• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Prrenjas, bashkëpunim dhe investime për mjedisin

Prrenjas, bashkëpunim dhe investime për mjedisin

Bashkia e Përrenjasit këtë vit ka një program shumë të rëndësishëm për mjedisin. Kryebashkiakja Miranda Rira po intensifikon përpjekjet dhe po orienton objektivin e punës së saj drejt mjedisit, për një zhvillim të qëndrueshmë dhe bashkëpunim me komunitetin. Rira thotë se projektet kanë hyrë në një fazë të rëndësishme, ku më konkretisht përmendim një investim për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza, të cilat derdhen në rezervuar.

Kryebashkiakja thotë se, në bashkëpunim me Ambasadën Sllovene, Bashkia Përrenjas po bashkëfinancon në vlerën 8.000.000 lekë të rinj në këtë projekt. Bashkëfinancimi për ujërat e zeza të qytetit Përrenjas, do të bëjë që të marrë fund ndotja e liqenit, në të cilin rriten peshq për konsum, ndërkohe që qytetarët e shfrytëzojnë edhe gjatë verës për argëtim.

Një tjetër projekt është ai i bimëve medicinale, për vjeljen, grumbullimin dhe shitjen e bimëve mjekësore tanifere eterovajore natyrore, projekt që kap vlerën 2.000.000 lekë të rinj.

Ndërkohë, që investim shumë i rëndësishëm është dhe ripyllëzimi i kurorës së gjelbër të qytetit, e cila u dogj në vitin 2008. Vlera e këtij projekti shkon në 18.000 000 lekë të rinj. Dikur, kurora e pishave të qytetit u dogj nga njerëz të papërgjegjshëm, me qëllimin për të ndërtuar shtëpi banimi, por ky investim do t’i japë mundësinë e gjelbërimit kësaj kurore, duke e kthyer në një atraksion turistik. Madje, vlen të theksohet dhe bashkëpunimi me organizatën mjedisore Egnatia, e cila po bashkëpunon ngushtë me bashkinë në cështjet e mjedisit.

Sipas Drejtorit të Mjedisit në bashki, Kujtim Myzyri, do të mbillen 12 ha në pjesën e kurorës së gjelbër të qytetit, me fonde të Qeverisë Shqiptare. “Do të mbillen 30.000 fidanë pishë e zezë, ndërkohë që po presim fillimin e një projekti të ri të mbështetur nga fondet e BE-së për mbjelljen e 12 ha hapësirë në Qafë-Thanë me 30.000 fidanë të tjerë pishë e zezë. Në kurorë e qytetit punimet janë në proces, dhe pylli i pishës që pritet të krijohet në të gjithë sipërfaqen prej 24 ha, do të mundësojë pastrimin e 240 litrave dioksid karboni”, përfundon Myzyri.

Organizata Egnatia është e angazhuar në monitorimin e vazhdueshëm të punës së bashkisë Përrenjas në fushën e mjedisit, kjo dhe në kuadër të projektit “Informim-Komunikim Mjedisor për një Zhvillim të Qëndrueshëm”, mundësuar përmes programit SENiOR-II zbatuar nga REC Shqipëri dhe mbështetur nga Qeveria Suedeze.

Print