• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Një foto “flet”, por a sjell ndryshim?!

Një foto “flet”, por a sjell ndryshim?!

Kur flet për mjedisin, gjithnjë e me tepër kupton se kjo fushë po merr vëmendjen e munguar në nivele drejtuese, por edhe më tej. Komuniteti i gjerë njeh dhe sheh situatën e mbetjeve urbane; kur ka përmirësim, apo kur ajo kërkon edhe më tej ndërhyrje. Individ të çdo moshe informohen sesi mund të përmirësojnë peizazhet ku jetojnë, reagojnë me opinione, të cilat më pas përçohen në instancat përkatëse, përgjegjëse për ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit.

E tillë ishte ekspozita e organizuar sot nga Milieukontakt, me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit. 5 qershori këtë vit mblodhi së bashku në ekspozitën informuese/ndërgjegjësuese nxënës të shkollës së mesme “Sami Frashëri”, mësuese, vullnetarë dhe qytetarë.

Ekspozitës iu bashkua edhe Qendra “Ekolëvizja” me foto të gjeneruara përgjatë monitorimit të mbetjeve urbane në njësitë administrative të Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Kamëz. Aktiviteti u realizua në kuadër të Programit SENiOR II, zbatuar nga REC, me mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze.

Ekspozita e zhvilluar pranë mjediseve të REJA-s Tiranë, ofroi për të gjithë pjesëmarrësit fotografi të realizuara nga nxënësit e gjimnazit, në zona të ndryshme të Tiranës. Objektivi i aparatit të gjimnazistëve u përqendrua kryesisht mbi mbetjet urbane. Fotografitë e realizuara ilustronin ndjeshmërinë qytetare, por ofronin njëkohësisht edhe perceptime artistike. Për nxënësit pjesëmarrës në aktivitet u mundësua edhe nga një çertifikatë, për të vlerësuar angazhimin e tyre për realizimin e fotografive. Pjesë e ekspozitës ishin edhe foto nga Milieukontakt, të marra përgjatë monitorimit të situatës së mbetjeve urbane dhe hedhjeve ilegale në disa zona periferike të Tiranës. Këto foto janë vendosur edhe në aplikacionin TrashOut. MiA ftoi gjithë pjesëmarrësit të bëhen pjesë e këtij aplikacioni, duke nxitur kështu kontributin dhe pjesëmarrjen vullnetare qytetare.

Në fund të ekspozitës nxënësit votuan për të zgjedhur tre fotot më të mira. Përgjatë gjithë aktivitetit shkëmbimi i eksperiencave mes gjithë pjesëmarrësve ishte mjaft frutdhënës. Aktiviteti u përmbyll me nga një mesazh të shkruar mbi çantat prej rrobe, ku me pas këto çanta iu dhuruan kalimtarëve të rastit nga vetë nxënësit. Ekspozita “një foto “flet”, por a sjell ndryshim” na nxit edhe më tej të kujdesemi për mjediset tona, për të pasur peizazhe dinjitoz, të pastër dhe të shëndetshëm; jo vetëm për komunitetet që jetojnë aty, por edhe për turistët e shumtë që hyjnë në Tiranë.

Print