Ndryshimet e Klimës - Sa Preken Shqiptarët?

Ndryshimet klimatike nuk janë të tretshme për këdo. Por ndërkohë që në Paris këto ditë po mbahet samiti i klimës ku me shumë gjasa do të mbërrihet në një marrëveshje botërore për të ulur shkarkimet e gazit serrë, njerëzve me të drejtë u lind pyetja se çfarë rëndësie ka kjo marrëveshje dhe si ndikon në cilësinë e jetës së tyre.

Përgjigjet janë të shumta. Si fillim, ne na ka rënë për pjesë të jetojmë në këtë planet dhe nuk kemi një tjetër rezervë ku të shpërngulemi pasi ta kemi shkatërruar këtë që kemi. E dyta është se dëmtimi dhe pasojat nga shkarkimi i gazit serrë janë aq katastrofike për të ardhmen tonë, saqë efektet kanë nisur të shihen që tani.

Le të imagjinojmë për një çast që bregdeti i bukur shqiptar të zhduket bashkë me të gjithë pyjet dhe speciet e rralla dhe në vend të burimeve ujore natyrore me të cilat jemi bekuar, të mallkohemi nga thatësira dhe mungesa e ujit. E imagjinoni dot? Përshkrimi është pak i errët, por me shumë gjasa kjo do të jetë e ardhmja edhe e vendit tonë nëse në Paris nuk arrihet në një marrëveshje për klimën.

Për ta kuptuar më mirë këtë, mjafton të përmendim faktin që në Tiranë përshembull niveli i cilësisë së ajrit është dy herë më i ndotur se normat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas OBSH afro 500 vdekje në vit ndodhin për shkak të cilësisë së ajrit. Me rritjen dramatike të numrit të makinave dhe përdorimit të makinave të vjetra, trafiku në zonat urbane, është një nga arsyet kryesore të ndotjes së ajrit. Duke qenë një nga parakushtet për integrimin në BE, çështjet klimatike kanë nisur të merren seriozisht në konsideratë nga qeveria, e cila së fundmi ka nxjerrë një akt nënligjor, sipas së cilës të gjithë makinat e vjetra do të taksohen ekstra për shkak të ndotjes në mjedis. “Kjo bëhet jo vetëm që legjislacioni jonë të përafrohet me atë të bashkimit Evropian, por edhe sepse ndotja e ajrit është një nga faktorët e ndryshimeve klimatike”, tha Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Edhe pse kontributi i Shqipërisë në shkarkimet e gazrave serrë është rreth katër deri në pesë herë më i ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milion ton/vit të gazit karbonik Co2, këtyre të dhënave mund t’u gëzohemi për shumë pak kohë, nëse ne nuk kemi politika të forta për çështjet klimatike, sugjerojnë ekpertët. Për ambjentalistin Xhemal Mato, vendi ka nevojë për masa konkrete për ndryshimet klimatike dhe një ndryshim në mendësi dhe politika afatgjata. Ndërkohë që për ambjentalistin tjetër, Lavdosh Feruni ndryshimet klimatike janë një fakt, ndaj të cilit ne duhet të ndërhyjmë në mënyrë të menjëhershme.

“Shqiptarët janë sjellë keq me mjedisin këto dekadat e fundit dhe ne duhet ta rikonsiderojmë marrëdhënien njeri-planet”, thotë Feruni.

Sipas të dhënave më të fundit që Ministria e Mjedisit rezulton se energjia dhe transporti, të ndjekura nga bujqësia dhe sektori i mbetjeve janë kontribuesit më të rëndësishëm në shkarkimet e gazit serrë në Shqipëri. Respektivisht energjia-transport me (57.29%), e ndjekur nga bujqësia me (16.85%), përdorimi i tokës dhe pyjet (8.88 %) dhe në fund mbetjet me (2.31%).

Siç shihet qartë dhe nga të dhënat, kontribuesit më të mëdhenj të CO2 janë energjia dhe transporti. Ulja e shkarkimit të gazit, për të cilin Shqipëria është zotur dhe në Samitin e Klimës në Paris kërkon një revolucion në energji dhe në prodhim. Për Gjergji Simakun, Drejtor i Departamentit të Efiçencës dhe Energjisë së Rinovueshme në Ministrinë e Energjisë, rolin kryesor në uljen e emetimit të gazit serrë do ta luajë pikërisht energjia e rinovueshme. Në të njëjtën kohë, çmimi i karbonit do të mundësonte një tranzicion më të lehtë ndaj lëndëve djegëse fosile duke inkurajuar investimet në risi teknologjike.

Sa shumë jemi në telashe?

Rreziku do të jetë më i madh në dekadat e ardhshme, por shkarkimet e gazit që po e krijojnë këtë rrezik po ndodhin pikërisht tani. Në 25 apo në 30 vitet e ardhshme, shkencëtarët thonë se klima do të jetë pak a shumë e ngjashme me atë të sotshmen, por duke u ngrohur disa gradë më shumë. Shirat do të jenë më të rrëmbyeshëm në shumë vende të botës, por periudhat ndërmjet shiut do të jenë shumë më të nxehta dhe rrjedhimisht më të thata. Përmbytjet do të shtohen dhe do të shkaktojnë akoma më shumë dëme. Në një kohë më të gjatë, nëse shkarkimi i gazit serrë do të rritet pa kontroll, rreziqet do të jenë akoma më të mëdha. Shkencëtarët i druhen faktit se efektet e ndryshimeve klimatike do të destabilizojnë shumë vende, duke sjellë valë refugjatësh, duke zhdukur shumë bimë dhe kafshë nga toka dhe duke bërë që akujt polarë të shkrijnë duke rritur nivelin e deteve aq sa të përmbysë shumë qytete bregdetare të botës.

Çfarë mund të bëj unë?

Ka shumë mënyra të thjeshta për të ulur shkarkimin e gazit, shumë prej të cilave do t’ju kursejnë dhe para. Mund të bëni një termoizolim më të mirë të shtëpisë që të jetë ngrohtë në dimër dhe e freskët në verë, mund të përdorni llamba më ekonomike. Të fikni dritat në dhomat ku nuk qëndroni, të përdorni më pak makinën dhe më shumë transportin publik apo biçikletën, të shpërdoroni më pak ushqimin dhe të konsumoni më pak mish. Por në fund, pavarësisht të gjithave sistemi energjetik nuk mund të ndryshojë pa politika të forta. Prandaj është me rëndësi të ngresh zërin dhe të kërkosh të drejtat si qytetar, pasi kjo ka më shumë vlerë se çdo gjë tjetër që mund të bësh.

Print