• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Dita ndërkombëtare e Mjedisit, tema e vitit: Lufta kundër plastikës

Dita ndërkombëtare e Mjedisit, tema e vitit: Lufta kundër plastikës

Në Ditën botërore të Mjedisit, caktuar nga OKB-ja për të promovuar ndërgjegjësimin dhe veprimin në mbrojtje të mjedisit që na rrethon, ai që ngrihet si shqetësimi më i madh është fare i qartë: Si të ndihmohet lufta kundër plastikës së kthyer në njërin prej kërcënimeve kryesore ndaj ekosistemit në ditët tona.

Që prej vitit 1974, 5 qershori përfaqëson përqëndrimin më të madh të vëmendjes te mjedisi, e shndërrimin në një platformë globale për qasje publike në mbarë botën.

Çdo vit, Dita ndërkombëtare e Mjedisit ka një vend në shënjestër dhe një temë të caktuar. Sivjet ato janë India dhe “mposhtja e ndotjes nga plastika”.

Sipas OKB-së, bota përdor deri në 500 miliardë qese në vit. 10 milionë tonë plastikë përfundojnë nëpër oqeane. Alarmante janë edhe parashikimet. Brenda 10-15 viteve të ardhshme, prodhimi global i plastikës thuajse do të dyfishohet.

Atëherë, çfarë mund të bëhet në këtë situatë? Kombet e Bashkuara i inkurajojnë të gjithë të luajnë rolin e tyre, duke nisur nga identifikimi i llojeve të plastikës njëpërdorimshe, prej të cilave janë gati të heqin dorë.

Fushatat “online” po kombinohen edhe me nisma në terren, siç është ajo e Fondacionit Mjedisor të Indisë, që ka angazhuar me mijëra vullnetarë për pastrimin e bregdetit të 17 zonave të vendit.

Pastrimi zgjat 12 orë, nis në 6 të mëngjesit e përfundon në 18 të pasdites. Në takimin e parë të tyre, mbajtur më 3 qershor, gati 1.900 vullnetarë pastruan në rajonin Chennai brenda vetëm 2 orësh gati 9.6 tonë mbeturina.

 

 

Print