• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Sistemi i ri Institucional për Menaxhimin e Ujitjes dhe Kullimit si një Kontribut drejt një Bujqësie të Qëndrueshme

Sistemi i ri Institucional për Menaxhimin e Ujitjes dhe Kullimit si një Kontribut drejt një Bujqësie të Qëndrueshme

Qëndra për Menaxhimin Agromjedisor dhe Ekonomik, nëpërmjet një pune 1 vjecare mbështetur nga BE nepërmjet "Organization for Respect and Care of Animals" – ORCA, në kuadër të tematikës “Bujqësi e Qëndrueshme, Ballkan i Qëndrueshëm” po punon në rritjen e vëmendjes në drejtim të decentralizimit të metejshëm dhe formave të integruara dhe me pjesëmarrje të menaxhimit të ujit në Bujqësi, për të inkurajuar përfshirjen e të gjithë aktorëve në menaxhim dhe për të adresuar më mirë nevojat lokale ekonomike, mjedisore dhe sociale.

Sistemet e ujitjes dhe kullimit janë përkeqësuar pas shumë vitesh pa mirëmbajtjen dhe riparimet e duhura. Ndryshimet e nevojshme që po ndodhin në strukturën e kulturave bujqësore dhe metodat e përdorimit të ujit, si dhe ndryshimet klimatike, kërkojnë modernizimin e sistemeve për të lejuar një efiçencë më të mirë të përdorimit të ujit, menaxhim më intensiv dhe proçedura financiare më të besueshme.

Përmbushja e sfidës për popullatën në rritje nga sistemet e ujitjes me performancë të ulët kërkon ndërhyrje teknike, menaxheriale dhe institucionale. Menaxhimi me pjesëmarrje i ujitjes mund të ofrojë një mënyrë të tillë përmirësimi dhe efikasiteti të përdoruesve të ujit. Disa vënde anembanë botës kanë tentuar transferimin e menaxhimit të ujitjes tek shoqatat e përdoruesve të ujit. Megjithëse qasja është e ndryshme, tendenca është e qëndrueshme. Kjo qëndër ka evidentuar rolin dhe përfshirjen në bazën ligjiore për ujitjen dhe kullimin të Organizatave të Përdorimit të Ujit, OPU. Gjithashtu evidenton dhe decentralizimin e kompetencave dhe përgjegjësive në sektorin e ujitjes dhe kullimit ku bashkitë duhet të marrin masat e nevojshme për mbledhjen e tarifës së ujitjes nga gjithë pronarët e tokave brenda zonës së mundëshme të shërbimit të ujitjes dhe duhet të mbulojnë jo vetëm kostot fikse të ujitjes por edhe shpenzimet e mirëmbajtjes drejt një riorganizimi të stimujve për promovimin e menaxhimit efektiv me pjesëmarrje të ujitjes.

Në mënyrë që sistemi të jetë efektiv kjo qëndër propozon një paketë masash bazuar në Ligjin nr. 24/2017, “Për administrimin e ujitjes dhe kullimit”.

Axhenda e politikave do të shihet si një proces që përfshin:

  • Përgatitjen e një udhëzuesi për rehabilitimin dhe modernizimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit me pjesëmarrje. Në këtë udhëzues do të përfshihen të gjitha proçedurat që do të ndiqen në të gjitha projektet si ato të financuara nga qeveria ashtu dhe ato nga institucionet financiare ndërkombëtare. Këtu do të përfshihen procedurat për identifikimin, përparësitë dhe rënien dakord për mënyrën e rehabilitimit dhe modernizimit, kontributin e anëtarëve të OPU-ve, marrëveshjet që do të bëhen, rolin e bashkive dhe OPU-ve në marrjen e përgjegjësive të administrimit të rrjetit të kanaleve të ujitjes, pasi të kenë përfunduar përmirësimet (përfshi administrimin financiar). Gjithashtu, ndihmë për rehabilitim do të jepet vetëm pasi OPU-të marrin angazhimin e tyre për të kryer mirëmbajtjen në një standard të pranuar dhe të matshëm në nivel terciar, dhe vetëm pasi ato e bëjnë mirëmbajtjen para-sezonit në këtë standard, për në paktën një sezon. Kështu, zhvillimi i infrastrukturës do të bëhet në atë mënyrë që të inkurajoje zhvillimin organizativ dhe menaxhimin.
  • Përgatitjen e Planit të Investimeve për ujitjen, do të ketë edhe kostot përkatëse, keshtu kerkohen fonde të mjaftueshme për të mundësuar një program rehabilitimi dhe modernizimi të sistemit ujitës që synon rritjen e sipërfaqes që ujitet nga 220 000 ha drejt sipërfaqes potenciale ujitëse prej 360,000 ha, për periudhën 2018-2027.
  • Bashkëfinancimin e fermerëve mund të bëhet në formën e konributit me fuqi punëtore, me materiale, ose në ripagimin e një pjese të rënë dakord të kostos së rehabilitimit dhe modernizimit. Prioritet do t’i jepet së pari rehabilitimit dhe modernizimit të digave, rezervuarve dhe veprave të marrjes. Me qëllim që të inkurajohen përdoruesit e ujit të kontribuojnë në kryerjen e investimeve në rehabilitim dhe modernizim, ndërsa qeveria bën, rehabilitimin dhe modernizimin e digave, rezervuarve dhe veprave të marrjes së sistemeve ujitëse, kur OPU-të do të jenë krijuar dhe funksionojnë bëhen marrëveshje që ato të marrin përsipër të rehabilitojne kanalet e treta. Ky sistem paralel i investimit nga shteti dhe përdoruesit e ujit do të inkurajojë OPU-të të bëjnë pjesën e tyre të investimeve dhe të rrisë ndjenjën e përgjegjësisë për sistemet e tyre.
  • Mbështetja nga Ministria dhe bashkitë në krijimin e OPU-ve në nivel kanalesh të treta. GPU-të do të ngrihen si grup përdoruesish, jo si njësi të veçanta legale, por si pjesë përbërëse të OPU-ve. Në terma afatgjatë (8 deri 15 vjet) do të përcaktohet nëse OPU-të mund të bashkohen në federata për të marre përsipër menaxhimin e kanaleve sekondare, sistemeve të vogla dhe të mesme.
  • Trajnimi i stafit të OPU-së për bashkë-menaxhimin e kanaleve të dyta me Njësitë e Ujitjes dhe Kullimit të bashkisë, deri sa disa përgjegjësi të menaxhimit dhe autoriteti t’i jenë transferuar OPU-së. Përgjegjësitë për menaxhimin/mbikqyrjen financiare për mbledhjen e të ardhurave, depozitimin në llogari bankare, tërheqja e parave, do të vazhdojë të mbetet tek bashkitë për një periudhë afatgjatë
  • Konsultimet periodike për ngritjen e kapaciteteve të Njësive të Ujitjes dhe Kullimit të bashkive dhe stafeve të OPU-ve ku audituesit do të shqyrtojnë problemet dhe sfidat e sistemit të ujitjes, inspektojnë vendet problematike dhe ndihmojnë bashkitë dhe OPU-të në hartimin e Planeve të përmirësimit të menaxhimit.
  • Njësitë e Ujitjes dhe Kullimit të bashkive do të duhet të trajnohen si për aspektet teknike të administrimit të ujitjes ashtu dhe qeverisjen, menaxhimin dhe financimin. Është e nevojshme që trajnimi të përfshijë çështjet e mëposhtme:
  1. Si monitorohen/mbikqyren Njësitë e Ujitjes dhe Kullimit dhe OPU-të,
  2. Si organizohen konsultime për të ndihmuar Njësitë e Ujitjes dhe Kullimit dhe OPU-të në hartimin e Planeve të përmirësimit të menaxhimit,
  3. Si identifikohen nevojat e Njësive të Ujitjes dhe Kullimit dhe OPU-ve për shërbime mbështetëse,
  4. Metodat e komunikimit dhe vendimmarrjes.

Qëndra për Menaxhimin Agromjedisor dhe Ekonomik, në kuadër të nismes “Bujqësi e Qëndrueshme, Ballkan i Qëndrueshëm” po trainon stafet pergjegjese per menaxhimin e ujit ne disa bashki bujqesore te vendit.

Print