• Kreu
  • Uji
  • Pusteci, bashkia që synon turizmin, por nuk ka ujë të pijshëm

Pusteci, bashkia që synon turizmin, por nuk ka ujë të pijshëm

Nga Tonin Frroku

Dikur komuna Liqenas, tani Bashkia Pustec. Prej të gjithëve njihet si zonë turistike, bashki që nuk është më shumë se 25 km larg nga qyteti i Korçës, zonë më 9 fshatra, 7 prej të cilave shtrihen buzë liqenit të Prespës. Edhe duke qenë buzë “gjoli”, të gjithë këto fshatra, jo vetëm nuk kanë ujë të pijshëm, por nuk kanë as kanalizime të ujërave të zeza. Në kushte të tilla, secili prej banorëve të këtyre fshatrave ujin e pijshëm e siguron vet nga liqeni, kurse ujërat e zeza “kujdesen” për t’i nxjerr deri në derë të shtëpisë dhe më pas këto ujëra marrin rrugët e fshatrave, deri sa derdhen në liqen.

Ndaj, dhe për këtë, të gjithë këto fshatra kanë më pak turistë vendas dhe të huaj. Në fshatrat e Pustecit turistët vijnë vetëm për tavë krapi dhe në asnjë rast për t’u larë në liqenin që e kanë në derë të shtëpisë. Bashkia më e vogël në vend, ka 5300 banorë që të gjithë pakicë kombëtare maqedonase, ku banorët e saj për çudi, më tepër se të orientohen drejt turizmit, kanë marrë drejtim blegtoral. Kryetari i kësaj bashkie, Edmond Themelko, na thotë se janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të zgjidhur këtë problem, që ndikon drejtpërdrejt në jetesën e banorëve, por edhe në turizëm, megjithatë ende nuk është bërë asnjë gjë për shkak të mungesës së fondeve, edhe në kushtet kur vit pas viti janë paraqitur në ministritë e linjës projekte të shumta.

Shtatë fshatra të bashkisë suaj pa ujë të pijshëm dhe kanalizime të ujërave të zeza. A keni një koment për këtë?

Më duhet të them se ky është një problem shumëvjeçar. Në këtë bashki prej periudhës kur ishte komunë është zgjidhur problemi i furnizimit me ujë të pijshëm vetëm për dy fshatrat më të mëdha, që janë Pusteci dhe Kallamasi, por edhe këtu, furnizimi bëhet me orar, ndërsa në fshatrat e tjerë banorët kanë gjetur zgjidhje alternative përmes shpimit të puseve, ashtu siç ka të tjerë që e marrin nga liqeni.

A mund të flasim për zgjidhje?

Mund të them vetëm se në mënyrë të vazhdueshme kam kërkuar fonde, ashtu siç më duhet të bëj me dije se kam bërë edhe aplikime për marrjen e këtyre fondeve nga projekte të ndryshme, por nuk është bërë asgjë. Sigurisht kjo ka kosto të mëdha për shkak edhe të terrenit, pasi e gjithë bashkia shtrihet në Malin e Thatë dhe burimet e ujit janë të pakta. Por kur flasim për 5300 banorë të 9 fshatrave që jetojnë këtu, shumë më tepër kur bëhet fjalë dhe për një zonë turistike, e cila ka resurse të shumta dhe pasuri natyrore, shumëçka duhet bërë. Besoj se duhen bërë edhe investime të shumta nga ana e qeverisë.

Mund të na bëni më dije konkretisht kërkesat e bëra dhe sa shkon vlera për të gjithë këto investime?

Ne kemi paraqitur pranë qeverisë dhe donatorëve të ndryshëm disa projekte. Por, projektet më të ngutshme janë ato për ujin e pijshëm në shtatë fshatrat e bashkisë dhe ato të kanalizimeve të ujërave të zeza po për këto fshatra. Një aplikim që kemi bërë është tek Fondi i Rrajoneve prej të paktën 3 vitesh, por nuk kemi marrë përgjigje. Nga ana tjetër së fundmi kemi bërë edhe një aplikim tjetër tek KFW, ku vetëm për fshatin Pustec realizimi i projektit për furnizimin me ujë të pijshëm do të kapte vlerën rreth 300 mijë euro, pasi këtu problemi është i zgjidhur pjesërisht.

Atëherë na tregoni si i keni zgjidhur këto probleme?

Mos do të ishte më mirë të pyesni; si i kanë zgjidhur banorët këto probleme?! Përballë kësaj situate banorët kanë gjetur si zgjidhje hapjen e puseve për ujë dhe ndërtimin e gropave septike. Gropat septike menaxhohen vetë nga banorët dhe sigurisht kjo shoqërohet edhe me problematikën e njohur të ndotjes së liqenit.

E gjithë kjo sa ndikon në turizmin e zonës së njohur?

Shumë! Lokalet dhe hotelet janë përpjekur ta zgjidhin vetë problemin por kjo normalisht ndikon në cilësinë e shërbimeve. Mjafton t’i referohemi vetëm stinës së verës kur edhe turistët që vijnë janë më të shumtë dhe domosdoshmëria për zgjidhjen e këtij problemi është më e madhe. Favorizimi i zhvillimit të turizmit do të ishte edhe një zgjidhje shumë e mirë për bashkinë dhe banorët e saj, pasi papunësia dhe varfëria është e lartë dhe të vetmet të ardhura ngelen nga turizmi.

Së fundi, banorët e kësaj zone më tepër janë të orientuar drejt blegtorisë së turizmit, përse?

Zgjidhja e tyre. Ne gjithnjë i kemi kërkuar të shkojnë drejtë turizmit familjarë, por pa ujë dhe pa kanalizime edhe ata e kanë tejet të vështirë të investojnë në turizëm. Zona është nga më të bukurat në vendin tonë, por duke mos pasur investime për fatin e keq mbetet një nga zonat blegtorale dhe jo turistike në juglindje të vendit.

 

Print