• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • REC Shqipëri akreditohet për modulet e trajnimit në fushën e edukimit për zhvillimin e qëndrueshëm

REC Shqipëri akreditohet për modulet e trajnimit në fushën e edukimit për zhvillimin e qëndrueshëm

Nevoja për një edukim sa më të plotë dhe shumë dimensional parashtrohet sot, jo vetëm si një alternativë për të patur individë më të qytetëruar, por edhe si një zgjidhje e vetme për të sfiduar problematikën e shumëllojshme me të cilën përballemi. Problemet mjedisore në nivel global dhe lokal e bëjnë Edukimin për Mjedisin dhe për Zhvillimin e Qëndrueshëm, një ndër dimensionet më të theksuara në përmbajtjen dhe trajtimin e formave të ndryshme të edukimit, si në edukimin formal dhe atë jo formal.

Institucionet e edukimit formal luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve që në moshë të vogël, duke dhënë njohuri dhe duke ndikuar në mënyrën e qëndrimit dhe të sjelljes. Është e rëndësishme që të gjithë nxënësit dhe studentët të marrin njohuritë e duhura mbi edukimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të jenë të informuar për ndikimin që kanë vendimmarrjet që nuk mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm. Çdo institucion edukativ, në tërësinë e tij, duke përfshirë nxënësit dhe studentët, mësuesit, pedagogët dhe pjesën tjetër të personelit, si dhe prindërit, duhet të ndjekë parimet e sjelljeve miqësore me mjedisin.

Edukimi Mjedisor dhe ai për Zhvillimin e Qëndrueshëm është një proces që zgjat gjithë jetën: fillon nga fëmijëria e hershme, në edukimin e brezave të rritur dhe shkon më tej se edukimi formal. Vlerat, të tilla si mënyra e jetesës dhe qëndrimet fitohen që në fëmijëri, prandaj roli i edukimit është i një rëndësie të veçantë sidomos për fëmijët. Ai duhet të përshkojë programet mësimore në të gjitha nivelet, duke përfshirë edukimin profesional, trajnimin për mësuesit dhe edukimin e vazhdueshëm për profesionistët.

Duke vlerësuar përvojën e gjatë që Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) ka në këtë fushë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, përmes Komisionit të Akreditimit të Programeve të Trajnimit, akreditoi REC Shqipëri për modulet e trajnimit të ofruara në fushën e edukimit mjedisor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm.

Dy modulet e akredituara janë: - “Edukimi mjedisor përmes Paketës së Gjelbër”, e futur si kurrikul e plotë për edukimin mjedisor në të gjitha shkollat 9-vjeçare të Shqipërisë, prej vitit 2007 [http://education.rec.org/]. - “Edukimi për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, përmes Paketës edukuese për të Rinjtë (Teen Pack), që synon të fuqizojë edukimin, të ngrejë kapacitetet dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi zhvillimin e qëndrueshëm duke u future si kurrik në shkollat e mesme dhe ato profesionale [http://seedling.rec.org/].

Në vazhdim, REC Shqipëri parashikon që gjatë vitit 2018 të zhvillojë një sërë trajnimesh në fushën e edukimit mjedisor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, me mësuesit e arsimit parauniversitar, kjo në të gjitha qytetet e vendit. Gjithashtu, në vitin e ri akademik 2018-2019, REC Shqipëri do të prezantojë për sistemin arsimor shqiptar dy paketa të reja edukative: “Paketa e Gjelbër Junior” për ciklin fillor dhe “Paketa e të Rinjve” për nxënësit e shkollave të mesme.

Datat e trajnimeve dhe vendi përkatës do të bëhen publike nëpërmjet faqeve të internetit https://trajnime.arsimi.gov.al; http://albania.rec.org dhe http://www.mjedisisot.info ku të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtyre trajnimeve.

Print