Bashkia e Tiranës bëhet ekologjike, do blejë makina elektrike

Bashkia e Tiranës kërkon të japë shembullin në ekologjizimin e flotës së automjeteve në kryeqytet, duke blerë 6 automjete elektrike. Në procedurën e hapur ditën e premte për blerjen e disa mjeteve të transportit për nevojat e Bashkisë, krahas 1 mikrobuzi, 2 karotrecash dhe 2 kamionçinash Pick-Up, preventivi përfshin edhe 5 autovetura elektrike dhe 1 autoveturë elektrike hibride, e cila funksion edhe me benzinë. Krahas 6 autoveturave elektrike, tenderi përfshin edhe blerjen e një karikuesi fast-charger për këto lloje automjetesh, për një fond limit prej mbi 48 milionë lekësh.

Pjesa më e madhe e këtij fondi duket se do të shkojë pikërisht për blerjen e automjeteve elektrike të prodhuara 2 vitet e fundit me kilometrazh zero. Sipas specifikimeve për automjetet elektrike, kërkohet që bateria të ketë një kapacitet minimal prej 55 KWh dhe modelet më të lira me këto parametra nisin nga 37 mijë dollarë, deri në mbi 100 mijë dollarë për modelet më të kushtueshme Tesla.

Por pavarësisht avantazheve ekologjike, problemi më i madh me autoveturat elektrike mbetet distanca që mund të përshkojnë. Nëse këto automjete do të jenë të karikuara plotësisht, distanca maksimale do të jetë 300 kilometra, e cila është e mjaftueshme për të shkuar nga Tirana në skajet e Shqipërisë.

Nuk dihet nëse stacioni i karikimit të Bashkisë do të mund të përdoret edhe nga automjetet e tjera elektrike në kryeqytet, duke iu shtuar atyre të Sheshit Skënderbej dhe Bulevardit të ri, por diçka e tillë do t’i jepte një shtysë më shumë qytetarëve për të kaluar në makina elektrike me bateri.

Fituesi i këtij tenderi do të ketë 90 ditë kohë për të dorëzuar mjetet, çka nënkupton se me shumë gjasa do t’i shohim veturat elektrike në qarkullim në fillim të vitit të ardhshëm.

Print