• Kreu
  • Uji
  • Durrës, bizneset private hedhin blloqe betoni në zonën e plazhit

Durrës, bizneset private hedhin blloqe betoni në zonën e plazhit

Hidhen blloqe betoni në plazhin e Durrësit. Prej rreth një muaji në sektorin Teuta, një sipërfaqe prej 200 m gjatësi vijë bregdetare dhe 30 m thellësi në det është rrethuar nga blloqe betoni. Një situatë e tillë ka shqetësuar jo vetëm banorët e zonës së plazhit por edhe ato të qytetit të Durrësit. Blloqet janë vendosur nga disa biznesmenë, pronarë hotelesh, të cilët janë mbledhur së bashku dhe kanë vendosur të investojnë për zgjerimin e brezit të rërës. Sipas tyre një ndërhyrje e tillë është ndërmarrë për dy arsye, e para për të luftuar erozionin pasi deti është afruar fare pranë hoteleve dhe e dyta për të zgjeruar sipërfaqen e rërës për plazhistët.

Erozioni ka si shkak ndërtimet pa kriter të kryera pas viteve '90 përgjatë bregdetit si ato të kryera brenda në det.

Në lidhje me këtë problem drejtoria rajonale e mjedisit në Durrës ka ndërhyrë disa javë me vonesë për të bllokuar punimet. Ndërkohë që kjo vepër është mjaft e dukshme dhe mund të ishte konstatuar që në fillim duke shmangur kostot e ndërhyrjeve për kthimin e objektit në gjendjen fillestare.

“Në zonën e plazhit janë ndërtuar disa subjekte të cilat janë prej erozionit që po ndodh në plazh. Janë vendosur disa blloqe betoni për të shtuar rërën. Ne si Inspektorat Mjedisi kemi bërë pezullimin e këtyre punimeve sepse po shqyrtojmë dokumentacionin që këto kanë. Deri në komunikim me pronarët e subjekteve këtu nuk do të zhvillohet asnjë lloj punimi”, tha Jurgen Dashi, Drejtor i Inspektoratit të Mjedisit Durrës.

Sipas Drejtorisë së Mjedisit punimet janë bërë pa marrë leje mjedisore dhe kjo drejtori po pret për të parë nëse ekziston ndonjë leje dhe më pas do të ndërhyhet për prishjen e tij.

Print