• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • National Geographic rendit Shqipërinë mes udhëtimeve më të mira për vitin 2018

National Geographic rendit Shqipërinë mes udhëtimeve më të mira për vitin 2018

Revista ikonike e udhëtimeve, natyrës dhe jetës së egër, ‘National Geographic’ ka publikuar listën e udhëtimeve më të mira që duhen ndjekur në vitin 2018. Mes 21 vendeve të përzgjedhura për aventurën, rrugëtimin, ushqimin dhe jetën vibrante, revista ka përzgjedhur edhe Shqipërinë. Vendi ynë përfaqësohet me një fotografi të Elaine Ferrito Calip, i cili ka kapur momentin kur një zhytës eksploron një ngarkesë me amfora të epokës romake, të mbetura nga një anije e përmbytur.

 “Përse të shkosh tani? Zhytuni në ujëra relativisht të paeksploruara”, shkruan National Geographic, duke këshilluar të apasionuarit pas sportit ekstrem të mos hezitojnë për të bërë një vizitë në Shqipëri.

“Kanale të lashta të mbytura, anije të prishura dhe shpella të vizituara shumë rrallë janë një nga pak thesaret relativisht të paprekura që presin zhytësin në Shqipëri. Dekada izolimi nën liderin komunist Enver Hoxha limituan zhvillimin dhe padashje ruajtën trashëgiminë kulturore nënujore, veçanërisht pranë bregut jugor”, shkruan artikulli.

Revista jep edhe një kuriozitet në lidhje me temën, duke treguar se Hoxha kishte ndaluar zhytjen nënujore në mënyrë që të parandalonte shqiptarët të arratiseshin.

Bashkë me Shqipërinë, vendet e tjera që shoqërohen nga fotografi mahnitëse janë edhe: Harar në Etiopi; Provinca Jujuy në Argjentinë; Tbilis në Gjeorgji; Sidnei në Australi; Oaxaca në Meksikë; Viena në Austri; Bregu verior i Oahu në Havai; Malmo në Suedi; shtegu jordan; Dublini në Irlandë; Madagaskari; Santiago në Kili; Phnom Penh në Kamboxhia; Cleveland në Ohio; Tetouan në Marok; Parku Kombëtar Seoraksan në Korenë e Jugut; San Antonio në Texas; Labrador në Kanada; Friesland në Holandë dhe Parku Kombëtar Ruaha në Tanzani.

Bie në sy fakti që nuk janë përfshirë në listë vende tradicionale për turizmin si Spanja, Italia dhe Greqia. Për të lexuar artikullin e plotë kliko këtu.

Print