• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Dyndja drejt qytetit shpopullon fshatrat, si po tkurret popullsia rurale në Shqipëri

Dyndja drejt qytetit shpopullon fshatrat, si po tkurret popullsia rurale në Shqipëri

Popullsia rurale në Shqipëri po pëson tkurrje vit pas vit. Në vitin 2016 popullsia që jetonte në fshat përbënte rreth 42 për qind të totalit. Në harkun kohor të 10 viteve, popullsia që jetonte në fshatra u zvogëlua me 20 për qind (shiko grafikun). Aktualisht Shqipëria renditet e dyta në rajon pas Malit të Zi për përqindjen më të ulët të popullsisë rurale, shkruan Monitor. Nga të dhënat e përpunuara nga ourworldindata.org, vetëm 36 për qind e popullsisë jeton në zonat rurale në Malin e Zi.

Në Maqedoni ky raport është 43 për qind, ndërsa në Serbi 44 për qind. Më shumë se gjysma e popullsisë në Bosnje Hercegovine, 60 për qind, jeton në zonat rurale.

Për Kosovën mungojnë të dhënat në portal, por sipas llogaritjeve nga të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2011, popullsia rurale e Kosovës përllogaritej të ishte 61 për qind (më e larta për të gjithë rajonin).

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë vende bujqësore, por që kohët e fundit po përballen me fenomenin e migrimit, nga fshati në qytet, por edhe në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore. Në këtë të fundit Shqipëria mban vendin rekord të emigrimit të popullsisë.

Ndër faktorët kryesorë për pakësimin e popullsisë rurale është edhe urbanizimi, proces i cili ka të bëjë me transferimin e popullsisë nga fshati në qytet.

Tjetër shqetësim, përpos largimit të popullsisë rurale nga fshati është se në përgjithësi popullsia e larguar nga zonat rurale është e re në moshë, ndërsa në fshatra kanë mbetur pleqtë, duke ndikuar drejtpërdrejtë në produktivitetin e këtyre zonave.

“Eksodi rural” sipas teorive moderne është argumentuar me industrializimin e bujqësisë, ku për të njëjtin sasi të prodhuar kërkohen më pak njerëz. Por tjetër arsye e “eksodit rural” është edhe mungesa e shërbimeve si ndërmarrjet afariste apo shkollat, të cilat çojnë në shpërnguljen e tyre në kërkim të shërbimeve të munguara.

Aktualisht në të gjithë botën popullsia rurale përbën 46 për qind të totalit të popullsisë. Në 2016-n popullsia përllogaritej 7.6 miliardë banorë prej të cilëve 3.3 miliardë jetonin në zonat rurale.

Print