• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Me parqet kombëtare nuk duhet të bëhen negociata

Me parqet kombëtare nuk duhet të bëhen negociata

Lajmi për shkatërrimin e kanioneve të Osumit, si pasojë e projekteve për ndërtimin e dy hidrocentraleve, ishte një bombë. Kjo, për gjithkënd që mendon qoftë edhe mesatarisht. Po ashtu, ishte një habi e madhe se si qeveria nuk dinte asgjë për atë që do të ndodhte nga zbatimi i atyre projekteve.

Por kryeministri zgjodhi ta shesë si një reflektim të çmuar tërheqjen e tij. “Ishim duke bërë një gabim. Por, rëndësi ka që dimë të tërhiqemi”- tha Rama. Kryeministri e mblodhi qeverinë  në Berat, jo shumë larg nga kanionet e famshme. Përsëriti edhe njëherë atje betimin se kanionet nuk do të prishen. “Nuk ka shans,  që ne t’i hapim më rrugë kësaj barbarie”- tha Rama. Në fakt duket si një “nder”, që kryeministri është duke na bërë neve dhe Shqipërisë me premtimin që nuk do të shkatërrojë kanionet. Prej vitesh shoqëria civile dhe media është duke ushtruar një presion të fortë publik. Presioni për mos ndërtimin e HEC-eve në Osum. Por në momentin e fundit, u mësua HEC-et, jo vetëm që nuk po anulloheshin, por po hanin edhe kanionet. Ndaj të gjithë brofën nga gëzimi kur kryeministri tha: “Jo jo, kanionet do ua falim. Ato nuk do i prishim. Por HEC-et do të ndërtohen gjithsesi”.

Dhe kështu ra qetësia. Pasi shpëtuan kanionet, nisi madje edhe një garë. Kush kishte bërë më shumë oponencë, për të merituar lëvdatat, që e “detyruam qeverinë të tërhiqet”. Për HEC-et dhe dëmin që pëson lugina në tërësi, nuk u diskutua.  Dhe nuk po diskutohet më. Sepse, nëse dikush do të ngrinte dhe ngrejë sërish zërin, nuk është çudi të thuhej: Po pse, çfarë doni më, a ua falëm kanionet?

E gjitha nuk duket një dashamirësi e institucioneve ndaj natyrës dhe monumenteve të saj, por një lojë. Duket si një negociatë, nga ato ku kërkohet 100 për të marrë 50. Edhe në rastin e Osumit, u kërcënuan kanionet, për të ndërtuar HEC-et në pjesën tjetër të luginës. Unë mendoj se nuk do të kishte ministër e kryeministër të çmendur,  që të jepte leje për ndërtimin hidrocentralesh që do të çonin në shkatërrimin e atyre kanioneve.  Nëse Qeveria është vërtetë kaq e prirur,  për të mos lejuar të tilla barbari, ja ku e ka Valbonën! Është vena dhe arteria e Alpeve.  Lumin dhe luginën, që po sakrifikohet për të prodhuar energji sa për të furnizuar një fshat. Mund ta ndalojë këtë barbari, që është po kaq e rëndë sa dhe ajo e Osumit. Ta shpëtojë këtë park kombëtar, që është një pasuri po kaq e madhe sa edhe kanionet. Qeveria të ndalë punimet edhe në parqe të tjera kombëtare. Ato sot po bëhen viktima të babëzisë hidroenergjitike. Atëherë do të tregojë vërtetë që është e ndjeshme ndaj natyrës dhe nuk është duke bërë negociata në dëm të saj.

Print