• Kreu
  • Uji
  • Konfliktet ujore dhe lidhja e tyre me zhvillimet e hidroenergjisë në vend

Konfliktet ujore dhe lidhja e tyre me zhvillimet e hidroenergjisë në vend

Ndonëse Shqipëria zotëron potencial të lartë hidrik, ka një varësi të lartë nga reshjet vjetore dhe pothuaj gjysma e nevojës plotësohet nga importi nga rajoni. Në këtë situatë, qeveria shqiptare është orientuar në licencimin e projekteve hidroenergjetike përmes marrëveshjeve koncesionare në mënyrë të përshpejtuar. Deri në fund 2016 janë identifikuar 183 marrëveshje koncesionare të firmosura nga qeveria për ndërtimin e 524 hidrocentraleve (gjatë periudhës 2002-2016). Nga këto shifra, 177 HEC-e janë në operim dhe licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë; 43 HEC-e janë në ndërtim dhe 364 HEC-e janë të planifikuara por nuk kanë filluar akoma ndërtimin.

Pasojat negative sociale dhe mjedisore kanë shkaktuar debate, kundërshtime, konflikte, protesta dhe padi në lidhje me hidrocentralet. Arsyeja kryesore lidhet me faktin se asnjë vend i shenjtë, park apo lumë nuk është lënë i paprekur nga ky shpërthim koncesionesh. Kjo ishte arsyeja pse Milieukontakt, Eco ALbania dhe Lex Fereneda ndërmorrën përgatitjen e një studimi që të evidentojë në masën më të mundshme projektet e kundërshtuara, shkakun e kundërshtisë, ndikimin që ato krijojnë dhe rezultatin e konfliktit. Ku me konflikte ujore do të nënkuptojmë “çdo mosmarrëveshje, kundërshti dhe konflikt mbi dhe për ujin, ku ndërhyrja sociale, politike, ekonomike dhe policore është nevojitur, ose do të kërkohet, për të zgjidhur problemin” (Ashton, 2000).

Ky vlerësim bazohet në të dhënat e grumbulluara sipas modelit të vlerësimit të Organizatave të Drejtësisë Mjedisore, Përgjegjësisë dhe Tregtisë (EJOLT), i përgatitur nga një grup prej 23 universitetesh dhe krijuar në kuadër të Programit të Shtatë Kuadër (7FP) mbështetur nga Komisioni Evropian (2011-2015). Konceptet qendrore janë borxhi ekologjik ose përgjegjshmëria mjedisore dhe shkëmbimi i pabarabartë Ekologjik.

Faktet dëshmojnë se komunitete vendore mbartin kosto jo proporcionale të shumë prej këtyre projekteve të cilat së shumti kryhen pa konsultimin e tyre, duke iu privuar atyre mundësinë të ndikojnë për pasojat ose të përfitojnë kompensim. Ndërveprimi i dobët i komuniteteve vendore me autoritetet shtetërore e rrit rrezikun që banorët të lihen jashtë këtyre negociatave.

Raportimi i pasojave shkatërruese nga kompanitë e hidrocentraleve, mbi ekosistemet ujore në zona mjedisore të ndjeshme dhe në ato zona të cilat banohen nga komunitete vendore janë shndërruar në sfidën kryesore për ushtrimin e të drejtës së njerëzve për informim dhe konsultim, ndikimin e rezultatit apo përfitimin e kompensimit. Varësia tek burimet ujore dhe me raste marrëdhënia “dalluese kulturore” me ujin dhe humbja e aksesit në këto burime ka ndikime të shumëllojta për banorët vendas. Në një numër domethënës rastesh, tensioni për çështjet e ujit të banorëve ka stisur konflikte, që kanë përshkallëzuar në faza shkatërruese duke përfshirë humbjen e jetës. Njëkohësisht, këto konflikte kanë kosto për industrinë në aspektin e reputacionit, kostos së financimit, operacionit të ndërtimit, humbjen e licencës sociale të kompanisë dhe shkaktimin e vonesave, rinegocimit dhe madje anulimin e projekteve. Ky studim mundësoi parashikimin e trendit kombëtar rreth pretendimeve konkurruese mbi përdorimin e ujit, llojin dhe gjeografinë e konfliktit, efektet dhe rezultatet që këto konflikte shkaktojnë për banorët vendas, qeverinë dhe industrinë.

Ky studim vlerësues nxori në pah 18 raste të sigurta konfliktesh të lidhura me hidrocentralet e vegjël janë gjeneruesit kryesorë të konflikteve raportuar në Shqipëri gjatë periudhës 2012 2016. Nga këto konflikte kanë rezultuar 34 persona të arrestuar dhe / ose të shoqëruar, mes të cilëve 6 gra dhe 1 i mitur, si edhe 6 viktima të lidhura ngushtë me projektet e hidrocentraleve. Në asnjë nga rastet konfliktuale të identifikuara, palët (kompanitë koncesionare energjetike, komunitete dhe qeveria) nuk kanë arritur në marrëveshje zyrtare bashkëpunimi për shkak të protestave, kundërshtive nga banorët vendas.

Në të gjitha rastet e konflikteve të analizuara, grupet më të cënuara janë zonat rurale, fshatrat e vegjël ose komunitetet ku jetesa është ngushtësisht e lidhur me burimet ujore. Transformimi apo përvetësimi i territorit dhe ekosistemit nga përdorues të rinj i kanë zhvendosur dhe iu kanë hequr të drejtën tradicionale të përdorimit të ujit (ujit për vaditje dhe bujqësi). Mungesa e informimit dhe konsultimit publik është shkaku kryesor në 21% të rasteve konfliktuale, ndjekur nga humbja e peizazhit dhe përkatësisë së vendit. 52% të intervistuarve deklarojnë se komunitetet vendore/fermerët dhe fshatarët janë grupi më i prekur nga hidrocentralet konfliktuale. Sipas të intervistuarve, në 67% të rasteve, mobilizimi ishte reagim i fillimit të projekteve të ndërtimit të hidrocentraleve, pasi panë makineritë që filluan gërmimet në vend. Ky shkak përputhet ngushtë me mungesën e informimit dhe konsultimit publik në shumicën e projekteve të hidrocentraleve. Nga ana tjetër, ndikimi i konfliktit manifestohet ndryshe nga grupet e prekura: organizatat mjedisore fokusohen te humbja e peizazhit, biodiversitetit dhe përmbytjet, ndërsa zonat rurale dhe komunitetet te mungesa e ujit për vaditje dhe bujqësisë në 54% të rasteve. Grupet e prekura nuk janë shumë optimistë nga rezultati i konfliktit ku 64% e të intervistuarve deklaruan se rastet nuk ishin të suksesshme.

Megjithatë, ata pranuan faktin se ka patur një forcim të informimit publik dhe pjesëmarrjes publike në çështjet e zhvillimit të hidrocentraleve si rezultat i angazhimit në konflikte. Të intervistuarit theksuan nevojën e forcimit të monitorimit të përdorimit të ujit nga kompanitë energjetike. Kjo do të mundësonte përmirësimin e projekteve në fazën e ndërtimit, do të monitoronte ndarjen e ujit gjatë operimit dhe do të shmangte gjenerimin e konflikteve të ardhshme. Analiza e këtij studim dëshmoi se kategorizimi i rasteve konfliktuale të ndryshme është i vështirë kur vlerësimi referohet nga njerëz të ndryshëm. Megjithatë studimi për herë të parë ofron një burim publikisht të disponueshëm në lidhje me konfliktet ujore për hidrocentralet në Shqipëri. Shpesh është shumë e vështirë të identifikosh detaje rreth një hidrocentrali psh vendndodhja, emri i hidrocentralit, apo emrat e aksionarëve që kanë fituar koncesionin. Shpesh kompanitë fituese nuk janë ato menaxhere pas një sërë shitjesh dhe ri-shitjesh të koncesioneve. Por po ashtu jemi të ndërgjegjshëm se ka mungesa të dhënash publike, shpesh kontradiktore dhe të pasakta (dublikate të emrave të projekteve dhe koncesioneve, emra të ndryshëm për projekte të njëjta dhe informacione kundërshtuese për hidrocentralet që janë në zona të mbrojtura).

Ky studim është përgatitur në kuadër të projektit “Promovimi i Forcimit të Legjislacionit Horizontal (HELP-CSO)” mbështetur nga programi ACHIEVE menaxhuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit në Shqipëri dhe financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Lexoni studimin këtu.

Print