rastet, norma e rrezikut është ndjeshëm më e ulët se në vendin tonë.

Raporti merr në vlerësim të gjitha kriteret, si ekspozimin ndaj të gjitha llojeve të fatkeqësive natyrore, menaxhimin e këtyre situatave, vulnerabilitetin, apo aftësive parandaluese.

Disa raporte të njëpasnjëshme, të publikuara së fundmi, nënvizojnë faktin se, ekonomia shqiptare në tërësi është në rrezik të lartë nga moti.

Print