Natyr-AL

Projekti më i ri që bën bashkë specialistë të fushave të ndryshme, fotografë, biologë, akademikë, dashamirës të natyrës, në biodokumentimin dhe inventarizimin e specieve të florës dhe faunës në Shqipëri dhe trevat e saj.  Ky projekt është kontribut i anëtarëve të Wildlife Photography- Albanian Photographers, që ditë pas dite pasurojnë të dhënat mbi speciet e ndryshme përmes fotografisë.

Përveç rritjes së informacionit shkencor kjo iniciativë ka si qëllim promovimin e natyrës shqiptare përmes vlerave të biodiversitetit.

Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera shqiptare paraqesin një zonë me biodiversitet të lartë, por që studime të mirëfillta për identifikimin, klasifikimin, apo biodokumentimin e specieve janë shumë të pakta ose janë studime të autorëve të huaj.  Gjithashtu digjitalizimi i bazës së të dhënave mbi florën dhe faunën është element i domosdoshëm në zhvillimin e biologjisë si shkencë.  Në tekstet shkollore të lëndëve natyrore, si në Shqipëri dhe Kosovë vihet re se si shembuj ilustrues përdoren foto të specieve të huaja.  Wildlife Photography -Albanian Photographers disponon një arkivë të gjerë të fotove të llojeve shqiptare (të fotografuara në Shqipëri apo Kosovë) që krejt mirë këto foto mund të propozohen për t’i zëvendësuar llojet e huaja me ato shqiptare.  Kjo iniciativë përveçse artistike në llojin e fotos, si kontribut i të apasionuarve mbas artit të fotografisë, është edhe informuese, edukuese sepse merret informacion për llojet e rrezikuara dhe ndikon drejtpërdrejt në ndërgjegjësimin për mbrojtjen e tyre.  Çdo foto e specieve shoqërohet me informacion te vlefshëm shkencërisht dhe të biodukumentuar në kohë dhe vendndodhje reale.

Ftojmë të gjithë të interesuarit, apasionuarve mbas fotografisë së botës së gjallë të kontribuojnë në pasurimin e kësaj faqeje dhe ti japim vlerë natyrës së bukur shqiptare.

Për më shumë informacion: https://www.inaturalist.org/projects/natyr-al 

Print