• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Veliaj-Sboarina, bashkëpunim me Veronën për transportin publik dhe ndriçimin

Veliaj-Sboarina, bashkëpunim me Veronën për transportin publik dhe ndriçimin

Pas bashkëpunimit me bashkinë e Veronës për pastrimin, Bashkia e Tiranës do të vijojë me transportin publik dhe ndriçimin. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka pritur sot homologun e tij të Veronës, Federico Sboarina. “Mezi pres që të fillojmë me disa projekte për transportin publik. E kam thënë edhe më parë: nëse kompanitë e transportit nuk na përgjigjen për të modernizuar flotën me autobusë të gjelbër, atëherë sigurisht do të jemi gati. Ndaj sot diskutuam se si do të fillojmë me disa projekte konkrete, duke besuar gjithmonë se më e mira është përpara”, deklaroi Veliaj.

“E falenderoj Erionin që më ka mirëpritur në një mënyrë kaq speciale sepse edhe mikpritja është vlerë. Kam parë shumë gjëra, por mbi të gjitha ajo që më mbeti në mendje nga Tirana është një qytet në zhvillim. Një qytet që po rritet, po zhvillohet në mënyrë të rëndësishme. Nuk e njihja më parë, por ama kam parë foto shumë të bukura si ishte dhe si është tani, një qytet tërësisht i ndryshëm. Duam të jemi në sinergji me një kryeqytet si Tirana sepse të punuarit së bashku, do të thotë të rritemi bashkë; rritje për ju, rritje për ne. Kështu që, pajtohem me faktin se më e mira ende nuk ka ardhur”, tha kryebashkiaku i Veronës, Sboarina.

Në shenjë miqësie dhe bashkëpunimit mes dy qyteteve, Veliaj i dorëzoi homologut të tij italian “Çelësin e Qytetit”. Më pas, ata zhvilluan një vizitë edhe në Sheshin “Skënderbej”, i cili pas rikonceptimit, është kthyer në një hapësirë publike kushtuar qytetarëve. Veliaj dhe Sboarina mbollën në mënyrë simbolike edhe disa pemë.

Print