• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Shkollat në Shqipëri: me dy turne, të mbipopulluara dhe me ajër të ndotur

Shkollat në Shqipëri: me dy turne, të mbipopulluara dhe me ajër të ndotur

Vetëm shkollat afër qendrave të qyteteve premtojnë kushte disi të mira për zhvillimin e mësimit. Kushtet higjieno-sanitare janë ende në procese përmirësimi, por nuk mungojnë rastet ku kati i tërë i një shkolle, më gjashtë klasa ose më shumë duhet të përdorë një apo dy tualete, ku uji vazhdon të jetë me orar.

Si prind apo qytetar shqetësohesh nga cilësia e ajrit në shkollat tona, ku nxënësit kalojnë më të shumtën e kohës.

Janë vetë nxënësit ata, të cilët ankohen për ajrin jo të pastër brenda ambjenteve të shkollave, si dhe erën e keqe të tualeteve kur kalon pranë tyre. Prindërit e nuhasin këtë erë në një ditë normale shkolle apo kur shkojnë të takojnë mësuesit. Çështje të tilla mund të duken luks, para problemeve madhore të ushqimeve të pakontrolluara, mungesës së ngrohjes në sezonin e dimrit në shkollat tona, mbetjet urbane që shtohen çdo ditë e më shumë, apo trafikut të rënduar, që shpesh të detyron të arrish vonë në punë.

E ardhmja i përket atyre, fëmijëve. Cilësia e mirë dhe mënyrat e shëndetshme përgjatë rritjes, mundëson siguri të plotë për shëndetin mendor dhe atë fizik për të ardhmen.

Studimi i parë ndërkombëtarë, prej programit SEARCH (School Environment and Respiratory Health of Children) ku u përfshinë 10 vende nga Bashkimi Evropian, vende jo anëtare të saj, vende të Evropës Lindore dhe Azisë ka treguar se brenda ambjenteve të shkollave niveli i NO 2 , PM10 dhe benzenit është i ulët. Nivele të larta të këtyre ndotësve gjenden kryesisht jashtë mureve të shkollës, si pasojë e trafikut të rënduar. Është gjetur nivel i lartë i VOC-ve, veçanërisht të formaldehyde-ve, ku më së shumti këta ndotës emetohen në ambjentet e brendshme të klasave. Hapësira mesatare e dyshemesë për fëmijë në të gjitha klasat, sipas studimit ka rezultuar 2.0 m 2 / fëmijë, ku ka edhe raste mbipopullimi (më pak se 1.5 m 2 / fëmijë). Ky mbipopollim çon derjtpërsëdrejti në rritjen e përqendrimit të disa ndotësve si CO 2 , benzen, toluenë dhe PM10, citon studimi SEARCH.

Në klasat e mbipopulluara ka pasur shumë më tepër fëmijë me simptomat e traktit respirator, në krahasim me fëmijët e klasave me hapësirë të mjaftueshme. Rekomandimet e studimit, por edhe të specialistëve orientojnë shmangien e mbipopillimit të klasave, ajrosje përgjatë gjithë pushimeve të orëve, si edhe të përdoren sistemet e ventilimit apo ato të ngrohjes, të cilat kanë një kosto të ulët të hpenzimit të energjisë.

Sipas studimit të SINPHONIE, niveli i lagështirës në shkolla ka rezultuar në nivelin 43%, ku vendi ynë ishte në vendin e parë përsa i përket lagështirës, pasuar nga Malta dhe Portugalia. Dy programet e sipërpërmendur janë të vetmit ndoshta, të cilët ofrojnë të dhëna rreth cilësisë së ajrit në shkollat tona. Edhe nëse ndonjë institucioni, përgjegjës për cilësinë e kushteve përgjatë mësimdhënies në shkollat tona, do i lindte dëshira për të matur parametrat e sipërpërmendur (CO 2 , benzen, toluenë dhe PM10), sërish ky proces do ngelte ëndërr në sirtar, pasi jo vetëm që mungojnë aparaturat, por dhe ato që janë nuk kolaudohen, apo eskpertët janë të patrajnuar.

Print