• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Gjykata rrëzon HEC-et në kanionet e Osumit

Gjykata rrëzon HEC-et në kanionet e Osumit

Gjykata Administrative rrëzoi ankimimin e subjekteve për HEC-et në Osum duke i dhënë të drejtë ministrisë së turizmit dhe Mjedisit për pezullimin e ndërtimit të këtyre HEC-eve. Vendimin e gjyqësorit e ka bërë të ditur ministri Blendi Klosi gjatë aktivitetit në Ditën Botërore të Rangers, zhvilluar në Liqenin Artificial në Tiranë.

“Fituam një nga betejat e para për natyrën. Gjykata sapo ka vendosur, anulimin e HEC-eve Osum”, deklaroi ministri Klosi gjatë fjalës së tij. Kreu i Turizmit dhe Mjedisit përshëndeti vendimin e gjykatës duke u shprehur: “Ky vendim na nxit edhe më shumë për të vijuar betejën tonë në mbrojtje të natyrës. Më në fund, perla natyrore e Osumit, shpëtoi. Osumi do të mbetet pasuri e përbashkët natyrore.”

Megjithatë ministri Klosi theksoi se drejtësia jo gjithmonë ka qenë në mbrojtjen e natyrës me vendimet e saj. “Pak ditë më parë, gjykata dha vendimin skandaloz të rifillimit nga puna të dy guroreve në Berat. Por pak nga pak dhe të gjithë bashkë do t’ia dalim të mbrojmë asetet tona natyrore”, tha ministri Klosi duke shtuar se drejtësia duhet të jetë në shërbim të interesave të qytetarëve.

Print