Parqet fotovoltaikë, qeveria çmime favorizuese për prodhuesit deri në shlyerjen e investimit, maksimumi 15 vjet

Qeveria do të nxisë investimet në energji që janë të orientuara tek burimet e rinovueshme. Energjia nga dielli duket se do të marrë edhe një pjesë të politikave mbështetëse. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë një tryeze teknike me përfaqësues të rëndësishëm të sektorit por edhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e vuri theksin pikërisht tek politikat për afrimin e investitorëve serioze në sektor.

“Nxitja e këtyre investimeve bëhet domosdoshmëri, edhe nisur nga fakti se jemi aktualisht 100% të varur nga energjia ujore. Ligji i ri për energjitë e rinovueshme dhe plani kombëtar i qeverisë për promovimin e këtyre burimeve po hedh hapat e para duke shtruar platformën operacionale dhe ligjore për të konkretizuar investimet e para.

Në bashkëpunim me BERZH-in, po punohet që 30 deri 50 mega të jepen mbi bazën e ankandeve, duke afruar investitorë seriozë, por edhe të marrim tarifa të përballueshme”, – tha Gjiknuri

Bursa e energjisë dhe favorizimi me çmimin

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon që të nxisë investimet tek burimet e rinovueshme dhe kryesisht dielli përmes mbështetjes me çmime favorizuese. Në këtë aspekt, një rol të rëndësishëm do të luajë Bursa e Energjisë apo siç njihet (Albania Power Exchange).

Bursa do të krijojë mundësi reale për të gjithë prodhuesit e energjisë, që të përfitojnë nga avantazhet që ky organizim sjell, për një pjesëmarrje jo vetëm në tregun nacional, por edhe atë rajonal e më gjerë.

Për herë të parë, mbështetja do të jepet në formën e njё shpërblimi pёr arritjen e çmimit tё caktuar, si shtesë çmimit tё referencës – Kontratat CfD. Kontrata për diferencë parashikohet për një shpërblim të ndryshueshëm, tё llogaritur si diferenca midis çmimit me të cilin prodhuesi i energjisë së rinovueshme është shpallur fitues në procesin konkurrues për dhënien e ndihmës (çmimi paracaktuar) dhe çmimit tё tregut të energjisë elektrike (çmimi reference).

Këshilli i Ministrave, do të miratojë procedurën për organizimin e procedurës konkuruese të ankandit, për dhënien e mbështetjes ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë.

Mbështetja financiare pёr prodhuesit e energjisë së rinovueshme do të jepet deri në vetëshlyerjen e plotë të impiantit, në përputhje me rregullat e kontabilitetit dhe çdo ndihmë investimi të marrё më parë. Kontrata për diferencë do të ketë një kohëzgjatje maksimale prej 15 vjetësh.

Print