• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Fëmijët shqiptarë pas viteve ‘90 kanë hipur në një tren të vërtetë vetëm në “Luna Park”

Fëmijët shqiptarë pas viteve ‘90 kanë hipur në një tren të vërtetë vetëm në “Luna Park”

Para viteve ’90 transporti hekurudhor ishte mjeti kryesor i transportit, pas këtyre viteve ky lloj transporti zëvendësohet nga ai rrugor. Nostalgjia të shtyn shpesh të kthehesh në vite dhe kështu mund të arrish të bësh një krahasim: “si ka qenë dhe si është”. Linjat e para hekurudhore në Shqipëri ishin linjat minerare dhe ato ushtarake, ndërtuar nga austro-hungarezët dhe italianët. Sistemi hekurudhor arrin përmasat 677 km në vitin 1987, në vitin 2016 vetëm 440 km linjë hekurudhore janë pranuar nga instancat e shtetit si ekzistuese.

Rrjeti hekurudhor shqiptarë fillon nga porti i Durrësit dhe shkon në tre drejtime: në veri deri në Hanin e Hotit, në jug deri në portin e Vlorës dhe në lindje drejt Pogradecit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës tregojnë se hekurudha shqiptare ka në inventarin e saj 66 vagonë udhëtarësh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva. Sipas Institutit të Transportit për vitin 2016 në krahasim me vitin 2012 kemi një rënie në masën 50% të transportit të udhëtarëve dhe të mallrave, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Në formë subvencionesh shteti akordon rreth 4 milionë euro për aktivitetin e operimit dhe 3.5 milionë euro për investime kapitale.

Në infrastrukturë, linja hekurudhore shqiptare, sipas ekspertëve të huaj (Komisioni Evropian, “Plani Kombëtarë i Transportit” faza e dytë e studimit realizuar nga kompania kombëtare Louis Berger, Shqipëri) përcaktohet se është ndërtuar në kushte optimale, përsa i përket trasesë së saj. Ky kusht është stimulues për ta rinovuar atë, me mbishtresën ballast-çakëll dhe shina. Prishja e sistemit kullues në mbarë vendin ka qenë e disfavorshme edhe për trasenë e hekurudhës, ku gjatë këtyre viteve askush nuk ka punuar për drenazhimin e saj dhe për krijim e kushteve për largimin e ujërave masive, që shpesh herë e kanë çarë trasenë. Gjithashtu ekspertët shtojnë se investimi në hekurudhën shqiptare duhet të fillojë gradualisht, duke përmirësuar gjendjen e traseve ekzistues dhe zëvendësimin e trenave si të mallrave dhe atë të udhëtarëve, duke vendosur trena më të lehtë dhe shpejtësia e tyre të jetë 100 km/orë.

Ndërkohë në programin e qeverisë aktuale gjejmë: “Hekurudha nuk do të lihet më të lëngojë, do të punohet për zhvillimin e trenave të frekuencës së lartë në territoret më të populluara, sikundër se do të modernizohet dhe do të rritet siguria e të gjithë rrjetit hekurudhor shqiptar. Prioritet do të ketë edhe lidhja me rrjetin hekurudhor Maqedonas, Portin e ri të Vlorës, portin e Porto-Romanos dhe portin e ri të Shëngjinit”. Çdo mjet transporti lëshon në mjedis gjithë ato çka ai prodhon gjatë orëve të punës. Konkluzionet e shumë studimeve nëpërmjet provave të kryera dhe llogaritjeve të realizuara kanë arritur në përfundimin se: transporti i makinave ndot mjedisin në masën 75-90% krahasuar me ndotësit e tjerë. Megjithatë edhe trenat e ndotin mjedisin duke çliruar CO2 apo elementë ujorë të karbonit, ndotje akustike, shtojnë kostot financiare në fazë rehabilitimi dhe mirëmbajtjeje, apo zënien e truallit ku shtrihet traseja. Ekspertët dhe mjedisorët përkrahin transportin hekurudhor, në krahasim me atë rrugor, pasi ndotja e këtij të fundit është më e madhe. Ndotja e mjedisit si dhe trafiku i rënduar rrugor, s’është problem vetëm për aksin Tiranë-Durrës apo akse të tjerë, por shtrihet edhe më tej.

Në këndvështrimin në perspektivë të energjisë dhe transportit për vendet e Komunitetit Evropian është parashikuar 50% rritje në transportin e udhëtarëve dhe 80% rritje në transportin e mallrave nga viti 2000-2030. Pjesa me e madhe e rritjes së këtij transporti do të përballohet nga rrugët. Mesatarja e kilometrave e përshkuar nga një qytetarë i BE-së për vitin 2030 do të jetë 14.000 km, nga 10.000 km që ishte në vitin 2000. Nëse në të ardhmen qeveria do të investojë në përmirësimin dhe nxitjen e transportit hekurudhor në Shqipëri, do të përmirësohet dukshëm trafiku i rënduar në akse kryesore, do të shmanget transporti i mallrave me kamionë të tonazhit të lartë, të cilët dëmtojnë në shumë raste rrugët ku kalojnë, si edhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit të qyteteve. Ndoshta që tani duhet të mendojmë të organizojmë ekskursione informues-edukues, ku fëmijët e shkollave mund të shohin nga afër një tren udhëtarësh apo mallrash, pasi i kanë parë ata vetëm nëpër filma, revista, libra apo kanë luajtur në një tren lodër në Luna Park.

Print