Bursa e energjisë, miratohet draft-ligji për krijimin

Bursa e Energjisë, një nga pjesët më të rëndësishme të tregut të energjisë, do të ngrihet së shpejti. Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit të mbajtur të mërkurën (më 22 nëntor) një projektligj që zgjidh “ngërçin”, duke përcaktuar se cili do të jetë operatori që do ta ketë nën menaxhim. Këtë detyrë, sipas vendimit, do ta ketë Operatori i Sistemit të Transmetimit. Me këtë projektligj, detyra e OST-së do të jetë menaxhimi dhe administrimi i platformës në bazë të parimit ditë në avancë.

Të gjithë shoqëritë e tregut si prodhues, furnizues, tregtarë, biznese do të mund të plotësojnë kërkesat e tyre për t’u listuar dhe më pas të kryejnë transaksione në bazë të kërkesave dhe ofertave.

Çfarë thotë projektligji

Ndryshimet janë bërë në ligjin “Për sektorin e energjisë” i vitit 2015 dhe kryesisht në nenin 57. Neni 57 ndryshohet, si më poshtë:

Fjalia e dytë e pikës 1 ndryshohet, si më poshtë:

“Operatori i tregut është struktura përgjegjëse për menaxhimin dhe administrimin e tregut të organizuar ndërmjet platformës së tregut, në bazë të ditës në avancë dhe brenda së njëjtës ditë, si dhe për të gjitha aktivitetet e lidhura me të, duke përfshirë edhe aktivitetin e kompensimit financiar (clearing) mes pjesëmarrësve të tregut, në përputhje me rregullat dhe modelin e tregut. Operatori i tregut do të jetë Bursa Shqiptare e Energjisë.”.

Pas pikës 1, shtohen pikat 1/1, 1/2 dhe 1/3, me këtë përmbajtje:

“1/1. Operatori i tregut krijohet në formën e shoqërisë aksionere nga OST-ja, ose nga OST-ja dhe persona juridikë të tjerë, sipas parashikimeve të pikës 1/2. Krijimi, forma ligjore, struktura e pronësisë së kapitalit e operatorit të tregut, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Energjinë dhe ministrit që ushtron të drejtat e pronarit te shoqëria “OST”, sh.a.

1/2. Subjektet private që marrin pjesë në kapitalin aksioner të operatorit të tregut duhet të jenë subjekte me aktivitet ndërkombëtar, me reputacion të mirë dhe me përvojë të gjatë në operimin e tregjeve të ngjashëm të organizuara të energjisë në Europë, të cilët operojnë në përputhje me modelin shqiptar të tregut, si dhe me rregullat e tregut, dhe/ose subjekte me përvojë të gjatë në sektorin e energjisë elektrike, dhe/ose institucione financiare ndërkombëtare. Procedurat për përzgjedhjen e subjektit/ subjekteve, si dhe kriteret specifike që duhet të përmbushin këto subjekte, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Energjinë.

1/3. Operatori i tregut mund të nënkontraktojë palë të treta për t’u siguruar ofrimin e shërbimeve, në funksion të operimit të platformës elektronike të tregut në bazë të ditës në avancë dhe brenda së njëjtës ditë, si dhe për shërbimet e lidhura me të, përfshirë aktivitetin e kompensimit financiar (clearing) mes pjesëmarrësve të tregut. Këto palë të treta duhet të jenë subjekte me reputacion të mirë ndërkombëtar tregtar, me përvojë të gjatë në ofrimin e shërbimeve të ngjashme, të cilat janë në përputhje me modelin e tregut shqiptar dhe rregullat e tregut.”.

Print