• Kreu
  • Uji
  • Shkumbini, lumi që të jep mundësinë e plazhit por edhe ndotjet kimike

Shkumbini, lumi që të jep mundësinë e plazhit por edhe ndotjet kimike

Nga Fatos Salliu

Lumi Shkumbin është një nga lumenjtë kryesorë në Shqipëri. Ai buron në malin e Valamares në afërsi të Pogradecit dhe, pasi përshkon një luginë 181 km të gjatë, përfundon në detin Adriatik me grykëderdhje në një nga plazhet më të bukur të vendit, Plazhi i Vilë-Bashtovës. Ka rëndësi të madhe jetike. Kalon mes për mes territorin shqiptar duke e ndarë vendin në dy pjesë të mëdha në Veri dhe Jug. Lugina e Shkumbinit zotëron bukuri të rralla natyrore me vende piktoreske, katarakte, shpella e plazhe të vogla, etj.

Ai shquhet për florën dhe faunën e pasur. Frekuentohet dendur për peshkim. Hasen edhe vendbanime të hershme Ilire si në Selcën e Poshtme në Krahinën e Mokrës ura e Golikut atje ku bashkohen tre degë të lumit Shkumbin. Më pas lumi kalon nëpër bashkinë e Librazhdit, Elbasanit, Peqinit, Rrogozhinës deri sa derdhet në detin Adriatik. Lumi Shkumbin luan një rol të madh në jetën e banorëve të luginës së tij.

Disa të dhëna për të: Sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës 2445 km2; lartësia mesatare 753.2 m mbi nivelin e detit, prurjet mesatare 61m3; 181.4 km; gjerësia mesatare B = 13.4 km. Ujrat mbitokësore të lumit Shkumbin shfrytëzohen për ujitjen e tokave bujqësore e cila realizohet me anë të kanaleve të mëdha ujitës si kanali Naum Panxhi në Elbasan, apo kanali BishqemKavajë në Peqin. Uji i Shkumbinit përdoret edhe si ujë industrial për industrinë e lehtë dhe të rëndë që është e instaluar në qytetet kryesore që ndodhen pranë tij. Sasia e përgjithshme e ujit që shfrytëzohet është rreth 1250 L/sek, për furnizimin e qytetit të Elbasanit me ujë të pijshëm kryesisht nga Krasta e Madhe dhe Krasta e Vogël. Për pasojë cilësia e ujit të këtij lumi ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e mbi 500 mijë banorëve. Ndotja Studimet e kryera kanë vërtetuar se pas viteve 70 Shkumbini rezulton të jetë një nga lumenjtë më të ndotur në shkallë vendi. Dekada më parë ndotja ishte e shkaktuar kryesisht nga Kombinati Metalurgjik, Rafineria e naftës në Cërrik si dhe nga aktiviteti industrial i zonës. Por edhe ujërat e zeza të qytetit hidheshin të pa përpunuara në lumë.

Ndërsa pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar ndotësi më i madh i lumit Shkumbin u kthye faktori njeri. Rritja e konsumit dhe mungesa e projekteve për ndërtimin e landfilleve për depozitimin e mbetjeve urbane bënë që plehrat dhe ujërat e zeza të kthehen në armikun kryesor ndotës për këtë lumë. Studimet e viteve të fundit kanë dëshmuar për shkallë të lartë të ndotjes nga ujrat e zeza të pa përpunuara që derdhen në këtë lumë. Kjo ndotje nis në Librazhd dhe arrin shifra alarmante në Elbasan ku derdhen pa asnjë përpunim ujërat e zeza të qytetit. Dy pikat më të ndotura në këtë qytet janë ato ku derdhen Përroi i Manazeres dhe Përroi i Zaranikës. Ndotja vazhdon më tej në Peqin, Rrogozhinë e deri sa derdhet në Adriatik. Matjet kanë vërtetuar se në perëndim të Elbasanit niveli i bakterieve për 100 ml ujë arrin në mbi 100 mijë. Ndërsa treguesi specifik i ujërave të zeza, koliformët fekalë (E. Coli) arrijnë në shifra alarmante duke e bërë këtë ujë praktikisht të papërdorshëm në çdo aspekt. Ndotja më e lartë arrin në muajt e verës kur niveli i ujit bie dhe temperaturat favorizojnë zhvillimin e mikrobeve. Kështu në muajt e ftohtë dhjetor, janar, shkurt sasia e koliformëve për 100 ml ujë është 1700.

Ndërsa në muajt e verës si korrik, gusht shtator e deri në tetor arrin në 17.000. Merret me mend se sa i rrezikshëm është ky ujë. Specialistët e sëmundjeve të lëkurës në Elbasan prej kohësh kanë dhënë alarmin duke njoftuar popullsinë që të mos frekuentojë për plazh ujërat e lumit Shkumbin pasi shkakton sëmundje të rënda e të pa shërueshme në lëkurë. Përdorimi si ujë i pijshëm është rreptësisht i ndaluar pasi shkakton intoksikacione, diare dhe sëmundje të rënda të traktit tretës. Gjithashtu, peshku dhe çdo gjallesë tjetër e lumit Shkumbin pas rrjedhës së tij në Elbasan është i ndaluar për tu konsumuar. Një ujë i tillë i molepsur në mënyrë dramatike ka ndikuar në jetën e faunës së lumit Shkumbin e cila është drejt zhdukjes. Por ky ujë që përdoret gjërësisht për ujitje mësohet se ka kontaminuar mijëra hektarë tokë bujqësore. Kjo po manifestohet me shfaqjen e sëmundjeve në fruta perime, dhe kultura bujqësore. Specialistët e bujqësisë shprehen se pasojat e ndotjes së tokës do të ndjehen gjatë.

Ndotja e rrezikshme

Ndaj për të gjitha këto arsye kërkohet ndërhyrje emergjente për ndërtimin e impianteve të përpunimit të ujërave të zeza në qytetin e Elbasanit dhe në qytetet e tjera që ndodhen buzë lumit Shkumbin. Vetëm në këtë mënyrë ai do të kthehet brenda standarteve të kërkuara të Bashkimit Europian mbi ndotjen. Ulja e ndotjes rikthen florën dhe faunën natyrale. E bën atë një lumë të pastër që mund të shfrytëzohet pa kufizim për nevojat e njerëzve që banojnë në këtë luginë. Ai mund të përdoret si ujë i pijshëm, ujë industrial, ujë për ujitje etj. Mund të frekuentohet për peshkim, plazh e turizëm pa pasur frikë se mund të kontaminojë. Mbrojtja dhe ruajtja e Shkumbinit është pra e padiskutueshme pasi pa këtë lumë nuk mund të kuptohet vetë jeta në luginën e tij. Shkumbini është një lumë që shfrytëzohet edhe për banjo dielli. Pjesa sipër Elbasanit shfrytë- zohet edhe sot pasi konsiderohet me nivel të ulët të ndotjes. Kështu një nga këto stacione të rëndë- sishme për qytetarët elbasanas është Miraka, një plazh shumë i bukur ku ndërthuren uji i pastër i lumit, natyra e gjelbër dhe rëra. Fare pranë ndodhen lokale me gatime tradicionale të zonës. Po kështu edhe uji i ftohtë në Labinot konsiderohet si një tjetër pikë turistike e Shkumbinit. Në fakt e gjithë lugina është e bukur pasi lumi gjarpëron mes malesh të larta të veshur me pyje. Shkumbini frekuentohet shumë nga peshkatarët. Krapi i ujërave të ëmbla është peshku tipik i tij. Por gjuetia me dinamit e ka dëmtuar shumë faunën përfshirë edhe peshqit. Përgjatë dhe paralel me Shkumbinin kalon vija antike Egnatia. Ende ka gjurmë të urave të saj mbi këtë lumë siç është ura me kama, në afërsi të Elbasanit që lidhte rrugën Egnatia me Apolloninë dhe Vlorën. Në Shkumbin ndodhen disa monumente natyre. Mes tyre veçohen rrapet shekullorë ndër më të rëndësishmit prej të cilëve janë ata të pikës turistike të Byshekut.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në: http://www.shekulli.com.al/p.php?id=451194

 

Print