• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Konferencë për shtyp “Mbi zbatimin e premtimeve nga kryetarët e bashkive për zhvillimin e politikave mjedisore në 11 bashki”

Konferencë për shtyp “Mbi zbatimin e premtimeve nga kryetarët e bashkive për zhvillimin e politikave mjedisore në 11 bashki”

Rrjeti i organizatave mjedisore ECIM ka monitoruar zbatimin e premtimeve nga kryetarët e bashkive për zhvillimin e politikave mjedisore në 11 bashkitë: Tiranë, Durrës, Elbasan, Gramsh, Vlorë, Sarandë, Fier, Librazhd, Prrenjas, Lezhë dhe Krujë. Organizatat e 4 rrjeteve mjedisore, që operojnë në kuadër të programit SENiOR –II, të shpërndara në të gjithë vendin, kanë ndjekur dhe dokumentuar programet dhe premtimet e kryebashkiakëve në politikat mjedisore të zhvillimit të bashkive në fushatën e fundit të zgjedhjeve lokale.

Gjatë këtyre 3 viteve të punës së qeverive vendore në këto bashki, kanë ndjekur dhe monitoruar se sa dhe si janë realizuar në realitet këto premtime dhe angazhime të shprehura në programet e tyre. Rezultati i monitorimit flet për mos realizimin e shumë angazhimeve që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, të këtyre bashkive (mesatarisht vetëm 30% janë realizuar). Në mënyrë të veçantë shoqatat mjedisore kanë monitoruar gjendjen ekzistuese të menaxhimit të mbetjeve të ngurta urbane, në njësitë administrative të këtyre bashkive si dhe ndotjes në zonat rurale të këtyre bashkive.

Nga monitorimi del se situata e menaxhimit të mbetjeve urbane është përkeqësuar sidomos pas reformës administrativo-territoriale. Ndonëse kanë kaluar gati 3 vjet pas zgjedhjeve të pushtetit vendor dhe me shumë se 4 vite nga reforma administrativo territoriale, zonat rurale të bashkive ende nuk kanë hyrë në skemat e menaxhimit të mbetjeve. Kjo ka bërë që mbetjet në zonat rurale të këtyre bashkive të mos trajtohen dhe të hidhen në terrene të pakontrolluara në përrenj dhe lumenj duke u kthyer në një problem të madh mjedisor per territorin shqiptar, një problem shëndetësor për gjithë popullsinë si dhe një problem ekonomik për zhvillimin e turizmit, veçanërisht në zonat bregdetare ku përfundojnë pjesa më e madhe e gjithë kësaj ndotje e transportuar nga lumenjtë në gjithë vendin.

Aksioni kombëtar “Të pastrojmë Shqipërinë” është i domosdoshëm për të edukuar e ndërgjegjësuar në lidhje me ndotjen dhe mbrojtjen e mjedisit, po nuk e përballon këtë ndotje masive të vazhdueshme, të pa kontrolluar në bashkitë dhe njësitë administrative kryesisht në zonat rurale. Zgjidhja me inceneratorë në gjithë vendin, nuk përkon me strategjitë e deritanishme për këtë shërbim, as me direktivat e BE-së. Kostot e oportunitetit, pra të përdorimit të këtyre parave për teknologji të tjera për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve nuk janë marrë parasysh.

Organizatat e shoqërisë civile mendojnë:
- Në plan të parë të garantohet grumbullimi maksimal i mbetjeve që gjenerohet në vend, në të gjithë territorin dhe sigurimi i depozitimit në vend-depozitimet e kontrolluara.
- Të ndahen mbetjet në burim dhe të rritet sasia e mbetjeve që mund të riciklohen.
- Të merren masa urgjente për të ndërprerë djegien e mbetjeve urbane në vend-depozitimet e tyre në Durrës, Fier, etj.
- Qeveria dhe bashkitë duhet të bashkëpunojnë për të garantuar buxhetin e nevojshëm për të përmbushur këtë funksion, sikurse të sigurojnë burimet njerëzore dhe teknike për kryerjen e këtij shërbimi.
- Në vijim, vendi duhet të hyjë gradualisht në rrugën e përshkruar më parë nga vendet Evropiane për të zbatuar hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve: Reduktim, Ripërdorim dhe Riciklim.

Konferenca për shtyp është mundësuar në kuadër të programit SENiOR –II, zbatuar nga REC Shqipëri dhe financuar nga Qeveria Suedeze.

Print