• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Zjarrin e pasojnë përmbytjet, veriun e Athinës e “përpin” uji

Zjarrin e pasojnë përmbytjet, veriun e Athinës e “përpin” uji

Sikur të mos mjaftonin 87 viktima dhe mbi 180 të plagosur nga zjarret që shkrumbuan Athinën, kryeqyteti të Greqisë do t’i duhet të përballet edhe me reshjet e dendura të shiut që kanë shkatuar përmbytje në pjesën qendrore dhe veriore. Një stuhi goditi periferinë veriore të Athinës të enjten, duke përmbytur rrugët dhe duke shkatërruar makina. Stuhia e papritur shpërtheu rreth orës 13:30 në rrethinat veriore dhe ka shkaktuar probleme serioze në rrugë.

Shërbimi zjarrfikës tha se kishte marrë më shumë se 140 thirrje për ndihmë, shumica e të cilave përfshinin shpëtimin e shoferëve nga automjetet e tyre gjysmë të fundosura në lagjet veriore të Maroussi dhe Halandri.

Makina në një parking në cep të rrugëve të Sorrou dhe Kifissias u zhytën në ujë me baltë. Zjarrëfikësit gjithashtu u thirrën për të larguar ujin nga shtëpitë.

Më tej në veri, policia shkurtimisht ndali trafikun në urën Evrimanthou në Kifissia dhe në rrugën sekondare të autostradës kombëtare Athinë-Lamia në Nea Erithrea, për shkak të përmbytjes.

Imazhe të pabesueshme shpalosen nga lagjia Marusi, pasi rrebeshi i ashpër që goditi rrethinat veriore i ka kthyer parkimet në “liqene”.

Sipas shërbimit kombëtar të motit, pritet shi dhe stuhi të forta të enjten në mbrëmje në shumë rajone të Greqisë, duke përfshirë rajonin e Atikës dhe Selanikut.

Print