Tirana, pjesë e rrugëtimit botëror “24 Orë Realitet”

Nëse do të na duhet, ne mund ta ulim temperaturën në mënyrë dramatike vetëm duke ndërruar Fahrenheit në Celcius, por përtej humorit, sot ndryshimet klimatike janë kryefjala e bisedimeve ndërkombëtare  sepse ndryshimi nuk rezulton të jetë kaq i thjeshtë e i shpejtë. Vende të ndryshme kryesuar nga liderët e tyre po lobojnë fort për të luftuar kundër kësaj problematike. 5 dhjetori është një ditë globale veprimi mbi çështjen e ndryshimeve klimatike, e cila organizohet çdo vit nga ish Zv. Presidenti amerikan Al-Gore.

Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri ka krijuar tashmë një traditë 6 vjeçare përfshirje në aktivitetin “24 Orë Realitet”. Nën moton “Bëhu zëri i realitetit, kur planeti është në rrezik ti duhet të flasësh” këtë vit milionave njerëz nga e gjithë bota iu bashkuan dhe rreth 100 të rinj nga Shqipëria të cilët nën ftesën e REC Shqipëri ndoqën transmetimet direkte ku qytetarë, shkencëtarë, sipërmarrës dhe drejtues vendorë ndanë eksperiencat e tyre lidhur me sfidat mjedisore sot.

Në fjalën e tij në aktivitet, Z. Mihallaq Qirjo, Drejtor i REC Shqipëri theksoi rëndësinë e punës së REC dhe mbështetësve së nismave mjedisore në trajnimin dhe motivimin e të rinjve si motori i ndryshimit. Gjithashtu ai solli në bisedë jo vetëm fakte e problematika por edhe zgjidhje që secili mund të reflektojë në përditshmërinë e tij.

Nga na tjetër, ekspertja e edukimit mjedisor, znj. Daniela Ruçi testoi njohuritë e të pranishmëve nëpërmjet një pyetësori rreth problematikave më të prekshme mjedisore nga të rinjtë, çka provoi mirëinformimin dhe rolin e tyre aktiv në shoqëri.

Gjatë diksutimeve, mori fjalën edhe znj. Ina Kasimati, mësuese në gjimnazin A.Z. Cajupi në Tiranë, e cila theksoi rëndësinë e përfshirjes së moduleve të ndryshimeve klimatike dhe qasjen e tyre si lëndë me zgjedhje në gjimnazet e vendit.

Realiteti i ndryshimeve klimatike nuk ka qenë kurrë më i qartë, por me zgjidhje të energjisë së pastër si ajo e erës dhe energjia diellore që po bëhen gjithnjë e më të përballueshme, bateritë më rezistente, efiçencë në rritje në ndërtesa, zotimet e vendeve për të ulur shkarkimet e gazeve serrë dhe lajme të tjera të mira për mirëqenien tonë në planet, ka ende rrugë përpara.

Aktiviteti u mbështet nga programi SENiOR II, financuar nga Qeveria Suedeze.

Print