Parisi, Tirana dhe ekonomia e mjedisit

Ne kemi pak lidhje me ekonominë e Parisit dhe ndaj titulli mund të jetë çorientues për lexuesin. Në fakt fundviti i 2015-s i la Parisit vëmendjen botërore për dy arsye: e para, kishte të bënte me sulmet e tmerrshme terroriste me qindra të vdekur dhe e dyta, me mbledhjen e gjithë vendeve të botës për të vendosur politikat e koordinuara për të ulur pasojat negative në njerëz dhe në ekonomi të ngrohjes globale. Në një shkrim të botuar në revistën “The New Yorker”, më 7 dhjetor 2015, thuhej se lufta civile në Siri dhe aktet terroriste në Paris ishin të lidhura njëra me tjetrën si pasojë e ngrohjes globale.

Sipas këtij shkrimi ministri i Bujqësisë së Sirisë i kishte shkruar OKB-së se kostot e thatësirës ishin shumë të larta për një shtet të vetëm për t’i përballuar ndaj kërkohej ndihmë. Sipas kabllogramave të dala më vonë, autoriteteve amerikane i ishte kërkuar gjithashtu ndihmë por pa patur efekt. Në fakt thatësira zgjati për katër vite radhazi duke çuar në qindra mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre në fshat për t’u zhvendosur në qytete të tilla si Alepo apo Damasku. Kjo lëvizje e madhe demografike e kombinuar me të ardhurit nga Iraku mendohet se mund të ketë destabilizuar së brendshmi Sirinë aq sa për të krijuar kushtet për destabilitet politik.

Në studimin “Ndryshimet Klimatike dhe Mosbindjet Civile” botuar në shtator të vitit 2015 Daniel Hicks, Universiteti i Oklahomas, shkruan se El Nino, periudha të gjata të temperaturave të larta, sjellin mosbindje të larta civile e demonstrata antiqeveritare, kryesisht në shtetet e Amerikës Latine. Kjo lloj sjelljeje sipas tyre kërkon në mënyrë kritike të ndërtohet ajo infrastrukturë sociale dhe politike për t’u bërë ballë këtyre ndryshimeve të paprecedenta. Ndërkohë studimet mbi lidhjen mes konflikteve sociale dhe ndryshimeve klimaterike që shfaqen në formën e thatësirës, përmbytjeve etj., janë të shumta dhe të gjitha çojnë në të njëjtin përfundim: ekonomia nuk mund të lërë mënjanë efektet në mjedis të veprimtarisë së saj.

Shqipëria sipas studimeve tregojnë se në të ardhmen do të përballet me: rritjen e sezoneve të thata dhe në shtimin e shirave intensive (në 24 orë pa ndërprerje) në 2050-n. Sipas këtyre studimeve aktualisht Shqipëria ka 1485 mm reshje shiu në vit, ndërsa në dy dekadat që vijnë thatësirat në Jug të vendit mund të çojnë në reshje vjetore 550 mm në vit dhe në zonën e Myzeqesë në 950 mm në vit.

Për t’u bërë ballë këtyre fenomeneve ekonomia mjedisore është shndërruar ndër disiplinat më të kërkuara vitet e fundit në shumë universitete prestigjioze në SHBA dhe Angli. Në to studiohet pikërisht kosto dhe përfitimi për shumë politika ekonomike të ndjekura nga shtetet në periudhën afatgjatë. Në fakt ish-vendet Sovjetike mbanin rekord në injorim të pasojave mjedisore të politikave të tyre të industrializimit. Kjo praktikë e keqe na ka ndjekur dhe gjatë periudhës post-komuniste ku politikanë dritëshkurtër kanë lejuar dhe lejojnë për arsye të përfitimeve personale dëmtime të pariparueshme në pyjet e lumenjtë tanë.

Në konferencën e mbajtur pas takimit në Paris, ministri i Mjedisit Koka mbajti një fjalim me gazetarët për t’u shpjeguar atyre se çfarë u diskutua në Paris dhe çfarë problemesh po sillnin Kina dhe India si ndotës të mëdhenj në negociata. Në këtë fjalim u thanë po të njëjtat fjalë se do të pengohet prerja e pyjeve, se do të ketë monitorim të shfrytëzimit të lumenjve etj. Po ashtu në raportin vjetor të Ministrisë së Mjedisit renditen në mënyrë automatike të dhëna të ndotjes së ajrit, ujit dhe erozionit të tokës, por pa ndonjë analizë risku për vitet e ardhshme dhe çfarë politikash do të ndiqen nga shteti shqiptar për të minimizuar kostot afatgjata të ndryshimeve klimaterike në ekonomi dhe shoqëri. Mos harrojmë efektin negativ në GDP gjatë katër viteve të shkuara si pasojë e përmbytjeve në zonat e Shkodrës, Fierit, Vlorës dhe së fundmi Shijak dhe Sukth.

Sipas Bankës Botërore Shqipëria ka një histori të përmbytjeve relativisht të shpeshta, sidomos në dy dekadat e fundit. Përmbytjet janë “përkeqësuar në dekadat e fundit për shkak të shpyllëzimit dhe erozionit, të kombinuara me mungesën e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese dhe stacioneve të pompimit”. Ndaj me këto të dhëna pesimiste ne na duhen politika të qarta objektiva të matshme dhe të arritshme. Përmbytjet do të përsëriten dhe në vitet e ardhshme, por politika nuk po përgatit as ekonominë, as popullatën për to. Shembulli i suksesit merret Gjermania e cila në korrik të vitit që lamë pas, mundi të prodhojë 78% e të gjithë energjisë së saj nga burime të rinovueshme. Ulja e ndotjes së mjedisit dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme njihet publikisht si Energiewende. Shqipëria ka një mesatare vjetore 240-260 ditë me diell dhe për pasojë, përdorimi i energjisë diellore është mjaft ekonomik dhe mund të garantojnë në çdo kohë furnizim pa ndërprerë me energji në zona të caktuara. Ne mund dhe duhet të kemi Energiewenden tonë, përndryshe studimet e lartpërmendura na kanë paralajmëruar për efektet negative mjedisore në ekonomi dhe politikë në të ardhmen.

Print