• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Panairi “Rescue food” – Kuzhinierët e ardhshëm ofrojnë alternativa për konsum të përgjegjshëm

Panairi “Rescue food” – Kuzhinierët e ardhshëm ofrojnë alternativa për konsum të përgjegjshëm

Një panair i veçantë ushqimor është organizuar nga nxënësit e shkollës së Mesme Teknologjike “Hysen Çela”, Durrës me qëllim ndërgjegjësimin mbi konsumin e përgjegjshëm. Panairi “Rescue food” u shndërrua në një festë e veçantë që shënoi edhe përmbylljen e projektit “Nxitja e sipërmarrjes tek të rinjtë e shkollave të mesme”, me nxënësit e kësaj shkolle.

Nxënësit e degës “Hoteleri-Turizëm” përgatitën dhe ekspozuan gatimet e tyre duke synuar promovimin e praktikave më të mira në të cilat zvogëlohet sasia e mbetjeve dhe humbjeve ushqimore. Ata demonstruan nëpërmjet përgatitjes së recetave të ndryshme se produktet të cilat nuk janë të bukura estetikisht apo janë pranë datës së skadencës mund të përdoren si bazë materiale për përgatitjen e gatimeve, duke mos i kthyer ato në mbetje.

Ky panair vjen pas një pune katër mujore me profesionistët e rinj, gjatë të cilave janë zhvilluar orë mësimore dhe demonstruese. Nxënësit janë informuar mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB, duke u përqëndruar në objektivin nr. 14 “Jeta nën ujë” dhe nr. 8 “Punë dinjitoze dhe rritje ekonomike”. Profesionet e gjelbra, sipërmarrjet me qasje miqësore ndaj mjedisit, si dhe modelet e suksesit të tyre kanë qenë disa nga tematikat e trajtuara.

Në fjalën e hapjes së aktivitetit, drejtoresha e shkollës “Hysen Çela”, Znj. Blerina Dervishi është shprehur pozitive ndaj kësaj nisme, si dhe ndaj kurorëzimit të kësaj pune disa mujore me një panair që u jep mundësinë të rinjve të tregojnë aftësitë e tyre. Z. Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania, u ka bërë thirrje të rinjve t’u afrohen profesioneve të gjelbra si një mundësi e mirë punësimi për ta dhe rritjen e mundësive për një zhvillim të qëndrueshëm.

Të pranishëm në panairin ushqimor kanë qenë rreth 250 persona. Nxënës të shkollës, mësues dhe të ftuar të tjerë kanë patur mundësinë të shijojnë gatimet e përgatitura nga kuzhinierët e rinj. Gjatë panairit, kuzhinierët e ardhshëm kanë shërbyer ushqimet e përgatitura prej tyre, kanë shpjeguar mënyrën e përgatitjes së gatimeve, si dhe kanë ndarë me të interesuarit disa nga recetat e gatimit.

Ky aktivitet kishte si qëllim orientimin e të rinjve drejt profesioneve të gjelbra dhe sipërmarrjeve me qasje miqësore ndaj mjedisit. Gjithashtu, ai shërben si një shembull i mirë për bizneset ekzistuese që të adaptojnë këto metoda inovative të gatimit duke minimizuar sasinë e humbjeve dhe mbetjeve ushqimore.

Agjencia Austriake përZhvillim (ADA), njësi operative e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, mbështet programin SEEDLING që zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC). Ky projekt zbatohet nga EcoAlbania dhe mbështetet financiarisht nga REC në kuadër të projektit SEEDLING.

Print