Tirana e vogël, me shumë terminale?

I nderuar zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës, kur ju lajmëroni që Tirana do të ketë një terminal të veçantë për autobusët e zonës juglindore në Farkë, apo që do të riasfaltoni mbi asfalt korsitë ekzistuese të biçikletave në bulevard etj., etj., ne të gjithë kemi të drejtë të mendojmë se ju jeni këshilluar gjerë e gjatë me ekspertët e transportit, territorit, mjedisit dhe jo vetëm me ndërtuesit.

Dhe ju me siguri e keni bërë. Unë nuk paragjykoj. Dhe nuk kam absolutisht asnjë arsye të besoj se ju jeni lloji i vendimmarrësit, i cili në vend që të këshillohet nga këshilltarët, i këshillon ata. Sepse dua të besoj sinqerisht se, pavarësisht se sa i bindur doni të dëshmoheni në hierarkinë politike, për origjinalitetin që keni dëshmuar deri tani, ju nuk keni asnjë detyrim për të pasur për bazë veprimi kriterin “çfarë- do të bëj, duhet të jetë patjetër e kundërta e projekteve të kundërshtarit”.

Sepse, po ashtu, unë dua të besoj fort se ju, si përfaqësues i brezit të ri të politikës, do të donit të tregonit gjithmonë se vini qytetin mbi taktikat elektorale. Dhe sepse, së fundi, jam i sigurt se ju jeni plotësisht në të drejtën tuaj që të ndieni atë joshjen e parezistueshme dhe drithëruese për t’u dhënë të rinjve të tjerë shembullin pozitiv të vendimmarrjeve të mençura e të konsultuara, çka unë shpresoj t’ia dilni… I nderuar kryetar, çfarë lexuat më lart, jua shkrova me qëllimin që çfarë do të lexoni më poshtë, mos t’i konsideroni si kritika, qëllim në vetvete të një “kundërshtari”, por si mendime të sinqerta të një qytetari. Të një qytetari me një nivel modest ekspertize, por dhe me një sens më pak modest përgjegjshmërie.

Fakti që ulem e ju shkruaj, shpresoj, pra, të merret siç është, një kontribut i përulur për qytetin tim. Zoti kryetar, qyteti i Tiranës nuk është “metropol”. Kjo është megalomania, që na e kanë imponuar këngët RAP apo politikanët që i kanë kënduar. Nuk ka sens. Qyteti i Tiranë s’ka jo më shumë se 530 mijë banorë, sipas regjistrimit të fundit zyrtar të 2011. Ja, paska vajtur në 600 mijë tani, bashkë me lagjet e bashkangjitura të Kasharit dhe Dajtit…

Metropoli urban duhet të ketë të paktën 1 milion banorë, që të meritojë këtë emër. Dhe duhet të ketë edhe jo pak elemente të tjerë urbanistike, që Tirana jonë ende nuk i ka. Por, nëse ne e quajmë a jo qytetin tonë “metropol” apo “petropol”, kjo nuk do të kishte pikë rëndësie, deri në momentin kur ne fillojmë e besojmë vërtet që qyteti ynë është “supermetropol”, dhe nisim e veprojmë në përputhje me këtë autosugjestion. Shohim ëndrra me sy hapur. Sepse Tirana, brenda unazës së saj të madhe, ka sipërfaqe të vogël urbane, më pak se 40km2. Madje, edhe vetë “unaza e madhe” gjithsej nuk është më shumë se 25 km e gjatë. Kjo do të thotë se Tirana është një qytet modestisht mesatar, përgjithësisht kompakt, dhe me akses të shpejtë nga njëri cep te tjetri. Aksesi lehtësohet, sidomos tani që Tirana përfundoi segmentin më të rëndësishëm të unazës së madhe nga sheshi “Shqiponja” (kthesa e Kamzës) deri te TEG-u (ose Farka). Pikërisht këto dy pika janë edhe pikat kryesore të aksesit në Tiranë: te TEG-u vjen fluksi shumë modest i juglindjes, pra, Korçës e Pogradecit, ndërsa te kthesa e Kamzës vjen fluksi madhor nga jugu, veriu, e verilindja.

Zoti kryetar, nëse Tirana do ishte “metropol” dhe me distancë nga një cep te tjetri prej dhjetëra a qindra kilometrash, atëherë, ashtu si Parisi, mund të kishte nevojë për terminale në 4 a më shumë pikat e horizontit: terminal Jugor, terminal Verior, Lindor e Perëndimor etj. Por ne jemi të vegjël, zoti kryetar. Jemi të vegjël. Ndaj, besoj se na duhet vetëm 1 terminal, siç e kanë edhe qytete më të mëdha se Tirana në rajon, të tipit Athina, Sofia, Beogradi, Zagrebi, etj. Sepse në Tiranë, nga pika e aksesit të juglindjes deri te pika e aksesit të jug-veriut janë vetëm pak kilometra të mjerë, të cilët përshkohen në pak minuta po aq të mjera.

Pra, nëse qytetarët e Korçës e Pogradecit vijnë e zbresin jo te TEG-u, por te terminali i vetëm, te kthesa e Kamzës, (kur të bëhet, besoj shpejt), ata jo vetëm që nuk do të harxhojnë kohë, por përkundrazi do të fitojnë, sepse nuk do u duhet të zbresin nga interurbani i tyre për të marrë urbanin që të shkojnë tek interurbanët e tjerë. Fitojnë kohë sepse aty, te kthesa e Kamzës, ata direkt mund të marrin interurbanët për çdo qytet tjetër të Shqipërisë a Kosovës, apo mund të marrin urbanët për Tiranë a Rinas…

Sepse kuptimi i terminalit është pikërisht ai i mbërritjes në një pikë, ku lihet një shërbim dhe merret menjëherë një tërësi shërbimesh të tjerë të asaj kategorie. Sidomos tani, kur në kuadër të procesit të Berlinit, Shqipëria do ta rindërtojë më të shpejtë hekurudhën Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Rinas, që me siguri do të kalojnë nga terminali i kthesës së Kamzës. Atëherë, pse u dashka që qytetarët e juglindjes të jenë si të izoluar atje lart, në kodrat e Farkës? Qytetarët e juglindjes fitojnë nëse ju nuk ua bëni terminalin në Farkë.

Por kryesorja është që Tirana dhe Farka fitojnë edhe më shumë akoma. Farka shpëton nga një hotspot ndotjeje të ajrit. Tirana fiton një sipërfaqe toke që nuk ka pse të betonohet si “terminali i Juglindjes”. Në atë tokë ju mund të bëni një shkollë të madhe apo shumë fusha minifutbolli, që të përdoren falas për fëmijët, apo një pishinë bashkiake, po ashtu falas për kalamajtë, apo një qendër moderne edukimi mjedisor, apo ndonjë element tjetër inovativ urban, aq të nevojshëm për qytetin tonë.

Sepse, zoti kryetar, ju e dini, por unë po ia lejoj vetes t’jua kujtoj që, gjëja më me vlerë që një Bashki mund të ketë është TOKA. Toka. Atë ose e ke, ose e blen, ose e përdor me partneritet. Në çdo rast, toka është mall me shumë vlerë. Dhe përdorimi i mençur i saj është qëllimi parësor i çdo plani urbanistik, apo i çdo vendimmarrjeje.

Duke dashur ta mbyll, zoti kryetar, dua të shpreh bindjen se ka shumë e shumë mënyra për t’u dhënë vlerë tokave private rreth e qark Tiranës. Po ashtu, ka shumë më shumë mënyra për t’i dhënë vlerë një zone prestigjioze rezidenciale si Farka. Ju keni në dorë shumë instrumente. Dhe ndërtimi i një “terminali” jo të domosdoshëm autobusësh, është i fundit në radhë mes atyre instrumenteve…

Por vendimi është i juaji. Ju jeni votuar, ju e keni përgjegjësinë. E rëndësishme është të ndiheni i bindur dhe jo thjesht të bindeni…

Print