• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Zjarre dhe të mbytur në det, rritet pasiguria në plazhe

Zjarre dhe të mbytur në det, rritet pasiguria në plazhe

Një zjarr përfshiu pishat në plazhin e Spillesë, pak pas mesditës së të dielës, duke vënë në rrezik pushuesit e kësaj zone, të cilët u alarmuan për shkak se flakët për disa momente ishin kërcënuese.

Zjarri u shkaktua nga disa qytetarë, të cilët po përdornin zgarën mes pemëve, e që situata u doli jashtë kontrolli. Afër vatrës së zjarrit ishin të parkuara shumë automjete, gjë që mund ta kishte bërë kaotike gjendjen, nëse pushuesit nuk do të ndërhynin për të shuar flakët dhe larguar mjetet.

Ndërsa në plazhin e Spillesë, rreziku i shkaktuar nga papërgjegjshmëria e disa personave kaloi, në plazhe të tjera siguria vijon të jetë problem. Edhe pas ngjarjeve të rënda të së shtunës, ku në plazhet e Durrësit dhe Sarandës u mbytën 3 pushues, nuk ka ndryshuar asgjë.

Asnjë masë nuk është marrë për të rritur sigurinë për pushuesit në këto plazhe, ndërsa numri i tyre është gjithnjë në rritje. Kushtet e sigurisë në plazhet e Currilave dhe Porto Romanos thuajse mungojnë dhe përbëjnë rrezik veçanërisht për shumë pushues.

Dy të moshuar humbën jetën në plazhet e Durrësit këtë të shtunë. Vetëm pak minuta më vonë, një turiste polake u mbyt në plazhet e Sarandës. Viktimat, pushues të pamësuar me detin, mund të kishin shpëtuar, nëse pushteti vendor i këtyre dy qyteteve do të kishte marrë masa për vendosjen e rojeve të sigurisë në plazhe.

Të shtunën, në këto dy plazhe rrezikuan të mbyten edhe 3 të tjerë, që fatmirësisht u ndihmuan nga pushuesit që nuk qëndruan pasivë. Rreziku është i madh, veçanërisht kur dielli është i fortë, temperaturat janë të larta, por deti, edhe pse me thellësi që rritet gradualisht, ka dallgë dhe rryma të forta detare.

Jo vetëm në këto dy plazhe, por dhe në plazhet e tjera të Durrësit e më gjerë, mungon sinjalistika paralajmëruese. Në plazhe duhet të ketë bova për notuesit, flamuj paralajmërues me ngjyra që ndryshojnë në varësi të kushteve të motit e detit, apo dhe higjienës së plazhit, siç duket në pamjet e plazheve të huaja.

Ç’është më e rëndësishmja, mungojnë vrojtuesit e plazheve, personeli i trajnuar për të shpëtuar jetë dhe dhënë ndihmën e parë. Këto masa janë një detyrim ligjor për bashkinë dhe subjektet që kanë plazhet në përdorim. Pjesa më e madhe e kontrolleve në terren mbyllen me paralajmërime, pa detyruar subjektet të marrin masat që rrisin sigurinë gjatë pushimeve dhe shpëtojnë jetët në det.

Print