• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Ekosistemi natyror Krastë-Verjon shpallet “Peizazh i Mbrojtur”

Ekosistemi natyror Krastë-Verjon shpallet “Peizazh i Mbrojtur”

Ekosistemi natyror Krastë-Verjon është shpallur “Peizazh i Mbrojtur” dhe do të ketë një sipërfaqe prej 1469.239 (një mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë pikë dyqind e tridhjetë e nëntë) ha.

Me propozim të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi që brenda afatit 1 vjeçar pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të hartojnë planin e menaxhimit të peizazhit të mbrojtur, i cili miratohet nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore.

Vendimi i plotë:

V E N D I M PËR SHPALLJEN E EKOSISTEMIT NATYROR KRASTË-VERJON “PEIZAZH I MBROJTUR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 12, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shpalljen e ekosistemit natyror Krastë-Verjon “Peizazh i mbrojtur”, me një sipërfaqe prej 1469.239 (një mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë pikë dyqind e tridhjetë e nëntë) ha, kategoria V, sipas hartës në shtojcën 1 dhe kufijve të paraqitur sipas tabelës së koordinatave në shtojcën 2, pjesë përbërëse e këtij vendimi.

Kjo zonë përfshin territoret urbane, trojet e përziera me tokë bujqësore dhe pyjore, shkurre dhe sipërfaqe ujore. Mbulesa e tokës brenda sipërfaqes së peizazhit të mbrojtur Krastë-Verjon jepet në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës dhe me njësitë e qeverisjes vendore, me institucionet kërkimore-shkencore, me përfaqësuesit e biznesit e të pronarëve privatë, organizata të shoqërisë civile, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të hartojnë planin e menaxhimit të peizazhit të mbrojtur, i cili miratohet nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Durrës kryen funksionet e administratës së peizazhit të mbrojtur Krastë-Verjon.

Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe njësitë përkatëse të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Print