• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Dëme të mëdha në fondin pyjor, kallëzohet kryeinspektori i Beratit

Dëme të mëdha në fondin pyjor, kallëzohet kryeinspektori i Beratit

Kryeinspektori i ISHMP Berat, Altin Kazazi, është kallëzuar penalisht nga Ministria e Mjedisit, pasi akuzohet për shpërdorim detyre. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit sqaron se ka çuar për ndjekje penale Kazazin, pasi grupi i inspektimit ka zbuluar një dëm të konsiderueshëm në një sipërfaqe prej 197 ha në fondin pyjor, për të cilën kryeinspektori nuk ka marrë asnjë masë.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet ISHMP-së çon për ndjekje penale kreun e inspektoriatit të Beratit, Altin Kazazi, me akuzën për shpërdorim të detyrës. Vendimi është marrë pas një inspektimi të hollësishëm në terren ku janë konstatuar nga afër shkeljet ligjore si dhe pas verifikimit të dokumentacionit. Grupi i punës ka konstatuar se mosveprimet e të akuzuarit kanë sjellë një dëm të konsiderueshëm në një sipërfaqe prej 197 ha në fondin pyjor.

Nga inspektimi rezulton se nuk është bërë vlerësimi i subjekteve që ushtrojnë aktivitet brenda koordinatave të miratuara në lejet minerare, leje mjedisore dhe se kryeinspektori i Beratit nuk është marrë asnjë masë me dënim për kundravajtje administrative apo verifikim dhe inspektim të subjekteve që ushtrojnë veprimtari brenda territorit të qarkut Berat.

Në letrën drejtuar prokurorisë Tiranë kryeinspektori i komanduar i ISHMP-së dhe njëherësh sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, z.Plarent Ndreca argumenton shkeljet e njëpasnjëshme që janë vënë re gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e shtetasit Kazazi, në pozicionin e kryeinspektorit rajonal të Beratit.

“Të vendosur në tolerancën zero ndaj personave përgjegjës përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre, veçanërisht kur këta të fundit mbajnë mbi supe përgjegjësinë e përmbushjes së detyrës, ISHMPU e çmon si të domosdoshëm denoncimin pranë organeve përkatëse të ndjekjes penale. Duke qenë të bindur në luftën ndaj këtyre fenomeneve ne çmojmë se veprime të tilla dëmtojnë rëndë marrëdhëniet juridike të vendosura për mbrojtjen dhe mirëfunksionimin e shtetit ligjor të Republikës së Shqipërisë”- shkruhet në letrën drejtuar Prokurorisë.

Krahas kallëzimit penal, grupi i inspektimit ka pezulluar edhe punimet e të gjitha subjekteve të inspektuara të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në fondin pyjor e kullosor në fushën e shfrytëzimit të mineraleve me karrierë, dhe galeri dhe gurë gëlqerorë deri në plotësimin e plotë të dokumentacionit ligjor.

Print