• Kreu
  • Uji
  • Situata e përmbytjeve në vend

Situata e përmbytjeve në vend

Reshjet e shiut kanë krijuar një situatë alarmante në kryeqytet. Vërshimi i ujit dhe dalja nga shtrati i dy lumenjve të Tiranës kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të kryeqytetit. Dhjetëra biznese dhe banesa u mbushën me ujë në disa lagje të kryeqytetit. Lana doli nga shtrati përgjatë gjithë gjatësisë së saj, duke filluar nga “Vasil Shanto” për të përmbytur më pas rrugët, shtëpitë dhe katet e para të pallateve tek pallati me “Shigjeta” dhe në vijim. Banorët e dëmtuar kërkuan ndihmë nga autoritetet, por askush nuk u kujtua për ta “E gjithë shtëpia m’u mbush me ujë.

Janë dëmtuar të gjitha pajisjet elektro shtëpiake, shtëpia është bërë e pabanueshme. Askush nga Bashkia nuk ka ardhur ndonëse kam kërkuar ndihmë”, shprehet një banor tek pallatet me “Shigjeta” Pranë shkollës “Teknologjike” punimet për Unazën e Madhe ishin pezulluar, ndërsa terrenin e ndërtimit e pushtoi uji.

Në afërsi të shkollës “Teknologjike”, niveli i ujit po arrin në rrugën e makinës. Dhjetëra biznese janë përmbytur tek pallati me “Shigjeta”.

Në orët e para të ditës lumi Lanë doli nga shtrati tek lulishte “1 Maji”. Vërshimi i ujit në rrugë ka bllokuar lëvizjen e mjeteve dhe të udhëtarëve për rreth një orë. Përmbytje janë shkaktuar edhe në zonën e Don Boskos. Si pasojë e reshjeve të dendura, shumë shkolla janë detyruar të ndërpresin mësimin për turnin e pasdites.

Një nga zonat në të cilën situata u paraqit tejet alarmante, ishte ajo e Kombinatit. Dhjetëra shtëpi në rrugën “Shaban Bardhoshi” u pushtuan nga uji. Siç tregojnë banorët, si këtë radhë, asnjëherë më parë uji nuk kishte vërshuar nëpër banesat e tyre.

Nga vërshimi i ujërave janë përmbytur katet e para të banesave dhe dhjetëra bizneseve. Ndërsa dalja nga shtrati i lumit të Tiranës ka çuar në shembjen e një banese në zonën e Bregut të Lumit, ndërsa dhjetëra të tjera janë përmbytur.

Paskuqani dhe Bregu i Lumit janë dy zonat më të prekura nga përmbytjet, ku si pasojë janë evakuar banorët në rrezik. Dhjetëra banesa pranë bregut të lumit u përmbytën nga vërshimi i ujit. 28 familje janë evakuuar, por në rrezik janë edhe dhjetëra të tjera. Banorët e familjes Ndokaj thonë se, natën do të bëjnë roje, pasi frikësohen se mos lumi i hyn në shtëpi. Të njëjtin shqetësim kanë të gjithë banorët e zonës pranë Bregut të Lumit në Tiranë.

Në vendin e quajtur Fabrika e Tullave, rruga “Mersin Mema” në Laprakë sipas dëshmitarëve në zonë, uji ka nisur të hyjë në shtëpitë e banorëve. Në Babrru janë evakuar 25 familje, pasi banesat e tyre rrezikoheshin nga përmbytjet e lumit të Tiranës. Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Bashkinë e Kamzës.

Kryebashkiaku i saj, Xhelal Mziu ka dalë në terren të inspektojë situatën dhe ka kërkuar ndihmë nga qeveria. “Përmbytje Kamëz-Paskuqan! Kërkohet mbështeje financiare për qytetarët dhe investime!”, shkruan Mziu në profilin e tij në Facebook.

Përmbytje ka patur edhe në lagjet “Irfan Tomini”, në Kombinat, në Shkozë, në Laprakë dhe në disa zona të tjera. Banorët kanë kërkuar këtu prezencën e kryebashkiakut Veliaj ose kryeministrit, po asnjëri nga këta nuk ndodhet në Shqipëri.

Përmbytet nënkalimi në Mullet Reshjet intensive të shiut kanë sjellë pasoja edhe në aksin rrugor Tiranë - Elbasan. Situata më e rënduar është paraqitur në nënkalimin në zonën e Mulletit, i cili të çon drejt autostradës Tiranë-Elbasan. Mbushja me ujë e këtij nënkalimi e ka bërë të pamundur kalimin e automjeteve në këtë aks, ndaj të gjitha automjetet kanë përshkruar gjatë gjithë ditës rrugën e vjetër që të çon drejt qytetit të Elbasanit.

Në zonën e Ibës ka patur rrëshkitje të pjesshme të dherave. Probleme janë paraqitur tek disa biznese, të cilëve rrjedha e ujit u ka marrë përpara të gjitha materialet e punës. Situatë dramatike në gjithë vendin, shemben shtëpi e bllokohen rrugë Reshjet e shumta të shiut kanë sjellë probleme në të gjithë vendin, por sidomos në Veri. Në Peshkopi është bllokuar rruga që lidh qytetin me disa fshatra. Si pasojë kanë mbetur të izoluar 1200 banorë. Rruga për në fshatrat Cerjan, Zagrad e Rabdisht është bllokuar si pasojë e prurjeve të shumta të Përroit të Llixhave. Nga kjo situatë rreth 100 nxënës që ndjekin shkollën në qytetin e Peshkopisë nuk kanë mundur të kthehen në shtëpi. Mësohet se, nxënësit kanë qëndruar tek të afërmit në qytet. Po ashtu në Fushë Bulqizë për shkak të dëmtimit të rrugës, janë bllokuar fshatrat Kocaj 1 dhe Kocaj 2. Në Mat, ura që lidh fshatin Stojan me Ulzën, është mbuluar nga uji, duke ndërprerë komunikimin. Në Gjoricë të poshtme në Bulqizë lumi Drin i Zi ka dalë nga shtrati si pasojë e dëmtimit të argjinaturës. Në rrezik janë dhjetëra banesa, forcat e ushtrisë kanë shkuar në ndihmë të banorëve.

Në Vaun e Dejës rritja e prurjeve të përrenjve ka krijuar probleme në lagjen “Kapedan”. Tre banesa rrezikojnë të përmbyten. Zona e Gomsiqes është e izoluar për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Në Qarkun e Kukësit vijojnë reshjet. Disa banesa në Domaj të Hasit janë përmbytur. Banorët kanë bërë thirrje për ndihmë. Energjia elektrike mungon në disa fshatra në Kukës, Has e Tropojë. Fryrja e menjëhershme e ujërave të lumit Fan ka bërë që të përmbyten disa toka bujqësore, ndërkohë që segmentet rrugore rurale të Gjegjanit dhe fshatrave të tjerë të Pukës janë bërë të pakalueshme.

Mësuesit e shkollave të Qelzës u detyruan të udhëtojnë me orë në këmbë, pasi traseja e rrugës ishte bllokuar në fshatin Dedaj si pasojë e rrëshkitjeve masive të skarpatës së rrugës, ndërkohë që kompania mirëmbajtëse ndërhyri për pastrimin e rrugës, ndërsa shembjet vijojnë të jenë rrezik përgjatë kësaj rruge. Mungesa e pastrimit të kanaleve anësore të rrugës nacionale Pukë-Fushë Arrëz solli përmbytjen e rrugës në hyrje të qytetit të Fushë Arrëzit, e teksa ujërat vërshonin mbi rrugë nga ish-Parku deri në afërsi të qytetit, asnjë masë nuk u mor për evitimin e situatës, teksa rruga ende nuk ka mirëmbajtje.

Si pasojë e furtunës u këputën dhe u shtrembëruan 40 shtylla, janë dëmtuar rreth 100 izolatorë, ndërsa është kthyer në të papërdorshëm më shumë se 500 kg tel përcjellës. Dëmet u shkaktuan kryesisht në zonat rurale si Blerim, Fierzë, Qafë Mali e Iballë. Zejmeni nën ujë Situata më kritike paraqitet në Qarkun e Lezhës. Fshati Zejmen ka nisur të mbulohet nga uji dhe situata sa vjen e përkeqësohet. Nga banorët e zonës mësohet se aktualisht në fshatin Zejmen nuk ka energji elektrike. Qindra banorë të zonës janë duke luftuar të shpëtojnë gjithçka munden nga vala e ujit që ka përmbytur tokat, rrugët dhe tani u hyn edhe në banesa. Përrenjtë malorë po përmbytin gjithë zonën. Dhjetëra shtëpi janë rrethuar nga të katër anët nga uji. Niveli i kolektoreve në pikën kritike, ndërsa reshjet janë tejet të furishme në këto momente.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj ishte në Zejmen, ku është zona më e prekur e Bashkisë. Ndërkohë, segmenti i vjetër i rrugës Lezhë-Milot është i përmbytur. Me qindra banorë të fshatrave janë të izoluar. Në Pllanë të Lezhës, si pasojë e fryrjes së përroit të Malbardhës rrezikohen disa banesa.

Edhe në fshatin Fushë Kuqe, Bashkia Laç, si pasojë e reshjeve rrezikohen disa banesa. Në vendngjarje janë administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Laçit. Uji rrezikon disa banesa edhe në Fushë-Krujë. Në fshatin Derven i Poshtëm ka pasur prezencë uji si rezultat i fryrjes së lumit që rrezikon disa banesa. Shembet rruga në Qafë-Mali, ndërpritet qarkullimi i mjeteve Ndërpritet qarkullimi i mjeteve në aksin Qafë-Mali-Bajram Curri, pasi në vendin e quajtur “Gryka e Arstit” është shembur rruga.

Policia lokale njofton të gjithë banorët të evitojnë qarkullimin në këtë aks. Policia thotë se ka rrezikshmëri, nëse lëvizet në Qafë-Mali-Bajram Curri. Si pasojë e shembjes së rrugës 20 punonjës të OSHEE janë bllokuar në këtë zonë. Mësohet se ata po punonin për rikthimin e energjisë në Fierzë. Në të gjithë Qarkun e Shkodrës janë krijuar probleme nga reshjet e shiut. Në akset Dedaj-Razëm dhe Koplik-Bogë, ka rënie gurësh si pasojë e reshjeve të shumta. Edhe në aksin Shkodër-Qafë Qelë ka rrezik për rënie gurësh në rrugë. Në aksin Qafë Laç-Qafë Qelë ka zona me rrezik për rënien e gurëve, prandaj duhet të bëhet kujdes në qarkullimin në këtë aks.

Në aksin Pukë-Fushë Arrëz, në vendin e quajtur Kroi i Zojës, ka shembje të murit mbajtës të rrugës dhe çedim të saj. Gjatë aksit Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, ka herë pas here rënie gurësh dhe shembje të skarpatave. Në aksin Vau i Dejës-Koman ka segmente, ku ka rrezikshmëri për rënie gurësh e materialesh në rrugë. Në këtë aks, disa prej urave janë të dëmtuara. Familjet pranë lumit Erzen boshatisin shtëpitë, vërshon uji Lumi Erzen në Shijak rrezikon të dalë nga shtrati. Për këtë arsye banorëve u është kërkuar të largohen nga banesat njëkatëshe, ose të ngjiten në katet e dyta. Shkak është bërë fryrja e lumit Erzen, i cili rrezikon daljen nga shtrati.

Gjendja mbetet alarmante, ndaj familjarët kanë nisur zhvendosjen e orendive shtëpiake, nga katet e para në të dytin. Situata përsëritet sa herë që ka reshjeve intesive shiu. Në këto kushte banorët u bëjnë apel institucioneve për ndërhyrje me qëllim shmangien e përmbytjeve. Lumi Erzen për shkak të argjinaturës së dobët dhe prurjeve të shumta që vijnë nga rezervuarët vazhdimisht del nga shtrati, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme tek banesat ndërtuar buzë tij.

Lumi Ishëm del nga shtrati, rrezikohen 50 familje Një shtëpi banimi u rrëzua nga përmbytjet në Gurëz të Fushë Kuqes në Laç. 12 pjesëtarët e saj janë sistemuar në ambjentet e ish-komunës. Banesa ishte e amortizuar dhe nuk përballoi dot prurjet e ujit. Ndërkohë, problematike nga përmbytjet paraqitet situata në dy fshatrat pranë lumit Ishëm, i cili sërish ka dalë nga shtrati. Klodian Laska, banor i fshatit Murqi,

Njësia Administrative Bubq ka kërkuar ndihmë, pasi lumi Ishëm ka dalë nga shtrati dhe rrezikon 50 familje. “Jemi të bllokuar nga lumi Ishëm, i cili ka dalë totalisht nga shtrati dhe na rrezikon rreth 50 familje nga përmbytjet. Kanalet kulluese janë të papastruara. 25 vjet jemi të harruar nga pushteti lokal dhe qendror, kërkojmë ndihmën tuaj ta bëni çështje mediatike se jemi në hall dhe na rrezikohet jeta”, deklaron banori. Tërbohet” lumi Fan, merr çfarë i del para.

Uji i lumit Fan ka vërshuar, duke përmbytur me qindra hektarë tokë. Gjithashtu është 4 metra nën ujë ura që lidh fshatrat e ish-komunës Kaçinar me qytetin e Rrëshenit. Banorët tashmë janë të izoluar dhe pa energji elektrike.

Bllokohet lëvizja në “Rrrugën e “Kombit”

Reshjet e shumta të shiut që kanë nisur që mbrëmjen e djeshme dhe nuk kanë pushuar asnjë moment, kanë sjellë probleme në rrugën e “Kombit”. Rrëshkitje të shumta dherash ka pasur në disa zona të aksit rrugor më të rëndësishëm të vendit, ndërsa duket se ende nuk ka ndërhyrje për pastrimin e saj.

Del nga shtrati lumi Shkumbini

Moti i keq dhe me reshje të dendura ka shkaktuar edhe daljen nga shtrati të lumit Shkumbin. Dalja nga shtrati e Shkumbinit ka shkaktuar përmbytje në Muriqan dhe në rezervuarin e Mlizës në Elbasan. Rezervuari i Mlizës me 100.000 m3 ujë, bëhet rrezik për përmbytje, prandaj po punohet për shkarkimin e ujit në një kanal dytësor. Në disa banesa, në lagjen “Dyli Haxhire” në Elbasan uji ka mbërritur deri në pragjet e shtëpive. Banorët janë të shqetësuar dhe kërkojnë ndihmë, pasi banesat e tyre rrezikojnë të përmbyten nëse reshjet e shiut do të vazhdojnë me këtë intensitet.

Print