Gramshi turistik, Sotira kurora e tij

Fshati Sotirë, në jug-perëndim të qytetit të Gramshit është listuar në 100 fshatrat turistikë shqiptarë, që do të kenë një akses të veçantë ekonomik në vitet që vijojnë. Zona e Gramshit mbart një potencial të mëdha turistike në shtrirjen gjeografike të saj sidomos ajo e gjendur në rrjedhën e dy lumenjve Devoll dhe Holtë. Në rrjedhë e Holtës janë kanionet e famshme të Holtës të formuar në kohë gjeologjike nga procesi i erozionit.

Kanioni është 3 km i gjatë, 350 metra i lartë dhe 10 metra i gjerë, është i përbërë nga shpella të shumta që ende nuk janë eksploruar nga udhëtarët aventurierë. Stalaktitet dhe stalagmitet kanë krijuar një vend të rrallë për t’u vizituar. Por, në këtë trevë ndodhen dhe disa liqene akullnajorë si Liqeni i Zi që përbën një tjetër destinacion për t’u vizituar. Ai është krijuar nga akullnajat dhe klima malore. Liqeni rrethohet nga malet me pisha duke i dhënë atij një pamje madhështore.

Për shkak të mineraleve të shumta që ka nën të, ai ofron veti kuruese sidomos në javët e para të muajit gusht. Në këtë periudhë, numri i vizitorëve rritet mjaftueshëm. Po në këtë zonë është dhe Grabova, që njihet për historinë e saj e cila përfshin lidhjet mes dy perandorive, romake dhe bizantine. Ajo pati një zhvillimi të shpejtë ndërmjet shekujve XIV dhe XVII. Zona është e njohur për bukurinë, duke përfshirë peizazhin malor, kishat e lashta, urat shekullore e të tjera.

Rruga e Re Gramsh Moglicë, ku po ndërtohet dhe një nga hidrocentralet me digën më të lartë në botë në llojin e vet, kanë lehtësuar komunikimin në këto zona historike e piktoreske, por dikur të izoluara. Por mbi të gjitha, kur përmend Gramshin, mendja shkon te ujëvara e Sotirës, një nga monumentet më të bukura natyrore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Jo më kot ajo është quajtur dhe “Niagara e Vogël”. Kjo ujëvarë ndodhet rreth 16 km larg qytetit të Gramshit dhe për të shkuar deri atje është shumë e vështirë prej rrugës së amortizuar e cila bëhet gati e pa kalueshme në periudhën e ftohtë të dimrit. Ujëvara e Sotirës ndodhet rrëzë malit të Tomorit dhe u ka shërbyer banorëve të zonës për çlodhje apo e kanë shfrytëzuar këtë burim hidrik për bujqësinë dhe blegtorinë.

Sotira, fshati më afër ujvarës, është i izoluar pavarësisht resurseve të tija natyrore, bujqësore e blegtorale. Dikur, vizitorë të përditshëm të ujëvarës ishin vetëm banorët e zonës, por tashmë kjo ka ndryshuar, duke e kthyer ujëvarën e Sotirës në një destinacion grishës për shumë turistë shqiptarë dhe të huaj. Ajo ndodhet 2 orë me këmbë larg zonës së banuar e për pasojë natyra është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut. Në këmbët e saj zë fill lumi i Sotirës dhe në ujin e kristaltë dhe të ftohtë të tij gëlojnë gjallesa ujore. Sotira është unike në llojin e saj dhe ajo që e bën të veçantë është mënyra e daljes së ujit nga lartësi të ndryshme.

Janë tre burime ujore që dalin në trajtë çurgjesh nga lartësi të mëdha nga 20 -150 metra, të shkëmbit gëlqerorë në shpatin e Malit të Tomorrit. Ujëvara është e lidhur ngushtë me ligjet hidrologjike, pasi në pranverë dhe kohë reshjesh, uji ka më tepër dendësi dhe në kohë thatësire kataraktet “dobësohen”. Peizazhi i shpatit ku del uji, në mes të pyjeve e pemëve të lisit, është i mrekullueshëm dhe nën këmbët e saj shtrihet një lëndinë ku vizitorët pushojnë e sodisin rrjedhën e ujit në faqet malore. Për të shkuar deri në këtë destinacion ndiqet itinerari Gramsh-Sotirë-Ujëvarë dhe terreni është mjaft i thyer. Gjithsesi, zona të ofron pamje të mrekullueshme deri atje.

Vizitorët duhet të kenë parasysh faktin që të furnizohen me ushqime, pasi fshati ndodhet disi larg nga ujëvara, e për më tepër nuk janë të përgatitur për t’u shërbyer turistëve, pasi nuk e kanë parë këtë gjë si fitimprurëse. Duket si një fshat I braktisur por që, së fundmi kanë filluar investimet në frutikulturë, blegtori dhe në turizëm. Bujtinat e para kanë filluar të funksionojnë dhe të konceptohet se edhe në këtë zonë mund të zhvillohet turizëm. Kohët e fundit media i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj zone, duke dhënë sadopak kontribut në promovimin e tij turistik dhe ekonomik. Pavarësisht kësaj, deri më sot, kjo ujëvarë, nuk është frekuentuar aq sa të imponon, vetëm për mungesë të infrastrukturës rrugore.

Promovimi i Fshatit Sotirë dhe ujëvarës së saj, do të kthente Gramshin në një prej destinacioneve turistike më të pëlqyera në vend, për pushuesit e huaj dhe vendas, për turistët ditorë dhe ata disa ditorë. Ndërsa, për banorët e zonës ajo mund të kthehet në një burim ekonomik i pa vlerësuar deri tani. Gramshi është afër Tiranës dhe rruga mjaftë e mirë deri atje, ndërsa Sotira kërkon investime që vërtet të kthehet në një perlë turistike.

Print