• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • The Telegraph: Shqipëria, bukuria hyjnore që duhet vizituar

The Telegraph: Shqipëria, bukuria hyjnore që duhet vizituar

Prestigjiozja britanike “The Telegraph” në rubrikën e saj “Destinations” ia ka kushtuar ditën e sotme Shqipërisë dhe bregdetit të saj. Në artikull rrëfehen pushimet e një familje angleze në Shqipëri, me vështirësitë e udhëtimit, të papriturat si edhe mrekullinë e natyrës së gjetur.

“Të shkoje atje ishte vështirësia e radhës. Ka fluturime direkt nga Gateick për në Tiranë por për të arritur në bregdetin kryesor të jugut, duheshin pesë orë rrugë me makinë. Për fat të mirë, Korfuzi është vetëm disa milje larg nga Shqipëria, dhe ka një aeroport të mirëmbajtur dhe shumë tragete që çojnë në portin shqiptar të Sarandës”, pikërisht kjo ishte rruga e familjes për të mbërritur në Dhërmi.

Destinacioni i tyre, Dhërmiu, padyshim i mrekulloi me malet që duket se ngrihen nga deti si edhe ujërat e kristalta që duken me vështrim të lirë. “Toka duket praktikisht e pandryshuar nga shekulli i 19-të, kur Lord Bajroni udhëtoi këtu. Në këtë mënyrë, komunizmi punonte në avantazh të Shqipërisë. Enver Hoxha, i cili udhëhoqi vendin si diktator nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, deklaroi bregdetin një zonë ushtarake, të ndaluar për të gjithë, duke përfshirë edhe zhvilluesit”.

Përgjatë pushimit në plazhet e Qeparosë, Dhërmiut dhe Borshit, familja rrëfen sesi patën mundësinë të viziton bregdetin falë “Albania Adventure” duke e quajtur “një bukur të përjetshme”.

Gjithashtu në axhendën e tyre përfshin edhe vizitën në ishullin e Sazanit, të mbushur me bunkerë mbrojtës, me objekte të braktisur dhe me të drejtë ata e quajtën “një kujtesë e zymtë e epokës komuniste brenda Evropës qendrore – si Muri i Berlinit, por më tërheqës dhe paqësor”.

Gjatë udhëtimit të tyre nuk ngurruan të shprehnin pakënaqësitë si për shembull me anijen që do i çonte në Sazan por pranuan se çmimet ishin ekonomike dhe se turizmi si industri është në fillimet e tij. Në ditën e tyre të fundit në Shqipëri, teksa po konsumonin darkë në një restorant, ata takuan një çift italian të cilët vizitonin shpesh Shqipërinë: “Ushqimet e detit janë kaq të lira dhe të shijshme. Por, ne kurrë nuk kemi parë një familje angleze këtu më parë. Pse Shqipërinë?”, u shprehën ata. “Për shkak se është një vend ndryshe në Evropë. Nuk është Bregu i Amalfit, por ka një bukuri të mrekullueshme dhe është hyjnore që është kaq e izoluar. Megjithatë, nuk mund të ndihmoj, por mendoj se pafajësia e Shqipërisë do të shkelet kur sekreti i saj të zbulohet” përfundon artikulli për vendin tonë.

Print