Park fotovoltaik në Kaninë, aplikime edhe për HEC në Shkozë

Shoqëria “Ran Energji” sh.p.k., ka aplikuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e hidrocentralit “Lumshtylla”. Kapaciteti prodhues i hidrocentralit për të cilin kjo shoqëri ka aplikuar arrin deri në 2 MW dhe do të ndërtohet në pellgun ujëmbledhës të përroit të Shtjellës, në afërsi të fshatit Shkozë, Bashkia Pukë. Kjo është një shoqëri me objekt aktiviteti projektim, ndërtim dhe vënie në punë, administrim dhe mirëmbajtje hidrocentrali. Ndërkohë, pranë MIE vijojnë aplikimet dhe shprehjet e interesit për ndërtimin e impianteve për prodhimin e energjisë nga dielli.

Shoqëria “GEGA & MASKA” ka shprehur interesin për ndërtimin e një parku fotovoltaik me kapacitet prodhues 2 MW. Parku është parashikuar të ndërtohet në zonë “Kaninë” të Vlorës, e cila vetëm para disa ditësh u shpall edhe ‘zonë e mbrojtur’. Bëhet fjalë për një investim me një vlerë prej 1 680 588 80 Euro.

Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë po bashkëpunon me BERZH për të afruar investitorë për zhvillimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri. Kjo e fundit do të ndihmojë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji nëpërmjet shfrytëzimit të të gjitha burimeve kombëtare.

Ndërkohë qeveria u zotua të paguajë diferencën e çmimit të energjisë të ofruar nga impiantet fotovoltaike me çmimin e energjisë në bursë. Tarifa e referencës e caktuar është 100 euro.

Print